Dr. Richard Bartsch, pedagog, shkencëtar, njeri dhe mik shumë i mirë

Amerika

Dr. Richard Bartsch, pedagog, shkencëtar, njeri dhe mik shumë i mirë

Nga: Sadik Elshani Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 23:26
Foto

Këto ditë rastësisht mësova se në nëntorin e vitit 2019 ishte ndarë nga kjo botë dr. Richard Bartsch, për mbi 40 vite profesor i kimisë organike, analitike dhe polimereve në Texas Tech University në Lubbock të Texasit, ku ka arritur njohjen, nderimin si Paul Ëhitfield Horn Profesor, nderimi më i lartë i universitetit për një kuadër pedagogjik (faculty). Lëmitë kryesore shkencore me të cilat është marrë dr. Bartsch janë: Design and synthesis of novel organic molecules for ionic and molecular recognition; separation science; metal ion complexation and separation by multidentate ligands; preparation and application of ionic liquids. Dr. Bartsch është autor i afër 500 punimeve shkencore dhe ka qenë mentor i 54 studentëve të doktoraturës. Ndoshta askush nga lexuesit e këtij shkrimi, madje ndoshta edhe asnjë shqiptar (me përjashtim të atyre që merren me bashkëdyzimet makrociklike, ndarjen e joneve, “host – guest chemistry”). Por, unë kam patur nderin që për tri vite të jem një bashkëpunëtor i ngushtë e prodhimtar (produktiv) i tij. Për të qenë sa më i qartë e më i plotë ky rrëfim për lexuesin e këtij shkrimi, atëherë duhet nisur nga fillimi.

Një rrugëtim profesional e shkencor

Në vitin 1988 kam ardhur në Amerikë për të punuar si bashkëpunëtor shkencor në laboratorin e një profesori në Kansas City. Profesor merrej me biokimi, ndërsa unë jam kimist organik dhe ai ishte i interesuar që unë t’i sintetizoja disa bashkëdyzime për t’i perdorur në disa hulumtime biokimike për te cilat ai kishte nevojë. Nuk po zgjatem më tepër këtu për të mos e lodhur lexuesin me imtësira të tjera shkencore. Meqenëse ai ishte biokimist dhe unë kimist organik, unë pasi i kisha kryer të gjitha detyrimet e mia në laboratorin e tij kisha vendosur që të gjeja ndonjë pozicion tjetër ku mund të merresha kryesisht me sintezat e bashkëdyzimeve organike, lëmi për të cilën jam edhe i specializuar. Nga fundi i vitit 1989 në departamentin e kimisë në Universitetin e Missourit në Kansas City një profesor nga Universiteti i Idahos mbajti një seminar në një lëmi që unë kisha punuar për temën time të diplomës në Universitetin e Zagrebit e më vonë edhe i kisha përdorur disa bashkëdyzime për magjistraturën time (Masters) po në të njejtin universitet. Pas mbarimit të seminarit unë shkova dhe bisedova me profesorin për përvojën time në atë lëmi dhe ai më tha se kishte nevojë për një person që të sintetizonte disa bashkëdyzime për t’i përdorur pastaj në hulumtimet e tij. Ai vetë ishte kimist analitik. Pas një kohe të shkurtër unë shkova në laboratorin e tij në departamentin e kimisë të Universitetit të Idahos në qytetin Moscoë. (Për përvojën time gjatë atyre viteve në Moscoë unë e kam bërë një shkrim: “Një rastësi – një përvojë e bukur profesionale dhe një rajon magjepës i Amerikës”, Illyria, 1 gusht, 2019). Pasi u vendosa në Moscoë profesori më njoftoi për punën, hulumtimet e tij shkencore, planet për të ardhmen, bashkëdyzimet për të cilët ai ishte i interesuar. Më tha se disa nga këto ishin derivate të disa bashkëdyzimeve të sintetizuara nga dr. Bartsch, një profesor në Texas Tech University. Unë gjer atëherë nuk kisha degjuar për dr. Bartsch. Gjatë punës së diplomës sime kam përdorur shumë literaturë dhe isha mjaft i familjarizuar me emrat dhe punën e shumë shkencëtarëve që merreshin me sintezat e bashkëdyzimeve makrociklike, posaçerisht me një grup që në anglisht quhen, “croën ethers” (kurorat eterike ose eteret kurorike), por emrin e dr. Bartsch nuk e kisha hasur, sepse ai kishte filluar të merrej me këtë lëmi kur unë e kisha kryer punimin tim të diplomës. Më vonë për magjistraturën time jam marrur me sintezat e disa derivateve të vitaminës B6. Duke e shfrytëzuar përvojën time dhe pasionin e përkushtimin për sintezat organike arrita që brenda një kohe të shkurtër të sintetizoja një seri të gjërë të këtyre bashkëdyzimeve që jepnin rezultate të kënaqshme për kompleksimin dhe ndarjen e elementeve të serisë lantanide, elementeve të tokave të rralla (Rare Earth Elements), metaleve të rënda dhe disa elementeve radioaktive.

Takimi dhe njohja me dr. Bartsch

Në qershor të vitit 1991 në LaGrande të shtetit Oregon organizohej tubimii rajonal i Shoqatës së Kimistëve Amerikanë për rajonin e veripërendimit (ACS Northëest Regional Meeting) dhe ne kishim vendosur që në këtë tubim t’i paraqisnim rezultatet tona shkencore. Në programin e këtij tubimi e pashë se aty do të merrte pjesë edhe dr. Bartsch. Unë u habiat për të mirë se nuk e prisja këtë pasi ky ishte një tubim rajonal ku zakonisht, kryesisht pjesëmarrësit janë të po atij rajoni - kuptohet, ka edhe përjashtime. Erdhi edhe dita e këtij tubimi dhe ne u takuam me dr. Bartsch, ishim në të njejtin seksion. Paraqitja jonë ishte mjaft dinjitoze, një seri mjaft e gjërë e bashkëdyzimeve të sintetizuar dhe po ashtu përdorimi i tyre në kompleksimin dhe ndarjen e metaleve të ndryshme ishte mjaft mbresëlënës. Pas paraqitjes sonë dr. Bartsch më përgëzoi për rezultatet e arritura the theksoi se puna jonë shumë serioze i kishte lënë një befasi të këndshme. Gjatë atyre 2 – 3 ditëve sa zgjati ai tubim patëm mundësinë që të njiheshim më afër me dr. Bartsch. Ai ishte një njeri me një personalitet të këndhsëm: i qetë, shumë i sjellshëm, i përzemërt dhe shumë i shoqërueshëm – njeri që rrezatonte vlera të larta njerëzor. Bisedonim për pasionin tone: sintezat organike, përvojat tona shkencore, por edhe temat tjera. Gjatë bisedave tona ai tregoi se po merrte pjesë në këtë tubim pasi që ai ishte nga ky rajon dhe babai e motra e tij ende jetonin aty. Pra, ky ishte një rast i mirë për t’i takuar ata dhe për të rekrutuar studentë të rinj për Texas Tech.

Nja dy – tri javë pas mbarimit të atij tubimi në Oregon, dr. Bartsch më dërgoi njeë letër në të cilën më përgëzonte për punën time dhe mbresat që i kishin lënë të arriturat e mia. Më kishte dërguar edhe broshurën e departamentit të kimisë të Texas Tech që të njihesha me departamentin, universitetin dhe qytetin e Lubbock-ut. Ai kishte dëshirë që unë t’i bashkangjitesha grupit të tij, por unë për arsye familjare dhe angazhimeve të mia në U. të Idahos nuk mundja ta pranoja ofertën e tij. Me dr. Bartsch takoheshim herë pas here nëpër tubime e konferenca shkencore dhe pos bisedave të rastit bisedonim edhe për projektet tona shkencore. Si gjithmone, këto takime ishin mjaft të përzemërta. Në vitin 1996 unë dhe familja kishim vendosur që të largoheshim nga Idaho: unë tani kisha doktoruar, i kisha kryer të gjitha projektet. Një ceshtje tjetër ishte edhe punësimi i bashkëshortes sime. Moscoë është një qytet i mrekullueshëm, por mundësitë e punësimit janë të kufizuara për disa profesione. Ne ishim të ineresuar që të vendoseshim në Philadelphia ose rrethinën e saj, sepse aty dhe në Nju Xhersi ka mjaft kompani kimike, farmaceutike, bioteknologjike. Unë isha i interesuar që nga bota akademike të kaloja në sektorin privat. Lidhjet, kontaktet e mia profesionale ishin kryesisht me botën akademike, prandaj vetëm me dërgimin e rezymeve nuk ishte e lehtë të siguroje një intervistë. Pas disa përpjekjeve për të gjetur një pozicion në sektorin privat vendosa ta kontaktoja dr. Bartsch në Texas. Pasi i këmbyem fjalët e rastit i tregova se përse po e kontaktoja. Oh, sa po më vjen keq, të më kishe thirrur disa ditë më parë, më tha, e kam patur një grant (dhuratë, ndihmë), por i kam premtuar njërit që është duke punuar me një profesor këtu në departamentin tonë, por brenda disa muajve i përfundon kontrata dhe unë kam vendosur që ta pranoj në grupin tim. Në fund të bisedës më tha se do të jemi në kontakt, sepse ka konkuruar për disa grante dhe brenda një kohe të shkurtër e pret miratimin e tyre dhe unë do të jem i pari në listën e tij. Vërtet ashtu ndodhi. Pas disa javësh dr. Bartsch më kishte kërkuar përmes telefonit në fakultet, por në atë çast unë isha në bibliotekë. Për këtë më njoftuan kolegët e mi. Po atë ditë në mbrëmje dr. Bartsch më mori në telefon në shtëpi dhe më njoftoi se tani granti ishte miratuar dhe ai me gjithë dëshirë do të më mirëpriste në grupin e tij. Pasi biseduam për projektet e mundshme dhe disa kushte të tjera unë pranova dhe në fillim të shkurtit të vitit 1997 u ndodha në Lubbock.

Në laboratorin e dr. Bartsch

Dr. Bartsch kishte disa laboratorë për grupin e tij të madh, ku bënin pjesë studentë, studentë në studime postdiplomike (graduate students), postdoktorantë e bashkëpunëtor shkencorë. Laboratorët ishin të pajisur mirë me enë, pajisje e aparatura laboratorike, kimikate, reagjentë, etj. Për shkak të natyrës së punës së tij shkencore aplikative (zbatuese) projektet e tij gjithmonë kanë qenë të financiuara mirë. Pjesa dërmuese e projekteve të tij financoheshin nga Departamenti i Energjisë i ShBA-ve, fondacioneve të ndryshme shkencore kombëtare dhe të shtetit të Texasit. Po ashtu, ai ka patur edhe shumë projekte që ishin fryt i bashkëpunimit me industrinë dhe Laboratoret Kombëtare të ShBA-ve, projekte që sillnin të ardhura të mira. Dr. Bartsch ishte shumë i kujdesshëm dhe bënte çdo gjë që ne t’i kishim kushtet sa më të përshtatshme për punën tonë. çdo ditë e bënte një xhiro nëpër laboratorët e tij dhe na pyeste se për çka kishim nevojë për projektet tona. Një herë në javë i kishim diskutimet, konferencat tona shkencore individuale gjysëmorëshe ku i diskutonim rezultatet që i kishim arritur gjatë asaj jave, problemet e ndryshme dhe planet për javën tjetër. Dr. Bartsch ishte një njeri mjaft i organizuar, i saktë, i kujdesshëm, drejtues e administrator i shkëlqyer. Ai kujdesej edhe për mbarëvajtjen e Dapartamentit të Kimisë e Biokimisë - për disa mandate, 15 vite, ka qenë kryeshef (chairman) i departamentit. Gjatë qëndrimit tim 3 vjeçar në laboratorin e tij kam patur një punë shkencore mjaft prodhimtare, mbi 15 punime shkencore, pjesëmarrje në tubime e konferenca shkencore. Meqenëse banoja afër kampusit universitar, çdo mbrëmjë, gati çdo të shtunë e të diel shkoja në laborator. Të shtunave paradite vinte edhe dr. Bartsch dhe ne gjenim pak kohë për të diskutuar për punën shkencore, planet për projektet e ardhshme, por edhe biseda të tjera të rastit e me ndonjë tematikë të caktuar. Këto takime, biseda i bënin shumë përshtypje dr. Bartsch. (Më vonë kur u largova nga Lubbocku dhe sa herë që bisedonim në telefon, dr. Bartsch gjithmonë i përmendte ato takime, bisadat tona të atyre të shtunave). Fal përvojës sime në sintezat e bashkëdyzimeve makrociklike, rezultateve të larta e prodhimtarisë së begatshme, dr. Bartsch më ka respektuar dhe gjithmonë më ka trajtuar si bashkëpunëtor të barabartë me të. Kurrë nuk më ka penguar për ndonjë projekt që ishte jashtë atyre që i kishim planifikuar. Nëse mund ta kryesh, vetëm vazhdo, më thoshte.

Po bëheshin tri vite që unë isha në laboratorin e dr. Bartsch dhe koha kishte ardhur që të kërkoja një pozicion tjetër në industry. Familja ime, bashkëshortja dhe dy fëmijët, për shkak të shkollës së tyre kishin disa muaj që ishin vendosur në Philadelphia, ku jetonte e ëma dhe motra e saj. Unë u ndala edhe pak kohë në Lubbock për t’i përfunduar disa projekte që ishin në përfundimin e sipër. Grumbulloja mjaft të dhëna eksperimentale, sepse punimet shkencore mund t’I, shkruaja, përfundoja më vonë. Dr. Bartsch më tha se në laboratorin e tij unë mund të rrija sa të doja, por edhe unë duhej të kisha para syshë të ardhmen time.Ne e kishim një projekt që ishte i lidhur me një kompani kimike në Nju Xhersi dhe unë i thashë dr. Bartsch nëse mund të bisedonte me drejtorin e asaj kompanie nëse kishin ndonjë pozicion të lirë për mua. Ai më tha se, po atë ditë e kishte një bisedë telefonike me të dhe do t’ia përmende edhe rastin tim. Dhe ashtu ndodhi, unë erdha në Philadelphia dhe e kontaktova drejtorin e asaj kompanie, pas një kohe më ftoi të mbaja një ligjeratë për punën time shkencore. Në ndërkohë deri sa prisja për atë pozicion, unë e gjeta një pozicion të përkohshëm në Drexell University në Philadelphia. Në kompaninë në fjalë u punësova dhe aty i kalova 10 vite. Udhëtimi nga Philadelphia gjer në Sayreville (Nju Xhersi), ku ndodhej kompania, ishte i gjatë, por i përballova për gjithë ato vite. Tani ka vite që punoj në një kompani tjetër në rrethinën e Philadelphias.

Koha e ndarjes dhe ritakimit

Disa ditë para se të largohesha nga Lubbock-u dr. Bartsch më mori për drekë në një restorant të njohur dhe gjatë asaj dreke reflektuam për qëndrimin tim në laboratorin e tij, punën shkencore, fatet e jetës, etj. Që të dy ishim të mendimit se kur dr. Bartsch e kishte filluar punën në këtë lëmi as që e kishte menduar se do t’i arrinte këto sukses, të ketë një veprimtari kaq prodhuese shkencore. Por, kurreshtja e shkencëtarit dhe puna këmbëngulëse e ben çdo gjë të mundur. Dua të theksoj këtu se dr. Bartsch ishte një njeri shumë i ndjeshëm, i respektonte bashkëpunëtorët që ishin punëtor të mirë e prodhimtarë, ndjente një zbrazëti kur vinte koha që ata/ato të largoheshin nga laboratori i tij. Kur erdhi rasti që të ndaheshim, atij syte gati iu mbushën me lotë. Nuk mundi të ma zgjaste dorën që të përshëndetëshim. Sadik, do të takohemi përsëri, më tha. Edhe pasi u largova nga laboratorri i dr. Bartsch vazhduam të ishim në kontak të herë pas hershëm: biseda telefonike, korrespodencë. Dorëshkrimet e punimeve tona shkencore shkonin nga njëra dorë në tjetrën derisa e merrnin formën përfundimtare. Në qershor të vitit 2011, me rastin e pensionimit të tij, dr. Bartsch organizoi një festë të madhe, ribashkim të grupit, ku ishin të pranishëm shumica e ish studentëve të tij, bashkëpunëtorët shkencorë, postdoktorantët, etj.Ishte ky një rast i mirë për t’u takuar me kolegët e vjetër, për t’i freskuar kujtimet tona, kohën që kishim kaluar në laboratorin e dr. Bartsch, qytetin e Lubbockut. Dr. Bartsch na tregoi se po ballafaqohej me disa probleme shëndetësore, por për momentin po ndihej mirë. Kjo ishte edhe hera e fundit që u takuam me dr. Bartsch.

Qyteti i Lubbock-ut dhe Texas Tech University

Qyteti i Lubbock-ut ndodhet ne pjesen veripërendimore të Texasit dhe ka mbi 260 mijë banorë. Lubbock është i njohur për prodhimin e pambukut. Gati 25% e sasisë së pambukut të ShBA-ve prodhohet në Lubbock dhe rrethinën e tij. PërveçTexas Tech në Lubbock ndodhen edhe disa kolegje të vogla. Qyteti është i rrafshtë pa as edhe ndonjë kodrinë të vockël. Ka parqe të shumta të cilët si karakteristikë të veçantë e kanë se në ta ndodhen liqene të vogla që shërbejnë edhe për grumbullimin e ujit kur bie shi. Për dashamirët e muzikës rock and roll vlen të përmendim se Lubbock-u është vendlindja e legjendës së rock and rollit, Buddy Holly (1936 – 1959). Edhe pse vdiq shumë i ri në një fatkeqësi ajrore, ai mbetet një figurë mjaft e rëndësishme e këtij lloji të muzikës. Lubbock-u nuk shquhet për ndonjë bukuri të veçantë, por përendimet e diellit janë dicka madhështore, magjepse, spektakolare në atë horizont të pafund. Çdo buzëmbrëmje i kam shijuar këto spektakle mahnitëse në qiellin e gjërë të Lubbock-ut.

Texas Tech University është themeluar më 10 shkurt të vitit 1923 dhe sot ka mbi 40 mijë studentë. Studentët vijnë nga të gjitha 50 shtetet e ShBA-ve dhe nga 100 vende të huaja.Universiteti ofron mbi 150 disiplina, përbëhet nga 13 kolegje dhe ka mbi 60 qendra hulumtuese dhe institute shkencore. Shquhet për kampusin universitar të shtrirë në një sipërfaqe të gjërë dhe mjaft të bukur, të ndërtuar në stilin e Renesancës Spanjolle. Biblioteka e pasur e universitetit në fondin e saj ka edhe një numër të mirë të librave mbi historinë dhe letërsinë shqiptare.

I solla këto kujtime, sepse ato tani janë bërë një pjesë e bukur e jetës sime. I solla edhe për ta kujtuar e nderuar dr. Bartsch, një pedagog, shkencëtar, njeri e mik shumë i mirë. I përjetshëm qoftë kujtimi për dr. Richard Bartsch!

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat