Çfarë ka bërë deri tash dhe çfarë do të bëjë nesër PAAC?

Amerika

Çfarë ka bërë deri tash dhe çfarë do të bëjë nesër PAAC?

Nga: Skënder Karaçica Më: 9 korrik 2021 Në ora: 18:26
Skënder Karaçica

U bënë bashkë një grup njerëzish nga disa qendra të Amerikës dhe u morën vesh që të formojnë Pan-Albanian (PAAC).Mirë boll, do të thoshim. Pse u formua kur dihet se kemi mjaft organizata të diasporës shqiptare në Amerikë, ndonëse i dinë fare mirë këta të vijës së PAAC.

Të jemi më të hapur për opinionin shqiptarë në atdhe. Asgjë personale ndaj askujt, sepse disa prej tyre i kemi miq të mirë dhe jemi të shtrënguar që të themi shtruar: A na është dashtë të formoni PAAC, që, dorën në zemër në fillim të udhës shihet nga larg se ka dal në sipërfaqe sa për të dal në fotografi me udhëheqjen e shtetit të Kosovës, të Shqipërisë dhe me pjesën shqiptare në Maqedoninë e Veriut(!).

Po ua bëj këtë pyetje nga sheshi i Prishtinës, çfarë keni bërë deri tash dhe çfarë do të bëni nesër PAAC...?! E dini këtë se kush ka organizuar veprimtarinë kombëtare për çështjen shqiptare në Ballkan dhe për lirinë e Kosovës...? Kush i ka dal ballë për ballë kryekriminelit të Serbisë fashiste të Slobodan Millosheviq në Hagë...? Dhe kush pati organizuar Konferencë Ekonomike për Investime në Kosovë(2015) në Çikago (SHSHA-Oda Ekonomike Amerikë-Izrael)?

Të gjitha këto i keni “harruar” dhe keni dal si kërpudha pas shiut dhe si kundër peshë e tërë kësaj lëvizjeje të madhe kombëtare në Amerikë, që historia e diasporës shqiptare do të shënojë dhe të ruajë në arkivat e historisë udhën e madhe kombëtare të kohës të organizimeve të përmendura më lartë.

Disa nga anëtarët e PAAC-ut ishin pjesë e KKSHA-së në Nju Jork dhe duhet biseduar pa dorëza, për shkak të “lojës së golfit” (sic!) me akordimin e mjeteve materiale të shtetit amerikan dhe abuzimeve të skajshme, tashti e tërë kolovajza e kësaj loje do të përballet me drejtësinë amerikane(!).

Pse e keni marrë këtë (aktivitet) me kaq yrysh dhe takimet e PAAC-it me zyrtarët në Prishtinë dhe Tiranë dhe me dy ambasadat e Amerikës, sikur pasni ardhur nga “Shtëpia e Bardhë” në Uashington (sic!).

Pak më të sinqertë, miqtë tanë të diasporës dhe të këtij organizimi nën “flamurin PAAC” (sic!). I keni harruar aktivitetin e të tjerëve që e kemi përmendur lartë në Çikago dhe Nju Jork dhe ia keni mësyer Prishtinës dhe Tiranës dhe pjesës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sikur të ishin “heronjtë e Vietnamit” (sic!).

Para pak kohësh, në Prishtinë dhe Tiranë erdhën do tjerë veprimtarë nga bota e biznesit në Amerikë dhe tash sa kohë nuk ka lëvizur asnjë guri...(sic!). Çka nëse edhe PAAC nuk do të bëjë asgjë në udhën që kanë marrë sa më dalë në fotografi me zyrtarët e shtetit në Prishtinë dhe Tiranë, atëherë ku do të mbetët nderi dhe nisma juaj me yryshet për të dalë përpara aktiviteteve të përmendura më lartë, që nuk përsëritën me kaq hove të mëdha dhe në dritën e çështjes kombëtare shqiptare...!

E gjithë kjo “jehonë e lajmit” a do të mbetët vetëm si lajm dite apo pas pak ditësh do të marrë me vete harresa dhe si thonë u pafshim më shpinë...(sic!).

Miq të diasporës në Amerikë, kaq shumë lajme të ditës pa bërë asgjë dhe asnjë aktivitet për çështjen kombëtare në dritën e kronikave historike të tjerëve të përmendura më lartë, ndërsa PAAC nën hijen e gjithë kësaj dëshiron të marrë “hise” për një javë aktivitet në kroniket e diasporës shqiptare në Amerikë.

Mos jeni shumë vonë dhe nga larg po shihet veçse dëshira për të dalë në fotografi dhe në lajmet e TV-së në Prishtinë dhe Tiranë (sic!)

Mos dilni më me rrahagjoks se jeni vonë dhe veçse një numër modest i PAAC-it nën hijen e të tjerëve që kanë bërë shumë për çështjen shqiptare dhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! Atyre u keni dal pas shpine si kundër peshë asgjë më shumë...(!).

Jeni veçse të vonuar PAAC nga Amerika...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat