Dështon seanca në rastin “Capat vs Sekiraqët”, shkak gjendja shëndetësore e të akuzuarit Fatos Abazi

Aktuale

Dështon seanca në rastin “Capat vs Sekiraqët”, shkak gjendja shëndetësore e të akuzuarit Fatos Abazi

Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 10:43
Fotoilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet të mërkurën seanca për rastin e vrasjes në Aktash. Shkak u bë gjendja shëndetësore e të akuzuarit Fatos Abazi.

Në këtë rast, Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, akuzohen lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas konstatimit të prezencës së palëve në seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Abazi, avokati Mentor Neziri, deklaroi se i mbrojturi i tij është në gjëndje të rëndë shëndetësore.

Po ashtu, i akuzuari Abazi deklaroi se edhe pse dëshira e tij është që të vazhdojë me shqyrtimin e sotëm, nuk do të mund të qëndrojë për shkak të gjendjes së tij.

Andaj, për shkak të mungesës së kushteve, Gykata mori aktvendim që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër.

Të pranishëm në seancë ishin: prokurori Bashkim Zeqaj, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi dhe Erd Marevci, si dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Kujtim Kërveshi dhe Xhemajl Ademi, Driton Musliu, Kosovare Kelmendi, Skender Musa, Mentor Neziri dhe Visar Haxhibeqiri.

Rasti po gjykohet nga trupi gjykues, me kryetare- Fatime Dermakun dhe anëtarët: Alltën Murseli dhe Ertan Sejfulla.

Ndryshe, në seancën fillestare më 6 maj 2026, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, Vesel Bunjaku u deklarua i pafajshëm për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Manipulim me prova”. Kurse Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, ndërkaq e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”.

Ndërkaq, në seancën e 26 gushtit 2026, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan sërish të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Të akuzuarit Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Ajvazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, kurse e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq, fajësinë e pranoi për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulim me prova” i akuzuari Vesel Bunjaku, të cilit iu veçua procedura, kurse më 28 gusht 2026, Bunjaku u dënua me 7 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Kujtojmë se më 21 korrik 2026, nisi gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarve Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci. Gjykimi ndaj tyre po zhvillohet në mungesë, meqenëse dy të akuzuarit deri tani janë të paarritshëm për drejtësinë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, rasti ndërlidhet me një përplasje të armatosur mes dy grupeve në lokalin “From”, ku si pasojë mbeti i vrarë Premtim Gashi, dhe disa persona të tjerë u plagosën. Të akuzuarit ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Manipulim me prova”, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me konfliktin e mëhershëm të datës 4 mars 2024, të ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i tani të ndjerit Premtim), i cili e kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat