FBAK: Uta e ngriti flamurin e Kosovës në njërën prej çative të botës

Alpinizem

FBAK: Uta e ngriti flamurin e Kosovës në njërën prej çative të botës

Më: 21 maj 2022 Në ora: 19:55
Në të majtë është Uta Ibrahimi dhe në të djathtë nënkryetarja e Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës, znj. Teuta Bicaj

Alpinistja e mirënjohur e Kosovës, Uta Ibrahimi, mbrëmë u kthye në Kosovë.

Krenaria e Kosovës, si gjithmonë, edhe kësaj radhe bëri mrekulli duke u ngjitur në njërën nga majat më të larta dhe më të rrezikshme në botë, majën Makalu 8485 metra.

Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës (FBAK) është krenare me vajzën e artë, e cila e ngriti flamurin e Kosovës në njërën prej çative të botës.

Image

“Mirë se erdhe Uta! Mbrëmë, me një pritje modeste, në Aeroportin e Prishtinës, u prit Uta jonë, pas ngjitjes së njërës nga majat mbi 8000 metërshe, në Himalaje!

Uta me sukses ngjiti majën Makalu 8485 metra, maja e pestë më e larta në botë, dhe e shtata prej projektit të 14 majave të Himalajave.

Image

Uta si gjithmonë na bëri krenarë dhe e ngriti flamurin e Kosovës në njërën prej çative të botës.

Pas përshëndetjes,  me të gjithë dashamirët që kishin dalur për ta pritur, Uta mbajti edhe një konferencë të shkurtër për medie, ku rrëfeu eksperiencën e saj në Makalu.

Image

Falë Zotit, i kam të gjitha pjesët e trupit të tëra”, - tha Uta ndër të tjera, duke ditur, se shumë alpinistë, në ato ngjitje të rrezikshme, humbin edhe pjesë të gjymtyrëve, nga ngrirjet dhe aksidentet, e për humbjen e jetës, të mos flasim në këto momente gëzimi.

Image

Një fjalim të shkurtër, në emër të  Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës - FBAK, dhe në emër të kryetarit Arianit Nikçi, mbajti nënkryetarja znj. Teuta Bicaj.

Image

Urojmë me zemër,  që Uta të ketë një përkrahje edhe më të madhe, si financiare ashtu edhe morale, që me sukses të përfundojë edhe gjysmën e mbetur të misionit të saj!”, shkruan në faqen e FBAK-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat