17 Korrik 2019: Shqiptarët protestuan para Shtëpisë së Bardhë kundër George Soros

Amerika

17 Korrik 2019: Shqiptarët protestuan para Shtëpisë së Bardhë kundër George Soros

Nga: Beqir Sina - New York Më: 23 janar 2022 Në ora: 16:01
Pamje nga protesta e shqiptarëve te Shtëpia e Bardhë

Tre vjet më parë (17 Korrik 2019) disa dhjetëra shqiptarë të Amerikës, u mblodhën  në mesditë përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama dhe asaj që ata e quajnë ndërhyrje e miliarderit George Soros në punët e Shqipërisë, nëpërmjet fondacionit të tij.

Protestuesit me parrulla dhe thirrjet e fuqishme nëpërmjet altoparlantëve iu drejtuan Presidentit amerikan Donald Trump me lutjen që të tregojë vemendje për atë që po ndodh në Shqipëri.

Grupet e shqiptaro-amerikanëve të mbledhur në protestën e 3 viteve më parë përpara Shtëpisë së Bardhë, për të protestuar, thanë se nuk ishin të organizuar ose të thirrur për protest në emër të asnjë force ose grupimi politik në Shqipëri, apo diasporë, por  se ishin njoftuar përmes rrjeteve sociale për tubimin, të cilin ata e konsideruan si një thirrje kundra instalimit të shtetit monist në Shqipëri,  dhe të një diktature të re nëpërmjet të lidhjeve të forta të Alekseandër Soros & Edi Ramës.

Image
Pamje nga protesta e shqiptarëve te Shtëpia e Bardhë

“Nuk jemi pjesë e ndonjë organizate, as e ndonjë partie. Thjesht jemi shqiptarë që na interesojnë të drejtat dhe liritë e popullit tonë, të cilat janë të mohuara nga qeveria aktuale, që është e kapur nga krimi, nga korrupsioni,” ka thënë një protestuese për Zërin e Amerikës që kishte udhëtuar ​nga Nju Jorku.

Protestuesit mbanin në duar pankarta kundër miliarderit George Soros, që ata thanë se nëpërmjet Fondacionit të tij ai po destabilizon një vend të NATO-s, siç është Shqipëria.

“Ai po ndërhyn në çdo cep. Sipas informacioneve, ka hedhur shumë lekë në reformën në drejtësi, në një reformë që po dështon. Po shikojmë njerëz që po kualifikohen, disa prej të cilëve edhe nuk e meritojnë të kualifikohen,” i tha Zërit të Amerikës, Ervis Zholi, veprimtar i Degës së Vatrës në Miçigan.

Image
Pamje nga protesta e shqiptarëve te Shtëpia e Bardhë

Besnik Xhama nga Nju Xhersi beson se miliarderi George Soros ka ndikuar për vendosjen e një të majte ekstreme në Shqipëri:

“George Sorosi duhet të largohet një orë e më parë nga politika shqiptare sepse ka ndikuar negativisht. Si biznesmen mund të jetë shumë i suksesshëm dhe i respektuar por në politikën shqiptare ka ndikuar shumë keq, sepse ka instaluar të majtën ekstreme.”

I pyetur se ku e shikon ndikimin e Sorosit, ai thotë:

“George Sorosi ka ndikuar në farsën e reformës në drejtësi dhe po instalon njerëzit e Edi Ramës në të gjitha pozicionet kyçe të reformës në drejtësi.”

Të ardhurit ishin kryesisht nga Bostoni, Nju Jorku, Nju Xhersi, Pensivania dhe Miçigani.

Image
Pamje nga protesta e shqiptarëve te Shtëpia e Bardhë

“Gjithë Shqipëria ndodhet në një kurth të tmerrshëm nga një mafie që e ka gllabëruar dhe po e vjedh përditë. Është e pamundur që ata të lëvizin. Prandaj kam ardhur t’i kërkoj ndihmë Presidentit Trump. Ai duhet të dërgojë gjykatës dhe prokurorë. Vetëm gjykatës dhe prokurorë amerikanë mund ta ndryshojnë atë vend,” thotë Viron Xhavara, banues në Filadelfia.

Protesta u zhvillua në sheshin përballë Shtëpisë së Bardhë, aty ku normalisht e diela është e mbushur me vizitorë.

Organizata panshqiptare Vatra i tha Zërit të Amerikës se nuk ka marrë pjesë në organizimin e protestës, por shprehu mbështetje për protestuesit, duke dërguar përfaqësuesit e saj. Agim Rexha, nënkryetar i Vatrës, kishte këtë lutje për Presidentin amerikan Donald Trump:

“Të shohë me vemendje çfarë bën Xhorxh Sorosi në Shqipëri. Të shpëtojë Shqipërinë nga ‘Rama Reform’ që po shkatërron drejtësinë shqiptare dhe që e ka lënë pa gjykatën kushtetuese, pa gjykatën e lartë dhe ngadalë pa gjykata.”

Muhamet Omari nga Nju Jorku, thotë se ka disa lutje në adresë së presidentit amerikan:

“Në radhë të parë kërkojmë vendosjen e një ambasadori i cili ta kuptojë politikën shqiptare. Kjo është shumë e rëndësishme sepse shumë të tjerë nuk e kanë kuptuar. Ka filluar një erdoganizëm në politikën shqiptare, duke filluar nga propaganda, nga filmat, nga ekonomia, nga zaptimi i bankave dhe i ushtrisë. E gjithë kjo në Shqipëri, po bëhet jashtë vemendjes së politikës amerikane.”

Protesta u zhvillua e qetë dhe zgjati rreth një orë, tha Zeri i Amerikes, që raportoi për protestën nga Shtëpia e Bardhë me gazetarin Ilir Ikonomi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat