Haliti: Deputetët e PDK-së morën mesazhe nga vendet mike për ligjin e Specialen

Aktuale

Haliti: Deputetët e PDK-së morën mesazhe nga vendet mike për ligjin e Specialen

Nga: Bota sot Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 08:56
Xhavit Haliti

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka lënë të kuptohet se tërheqja e PDK-së nga Ligji për Dhomat e Specializuara është ndikuar nga mesazhet e vendeve mike të Kosovës.

Duke folur në emisionin "Debat Plus" në TV Dukagjini, Haliti tha se beson që shumica e deputetëve të grupit parlamentar janë ftuar në takime joformale nga përfaqësues të vendeve mike, ku u janë përcjellë qëndrimet e tyre.

"Mesazhet përmes kafes këta i dinë fare i kanë marrë", deklaroi Haliti, duke shtuar se, sipas tij, pikërisht për këtë arsye ligji u tërhoq.

Haliti tha se do ta mbështeste ligjin vetëm nëse Kosova do të kishte mundësi reale që, përmes tij, t'i detyronte Dhomat e Specializuara të zbatonin dispozitat e parapara. Në atë rast, sipas tij, do ta mbështeste edhe PDK-ja.

PDK-ja kishte kërkuar fillimisht nga presidentja Justina Shiroka-Pula që ligjin e miratuar në tetor ta kthente në Kuvend për plotësime. Më pas, pas marrëveshjes me kryeministrin Albin Kurti, palët u pajtuan për një nismë të re ligjore.

U.d. kryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se drafti i ri do të përfshijë propozimet e partisë dhe sugjerimet e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha në të njëjtin emision se partia u bind nga ekspertët që ndjekin procesin në Hagë, pa përmendur presion nga jashtë.

Bashkimi Evropian ka kërkuar më herët që të konsultohet nëse rifillojnë diskutimet për ndryshimin e ligjit, ndërsa edhe Mbretëria e Bashkuar i ka kujtuar Kosovës rëndësinë e respektimit të drejtësisë ndërkombëtare.

Në të njëjtën paraqitje televizive, Haliti bëri edhe deklarata për veprimtarët e LDK-së, të cilat shkaktuan reagime të ashpra nga Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku dhe deputetë të tjerë të kësaj partie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat