Eva Dori, “misionarja” e gjuhës dhe vlerave kulturore

Amerika

Eva Dori, “misionarja” e gjuhës dhe vlerave kulturore

Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 23:47
Eva Dori

Misioni për ruajtjen e gjuhës shqipe, promovimit të vlerave dhe traditave kulturore është një mision sa moral, njerëzor, detyrues, por aq edhe hyjnor. Ruajtja e gjuhës amtare pellazge, Gjuhës së Perëndive, forcon personalitetin tonë si komb, pasi pa të nuk mund të ekzistojmë në sytë e kombeve të tjera. Duhet ta ruajmë si një thesar të çmuar, i cili duhet t’i rezistojë çdo uragani të mundshëm. Misionarët dhe martirët e lirisë e kanë ndriçuar gjuhën shqipe, e kanë ngritur shumë lart, duke i dhënë vendin që i takon, vendin hyjnor. Sa këngë e poema i kanë thurrur rilindasit Gjuhës së Perëndive, duke e ngritur në altarin e pavdekshmërisë! Në gjuhën shqipe janë gdhendur përpjekjet dhe kujtimi i të parëve, gjaku i martirëve të lirisë, që e lanë me testament vijimin e luftës titanike për ruajtjen e saj. Gjuha është mushkëria e një kombi!

Misionarët e parë kanë luftuar disa me penë e disa me pushkë, intelektualë të një rangu të lartë, me veprimtarinë e tyre të paepur kanë lobuar nëpër sallonet më të larta të botës për ruajtjen e gjuhës pellazge, Gjuhës së Perëndive, çështjen e trojeve shqiptare, kur Fuqitë e Mëdha kërkonin të copëtonin dhe tjetërsonin kombin shqiptar. Misioni për ruajtjen e Gjuhës së Perëndive është një mision i cili vazhdon edhe në ditët e sotme, nga shqiptarët e Diasporës. Sa më larg vendit të jesh, aq më shumë e ndjen deri në qelizë sesa i dashur është atdheu me vlerat e tij të pasura tradicionale, kulturore-folklorike. 

Eva Dori, me profesion gazetare, është një nga shqiptarët e diasporës, misionare e gjuhës shqipe dhe promovimit të kulturës shqiptare në Filadelfia. Së bashku me komunitetin shqiptar të Filadelfias, Eva Dori qëndron në ballë të projekteve, misioneve dhe aktiviteteve, që kanë në thelb gjuhën shqipe dhe traditat shqiptare. Ajo është e palodhur, plot pasion dhe dëshirë për t’i dhënë dritë shqipes, kësaj gjuhe hyjnore që duket akoma më e bukur kur flitet edhe nga fëmijë që kanë lindur jashtë atdheut. Kur puna e palodhur dhe fisnike vlerësohet, dëshira dhe pasioni bëhet akoma edhe më i pashtershëm! 

Eva Dori, gazetarja e njohur në Shqipëri, por edhe në Amerikë, është vlerësuar me një certifikatë mirënjohje nga Shoqata Atdhetare Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia, për pasqyrimin dhe publikimin e veprimtarive të shoqatës dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” Filadelfia, në rrjetet sociale dhe media televizive në Shqipëri. Ajo ndihet mjaft krenare, por këtë çmim ia atribuon edhe bashkëpunëtorëve të saj, pa të cilët misioni do të ishte i pamundur. Eva Dori flet në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, për çmimin dhe aktivitetet kulturore në Filadelfia.

Gazeta “Dielli”  -Përshëndetje Eva! Kam vërtet kënaqësinë të jemi sërish së bashku në një bashkëbisedim miqësor, gjithashtu edhe për publikun shqiptar të diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju e keni vendosur veten në qendër të misionit të promovimit të vlerave, kulturës dhe traditave shqiptare në shtetin ku jetoni. Do të të quaja Misionare e Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Filadelfia. Gjithmonë, puna e mirë nuk kalon në heshtje, por shpërblehet. Së fundmi jeni vlerësuar me një certifikatë mirënjohje nga Shoqata Atdhetare Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia, për pasqyrimin dhe publikimin e veprimtarive të shoqatës dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” Filadelfia, në rrjetet sociale dhe media televizive në Shqipëri. Si e prite një vlerësim të tillë?

Eva Dori: Së pari dua të të falënderoj në emër të komunitetit shqiptar që jeton në Filadelfia, për vëmendjen dhe gatishmërinë që tregoni për të pasqyruar aktivitetet tona. 

Natyrisht që u emocionova shumë kur Kryetari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Bujar Gjoka, thirri emrin tim! Mund të them që ishte surpriza më e bukur që më është bërë në jetën time profesionale. Unë isha duke xhiruar programin e festave të fundvitit, që Shkolla Shqipe, “Gjuha Jonë”, kishte përgatitur me nxënësit e saj. Ishte një moment shumë prekës për mua! Mësuesja e klasës së dytë, Mimoza Sotiri, u shndërrua në një nënë me krahë të mëdhenj, ku përqafoi dhe i puthi me rradhë të gjithë nxënësit e klasës së saj. Është aq bukur kur shikon mësuese të tilla që e duan aq shumë profesionin; nxisin dhe inkurajojnë me shpirt fëmijët tanë të mësojnë gjuhën shqipe. Më përloti përqafimi i saj!

Aq i bukur ishte dhe momenti kur salla e mbushur me prindër duartrokitën, kur unë e hutuar u ngrita e mora certifikatën e mirënjohjes. U përlota sepse, edhe pse jemi të gjithë vullnetarë, ne punojmë me seriozitet e me shumë përkushtim për t’i realizuar sa më bukur këto projekte. Çmimi i mirënjohjes nuk ishte vetëm i imi atë ditë. Ai çmim u takonte edhe atyre.

Pa bashkëpunimin e tyre, nuk mund të realizoja aq bukur ato emisione. Më lejoni të falënderoj stafin e palodhur pedagogjik të Shkolles Shqipe, “Gjuha Jonë”, zonjat Irini Zenelaj, mësuesja e klasës së parë; zonja Mimoza Sotiri, mësuesja e klasës së dytë; Rajmonda Bardhi, klasa e tretë; Rudina Bani, mësuesja e klasës së katërt, njëkohësisht edhe nënkryetare e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”; Afërdita Muzhaqi, klasa e pestë.

Gazeta “Dielli”: Komuniteti ynë shqiptar është shumë i madh në një territor po kaq të madh siç është Amerika. Padyshim kemi nevojë për mikpritjen dhe ngrohtësinë e njëri-tjetrit. Çfarë do të vlerësonit në veprimtarinë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, me kryetar Bujar Gjoka, dhe për çfarë do t’u ishe mirënjohëse, ju dhe komuniteti shqiptar në tërësi?

Eva Dori: U jam mirënjohëse jo vetëm punës që bën shoqata, por gjithë komunitetit shqiptar. Në Filadelfia, të gjithë janë të prirur të ndihmojnë njëri-tjetrin, sidomos emigrantët e rinj.

Të gjithë ne bëjmë përpjekjet tona për t’i ndihmuar që ata të integrohen sa më shpejt në jetën e re amerikane. Kur të gjithë bashkëpunojmë për të mirën e përbashkët, frytet do të jenë shumë të arrira, pasi kjo na forcon edhe si komunitet. E mira ime është edhe e mira jote! Duke i dhënë dorën njëri-tjetrit, kapërcejmë çdo vështirësi së bashku. Ky është komuniteti i Filadelfias. Në kuadër të ndihmës që ofrohet, unë do të doja të përmendja përurimin e dy shtëpive të reja të ndërtuara pas tërmetit, në Shqipëri. Këto shtëpi u ndërtuan nga fondet financiare të mbledhura nga komuniteti shqiptar dhe 293 biznese të ndryshme shqiptare.

Gazeta “Dielli”: Si po ecën emisioni “Shtëpia e Ëndrrave”, një projekt të cilin e sollët me shumë pasion nga Shqipëria?

Eva Dori: Ky projekt e ka arritur qëllimin e tij. Unë dua të falenderoj fëmijët, por në veçanti prindërit, të cilët ndjejnë përgjegjësinë se fëmijët e tyre duhet të gjejnë kohë edhe për të mësuar gjuhën shqipe, këngët dhe vallet shqiptare. Ky emision nuk mund të ishte i realizueshëm pa ndihmën e prindërve, pasi ata janë shtysa e parë për fëmijët e tyre, që të drejtohen drejt rrugës së drejtë, në këtë rast promovimit të vlerave tona kulturore shqiptare. 

Gazeta “Dielli”: Cili është projekti më i ri që pritet të vijë vitin e ardhshëm?

Eva Dori: Projekti më i ri që dua të realizoj është në lidhje me emisionin “Shtëpia e Ëndrrave”. Një ndër rubrikat më të sukseshme në këtë emision ishte “Vallja e Shqipes “, në bashkëpunimin me Dreams House Dance Academy në Shqipëri. Mezi pres që dy koreografët e talentuar, Anxhel Goga dhe Enea Goga t’i kem këtu në Philadelphia, për të hapur qendrën e dancit, pasi ka shumë kërkesa nga komuniteti shqiptar. Viti 2022 është shumë i rëndësishëm, pasi kemi edhe 110 vjetorin e krijimit ëe Shtetit Shqiptar. Ndaj dua më shumë se kurrë që të kërcejmë pafund! Dua të kem në skenë fëmijët e komunitetit shqiptar, që të sjellin jo vetëm gjuhën e bukur shqipe, por edhe këngët dhe vallet e mrekullueshme të vendit tonë.

Gazeta “Dielli”: Me rastin e Festës së Flamurit, 28 Nëntorit, komuniteti shqiptar në Filadelfia zhvilloi një aktivitet madhështor. Si arritët ta përcillnit këtë organizim spektakolar? Çfarë risie apo të veçantë sollët këtë vit?

Eva Dori: Nëntori i “Bijve të Shqipes” është i mbushur plot aktivitet, ku fillojnë me “Mayfair Thanksgiving Parade”, në zonën e Northeast të Filadelfias. Në këtë paradë që tashmë është kthyer në traditë, u bë një paraqitje shumë e mirë e veshjeve kombëtare, simboleve, muzikës dhe valleve shqiptare. Falenderojmë të gjithë prindërit, mësuesit, nxënësit dhe kryesinë e shoqatës, si dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë, të cilët na përfaqesuan denjësisht.

Pas kësaj parade, e cila quhet sipari i aktiviteteve të muajit nëntor, vjen edhe ngritja e flamurit në qendër të Filadelfias. Në këtë veprimtari madhështore, në Ditën e Flamurit morën pjesë shumë pjestarë të komunitetit shqiptar, të cilët me flamuj në duar, me veshjet kombëtare kënduan himnin e flamurit, ndërsa mësuesja më e vjetër e shkollës shqipe, “Gjuha Jonë”, znj.Rajmonda Bardhi, me dy nxënësit e saj realizuan ngritjen e flamurit para Bashkisë së Filadelfias. Më pas, ceremoninë e hapjes e mbajti nënkryetari i shoqatës, zoti Dritan Matraku. Në fjalimin e tij, ai ftoi të kujtojmë e të nderojmë me respekt heronjtë e kombit patriot dhe atdhetarët e shquar, që nuk kursyen asgjë për interesat e kombit shqiptar.

Në këtë aktivitet mori pjesë znj. Sheila Hess, përfaqësuese e bashkisë, gazetarja shqiptare- amerikane, Katie Katro e kanalit televiziv 6 ABC, e cila e përcolli urimin dhe mesazhin e saj në gjuhën shqipe.

Gazeta “Dielli”: Sa e vështirë apo e lehtë është të ndërmarrësh aktivitete të tilla organizuese ndër shqiptarë?

Eva Dori: Nuk është aspak e vështirë! Përkundrazi, komuniteti na nxit të ketë sa më shumë aktivitete të tilla. Pjesëmarrja është e madhe, aktiviteti e arrin qëllimin e tij, por ajo që lë pak për të dëshiruar është mbështetja e bizneseve. Besoj se duhet të punohet më shumë në këtë drejtim, për t’i sensibilizuar ata e për të na ndihmuar që t’i realizojmë edhe më bukur këto aktivitete. Ide kemi shumë, por shpeshherë është ana financiare ajo që të kufizon.

Gazeta “Dielli”: A pritet të kemi aktivitete dhe mbrëmje artistike më të shpeshta, ku shqiptarët të mblidhen dhe të mos harrojnë asnjëherë promovimin e vlerave tradicionale të brezat e rinj?

Eva Dori: Po do të kemi shumë aktivitete, pasi jemi në prag të 20 vjetorit të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, dhe, natyrisht, të gjithë së bashku po përpiqemi të vëmë në jetë projektet që kemi planifikuar. Mendoj që në një tjetër intervistë mund të flasim më gjatë në lidhje me këta projekte. Natyrisht, aktivitetet artistike kanë rëndësinë e vet, por ashtu siç thotë edhe një ndër anëtarët e shoqatës, zoti Vlashi Fili, ne si emigrantë, së pari duhet të realizojmë këto dy detyra: Së pari, të integrohemi sa më shpejt në jetën amerikane, për ta ndjerë veten si qytetar të denjë të këtij shteti; së dyti, të mos harrojmë nga vimë, duke ruajtur gjuhën dhe kulturën tonë. Pra, thelbi i gjithë punës sonë është promovimi i vlerave kulturore dhe të ruajmë gjuhën tonë të bukur shqipe brez pas brezi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat