Haxhi Dauti, një veprimtar misionar i çështjes gjithëshqiptare në SHBA

Amerika

Haxhi Dauti, një veprimtar misionar i çështjes gjithëshqiptare në SHBA

Nga: Dukagjin Hata Më: 11 janar 2021 Në ora: 20:09
Haxhi Dauti

Në rrugën përkushtuese të një misioni, që ka nisur tash sa kohë në oxhakun e shpresës së miqësisë shqiptaro-ameriakne e që do të vazhdojë përjetësisht, nga brezi në brez, radhitet dhe një misionar, strugani Haxhi John Dauti, tek i cili mishërohet shpirti qëndrestar e kërkimtar, shpirti organizativ dhe përkushtimi pa limit, dashuria e flaktë për trojet e të parëve, që e kanë motivuar dhe motivojnë atë në çdo hap të tij, në këtë rrugëtim mbresëlënës, në diasporën shqiptare në SHBA.

Janë të shumta ëndrrat dhe devizat shqiptare, që i kanë ngritur burra si ai në lartësinë e një misioni, që mbart dashurinë dhe vullnetin e gjithësecilit prej nesh, për të bërë më të mirën e mundshme, për shqiptarinë në cdo cep të trojeve tona etnike.

Të shkruash për këtë figurë emblematike, duhet të shkruash për gjithë atë botë të flakëruar pasionesh dhe vlerash, që ai mbart mes shqiptarëve në Tokën e Re, pasi në çdo detaj do të gjeshë një kuptim të ri të shpalosjes së vlerave të një idealisti dhe progresisiti, që di të verë në punë zembrekun e orës shqiptare në SHBA.

Pjesë e mërgatës emblematike shqiptare, të vendosur në SHBA për shkak të përndjekjes pansllaviste diktatoriale, është dhe shqiptari strugan Haxhi Dauti, pinjoll i një familje me kontribute atdhetare historike ndër shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, larguar nga trojet etnike të të parëve të tij, drejt botës së lirë, për t’iu ikur valëve të dhunës dhe persekutimit mizor të ish Jugosllavisë ndaj familjeve qëndrestare shqiptare.

Ai është një ikonë e këngës dhe muzikës moderne shqiptare, sipërmarrës i suksesshëm, kulturolog, veprimtar i përkushtuar i çështjes kombëtare, personalitet me lidhje të fuqishme në qendrat e botës politike amerikane, të cilat i ka shfrytëzuar dhe i shfrytëzon pa ndërprerje në favor të kauzave të shtruara për zgjidhje gjithëshqiptare.

Ish kryetari i parë i Partisë për Prosporitet Demokratik të Nevzat Halilit, dega SHBA, në fillim të viteve ’90, më vonë tërhiqet nga jeta aktive politike për të themeluar Këshillin Shqiptaro-Amerikan, të cilin e drejton prej shumë vitesh, duke u angazhuar fuqishëm, së bashku me veprimtarë të tjerë të çështjes shqiptare në SHBA, në veprimtari të shumta të kauzës sonë kombëtare, duke përfshirë ato për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Çamërinë, viset e tjera shqiptare dhe të drejtat e popullsisë shqiptare në përgjithësi.

Në rrugën e pakthyeshme të atij kontributi madhor që shqiptarët e Amerikës kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për shqiptarinë, janë të shumtë përkushtuesit e këtij misioni, nga brezi në brez, por emri i Haxhi Dautit është kryeemblema dhe figura numër një rreth të cilit u mblodhën shqiptarët në atë tokë të bekuar lirie e dinjiteti. Tek ai u mishërua shpirti qëndrestar e kërkimtar, bujaria dhe çiltërsia, shpirti organizativ dhe përkushtimi pa limit, shfaqur në çdo hap në këtë rrugëtim mbresëlënës.

Ndjekës dhe inkurajues i politikave integruese të botës shqiptare në kursin e hapur demokratik euroatlantik, Haxhi Dauti ka kontribuar fuqishëm që zëri panshqiptar të dëgjohet siç duhet në qarqet e politikëbërjes amerikane, duke sensibilizuar publikun dhe opinionin amerikan në favor të problemeve të shtruara për zgjidhje të shoqërisë shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, (sot Maqedonia e Veriut).

Falë lidhjeve të forta me kongresmenë, senatorë dhe presidentë amerikanë, ky atdhetar vizionar ka bërë çfarë ka mundur që çështja shqiptare jo vetëm të dëgjohet në qarqet vendim-marrëse të Uashingtonit, por të shihen me përparësi rrugët e mundshme për zgjidhjen e tyre.

Njëzetë e nëntë vite më parë, në vitin 1991, në Neë Jersey, nisi rrugëtimin e tij Këshilli Shqiptaro Amerikan (Albanian American Council), hapin e parë drejt të cilit e hodhi me përkushtim dhe energji të pashembullt z. Haxhi John Dauti, një atdhetar dhe veprimtar i përkushtuar i çështjes shqiptare, të cilës që atëhere nuk i është ndarë asnjë çast, duke lobuar me figurat më përfqësuese të politikës dhe shoqërisë civile amerikane në favor të shqiptarëve, kudo që jetojnë në trojet e tyre etnike.

Haxhi Dauti e nisi rrugëtimin e angazhimit atdhetar në krye të herës në Ligën Shqiptaro Amerikane, si drejtues i degës në Nju Xhersi, të udhëhequr nga i mirënjohuri Joe Diogardi.

Fotot, dokumentat shkresore, arkiva e ruajtur në mëyrë perfekte në zyrat e Këshillit Shqiptaro-Amerikan dëshmojnë kontributin e çmuar të këtij atdhetari, i cili ishte i pari, që në emër të Këshillit Shqiptaro Amerikan, dëshmoi në instancat më të larta të shtetit amerikan dhunën dhe keqtrajtimin e shqiptarëve në republikën e re maqedonase, e cila sapo qe shkëputur nga trungu pansllavist i ish Jugosllavisë.

Zotëri Haxhi Dauti, i ftuar për të qenë pjesë e një takimi në Uashington, të organizuar nga Kongresi i të drejtave të njeriut, ku ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të qeverisë së Maqedonisë, si ministri i jashtëm Denko Malevski dhe përfaqësuesi i Patriarkanës maqedonase, të cilët do të njoftonin me detaje qeverinë Amerikane lidhur me shtetin e sapoformuar të Maqedonisë dhe të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet, deklaroi se çështja thelbësore në Maqedoni është shtypja dhe diskriminimi i popullit shqiptar. Kjo binte ndesh me frymën propogandistike të shefave të agjitpropit maqedonas, që po gënjenin ditën për diell para përfqësuesve më të lartë të shtetit amerikan. Këta të fundit, të ndodhur para një deklarate të tillë, i dhanë drejtim tjetër takimit dhe nuk lejuan që agjendën ta zotëronin përfaqësuesit e shtetit maqedonas, me radhën e mashtrimeve të tyre të stisura, për t’iu hedhur hi syve perëndimorëve.

Haxhi Dauti ka ndikuar me lidhjet e tij të fuqishme miqësore me politikanë e biznesmenë të sferave të larta amerikane për t’iu ardhur në ndihmë shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, sidomos në fillim të periudhës trazniztive në trojet e trungut amë, drejt tregut të lirë, kur shoqëria shqiptare trashëgonte një nivel të ulët dhe diskrimues ekonomik për disa shtresa në nevojë, krejt të zbuluara nga kthetrat e një kapitalizmi të egër dhe kaotik, jashtë standardeve të botës euro-atlantike.

Haxhi Dauti ka ndikuar me autoritetin dhe lidhjet e tij që zhvillimet në Maqedoni të marrin një rrjedhë ogurbardhë për shqiptarët, ku në krye të Këshillit Shqiptaro Amerikan, ka zhvilluar një fushatë sensibilizuese të dokumentuar për rëndësinë e Marrveshjes së Ohrit, duke organizuar dhjetra takime me figurat kryesore politike në Maqedoni, për t’iu bërë me dije atyre, rëndësinë e madhe dhe thelbin e këtij dokumenti për të cilin janë garant edhe SHBA-të. Në bashkëpunim me mikun e madh të shqiptarëve, ish ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, William Walker, realizuan takime intensive bllokun politik shqiptar në Maqedoni, duke synuar një bashkim të qëndrueshëm rreth një kauze të qartë për shqiptarët në Maqedoni.

Talenti, pasioni dhe përkushtimi i tij është për secilin shqiptar në SHBA një nxitje për të vepruar në dobi të kauzës sonë kombëtare, një mesaz i madh për të gjithë njerëzit e për të gjitha kohët: njeriut ia rrit vlerën jo fjala e bukur, por veprimi i bukur. Njeriun e bën të gëzoj reputacion mes njerëzve të tjerë jo uni, mburrja dhe egoizmi, jo autolëvdatat, por fakti se çfarë arrin të bëj ai ose ajo për ata që e rrethojnë, për ata që besojnë tek fjala dhe vepra e tij ose e saj.

Dhe diaspora shqiptare në SHBA, struganët, shqiptarët e Maqedonisë, shqiptarët e trojeve amë, shqiptarët e Kosovës dhe të Malit të Zi, besojnë tek misionarë si Haxhi Dauti, se ai nuk i shkëputi asnjë çast fjalët nga veprat, të thënën nga e bëra, duke qenë gjithmonë në ballë të Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, me kontributin më të madh nga të gjithë të tjerët, me performancën më të çiltër njerëzore, duke iu falur të gjithëve përkujdesje e mirësi, siç dinë të falin njerëzit me shpirt të madh dhe zemër bujare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat