Lamtumirë Ambasadore e nderuar, Vlora Çitaku!

Amerika

Lamtumirë Ambasadore e nderuar, Vlora Çitaku!

Nga: Shaqir Salihu Më: 7 mars 2021 Në ora: 18:59
Vlora Çitaku dhe Shaqir Salihu

Komunitetit të vogël shqiptar të Washingtonit këto ditë po i largohet një anëtare me peshë të madhe, Ambasadorja e re dhe simpatike e Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku po përfundon mandatin e saj diplomatik dhe po largohet nga kryeqyteti amerikan.

Të gjithë jemi në njëfarë mënyre të pikëlluar sepse kjo diplomate e re dhe e vyeshme la gjurmë në Washington.

Këtu jetojnë dhe punojnë mijëra diplomatë të huaj dhe ndoshta është kryeqyteti më i ngjeshur diplomatik në botë. Këtu vendosen fatet e shumë vendeve të vogla. Është qytet shumë i ngarkuar sepse këtu është vendosur administrata dhe këtu punohet shumë.

Këtu është Shtëpia e Bardhë, Kongresi dhe të gjithë dikasteret e qeverisë amerikane. Për këtë arsye është vështirë që ndonjë diplomat i huaj t’u bjerë në sy njerëzve pa marrë parasysh se sa popullor të jetë një diplomat.

Këtë fat nuk e kanë të gjithë diplomatët e huaj. Por, Vlora Çitaku është e veçantë.

Ajo ia pushtoi zemrat zyrtarëve amerikanë me buzëqeshje melankolike lirike dhe me një sjellje vërtetë qytetare e fisnike. Kjo është hera e dytë që ne shqiptarëve na buzëqesh fati me ambasadorë të vyeshëm. I tillë ishte edhe Faik Konica në fillim të shekullit të kaluar.

Komuniteti shqiptar i Washingtonit është me fat edhe për faktin se këtu kemi edhe ambasadoren e Shqipërisë, Floreta Faber, gjithashtu shumë aktive dhe shumë e afërt me diasporën këtu. Unë jam posaçërisht mirënjohës ndaj ambasadorës Çitaku. Jo vetëm ajo, por i gjithë stafi i saj si Frymëzim Isufaj e Ilir Qeriqi, atashehu ushtarak pranë ambasadës, si dhe i gjithë stafi. Më kanë nderuar shumë e në shumë mënyra, duke mos më lënë kurrë jashtë nga të gjitha festat e çdo përvjetori të pavarësisë së Kosovës që nga viti 2008, por edhe në raste të tjera.

Ambasadorja Çitaku respektoi dhe trajtoi me dinjitet diasporën shqiptare kudo në Amerikë, e këtë në Washington në veçanti. Ne krenoheshim për mënyren se si i kundërvihej gënjeshtrave të Beogradit në Kombet e Bashkuara. Fitonte simpati në Shtëpinë e Bardhë dhe punoi ngushtë me të dy partitë politike në Washington. Diti të sensibilizojë çështjen e Kosovës dhe krijoi shumë miq.

Unë personalisht i dëshiroj nga zemra Ambasadores Çitaku fat të mirë kudo që ajo vazhdon karrierën e saj diplomatike!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat