“Asgjë nuk duhet t’i shpëtojë syrit e veshit të Diplomatit”

Amerika

“Asgjë nuk duhet t’i shpëtojë syrit e veshit të Diplomatit”

Beqir Sina - Bronx/New York Nga Beqir Sina - Bronx/New York Më 16 mars 2022 Në ora: 22:49
Pamje nga promovimi

Në sallën e madhe të Selisë së Federatës PanShqiptare Vatra” në Bronx-New York, me një pjesëmarrje të gjerë të miqve dhe adhuruesve të librit, nën drejtimin e moderatores Marjana Bulku,, u bë promovimi i librit “AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË”, shkruar nga ish diplomati i shquar z. Mal Berisha, që vjen pas shumë librave të tjerë shkruar prej tij ndër vite, të cilët u prezantuan në një video screen në fillim të promovimit.

Mikpritëse e kësaj veprimtarie kulturore ishte Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra ndërsa auditori përfshiu, vatranë, miq, shkrimtar e poet, gazetar, artistë, diplomatë e personalitete shqiptare në diasporë, drejtues shoqatash të komunitetit shqiptar në New York e më gjerë, të cilët nderuan me pjesëmarrjen e tyre promovimin e librit të anëtarit të Nderit të Vatrës, zotit Mal Berisha.

Promovimi nën drejtimin e gazetares Marjana Bulku, u ndoq nga kumtesat dhe mesazhet diplomatike, të folësve: Gazetarët dhe studiuesit e njohur Idriz Lamaj, Frank Shkreli, Dr. Paulin Marku, Dalip Greca.

Ky aktivitet u zhvillua e pjesëmarrjen e posaçme të Ministrit Shqiptar të Diasporës në Republikën e Maqedonisë së Veriut Dr. Xhemail Çupi, të Shoqatës Atdhetare Dibra(Dashnor Miftari), Shoqatës Kraja(Sami Kanaqi), Shoqata “Skenderbej” (Mark Qehaj), Batalioni Atlantiku(Qerim Gojçaj), Open Hands(Aleksandër Nilaj), Shkolla Shqipe e Bronxit, Shkolla Shqipe Children Of the Eagle (Drita Gjongecaj), Liga Shqiptaro-Amerikane (Agim Aliçkaj), e shumë pjesëtarë të organizatave e shoqatave shqiptare nderuan me pjesëmarrjen aktive në promovim duke treguar edhe një herë se Vatra është lokomotiva tërheqëse e krejt komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa, miq të veçantë të Ambasador Berishës në këtë promovim ishin edhe shkrimtari Orhan Sakiqi, piktori Bashkim Ahmeti – Izano dhe Pranvera Ahmeti.

Moderatorja, znj. Bulku, duke vënë në pah kontributin e zotit Berisha, si anëtar Nderi i Vartës, për tre dekada, foli për lidhjet e tij me lobin e parë dhe të vetëm shqiptar në SHBA, me ish kongresistin Joe DioGuardi, dhe Këshilltaren e Çështjeve Ballkanike, Shirli Kloyes DioGuardi, anëtarët e bordit , miqt e tij, duke e njehsuar diplomatin Berisha, me diasporën shqiptare në SHBA, kontributin e tij për çështjen tonë kombëtare, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Mal Berisha, një ambasador që punon shumë, takon miq, të zakonshëm, tw jashtëzakonshëm, hulumton historinë tonë nëpër anale alternative, bën kërkime mbi amerikanë që e deshën Shqipërinë në kohën kur ajo ishte në vetizolim dhe të gjitha këto i dokumenton dhe publikon në mënyrë dinjitoze si një trashëgimin historike dhe kulturore për brezat.

Libri “Ambasador i pushtetit të butë “ vjen në Vatër pas një serie promovimesh; në Tiranë , Durrës , Korçë, tregues ky i rëndësisë dhe efekteve ndikuese që kjo vepër ka në mjediset akademike, mediatike dhe pa dyshim edhe në ato diplomatike.

Pushteti i butë ambasadorial në kushtet e një realiteti kërcënues plot konflikte ndërkombëtare, kriza, pragluftë, e bën edhe më të domosdoshme këtë lloj diplomacie të butë pasi siç pohojnë manualet e shkencave politike fuqia e përqendruar në vlera dhe parime është ajo që prodhon nder e normalitet dhe jo frikë e terror siç ndodh kur fuqia shtyp dhe kërcënon liri.

Ky libër përcjell mjaft mesazhe qytetarie në një botë të trazuar ku çdo individ pavarësisht detyrave që ushtron mundet të jetë patriot që e do kombin, respekton bashkëkombësin dhe mbi të gjitha historinë e tij me çdo të vërtetë të bukur apo të hidhur .Autori na mëson se çdokush mundet të jetë “ambasador” i vendit të tij pavarësisht territoreve ku jeton apo funksioneve që ushtron.

Mbi rëndësinë e Vatrës dhe veprimtarinë e saj është shprehur një ndër armiqtë tanë Eleftherios Venizellos kur thotë: ”ishte Vatra ajo që na e hoqi nga dora Vorio Epirin”, tha Bulku.

Ndërkohë, vazhdojë ajo aksioma se “ asgjë nuk duhet ti shpëtojë syrit dhe veshit të një diplomati “ ka gjithashtu vlera universale përderisa jetojmë në kohët kur e vërteta dhe mashtrimi bashkëjetojnë me ne realiteti nuk duhet të na rrëshqasë nga duart.

“Përmes kujtesës dhe detajeve përshkruese autori ruan , akumulon dhe ndërton histori mbi akte dhe veprimtari që i shërbejnë kujtesës individuale por edhe asaj kolektive. Protagonistët e veprave të Mal Berishës janë shqiptarë që e duan Shqipërinë, ashtu siç në fakt janë të gjithë protagonistët e veprave të tij. Puna si diplomat jo vetëm që e lartësoi në të gjithë nivelet e tij, për ta përmbushur me sukses detyrën, por i dha dhe mundësinë që të shkruante edhe libra që trajtojnë probleme të diplomacisë siç ishte dhe ky libri i radhës “Ambasador i Pushtetit të Butë.” Një pjesë e këtij libri i kushtohet përpjekjeve të shqiptaro – amerikanëve për Çështjen tonë Kombëtare dhe në veçanti për çlirimin e Kosovës, tha Bulku.

Fjalën e hapjes në emër të kryetarit të Vatrës, Elmi Berisha( mungojë për arsye shëndetësore) e mbajti Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj, si mik i hershëm i autorit, i cili kujtoi njohjen me Ambasador Mal Berishën dhe kontributin e tij në dobi të çështjes së Kosovës dhe shërbimin që i ka bërë Mal Berisha, çështjes kombëtare e shtetit shqiptar me veprimtarinë e tij diplomatike e patriotike, për afro tre dekada së bashku me vatranët patriotët dhe demokratët në diasporë.

Gazetari Frank Shkreli në fjalën e tij deklaroi se Ambasadori Mal Berisha gjatë karrierës së tij diplomatike ka kontribuar me punë të mëdha dhe të vogla, por të vyera, duke përdorur “pushtetin e butë” dhe “gojën e ëmbël”, për të projektuar interesat e vendit që përfaqësonte në botën e huaj. Përdorimi i “pushtetit të butë” sipas z.Shkreli mund të ishte edhe e vetmja mënyrë për Ambasadorin Berisha dhe të tjerë si ai, për të shprehur talentet, energjinë dhe emocionet, në shërbim të Atdheut.

“Miku i ynë Ambasador Mal Berisha (ashtu si të gjithë ambasadorët kudo në botë) mund mos të ketë qenë fuqiplotë, siç thotë edhe Konica, por qëllon të ketë qenë i jashtëzakonshëm, si ushtrues i pushtetit të butë në shërbim të Atdheut të vet dhe si përfaqësues i denjë i diplomacisë kulturore të shqiptarëve” tha ndër të tjera në fjalën e tij Frank Shkreli.

Studiuesi Idriz Lamaj ndërsa, kumtesën e tij ai e “rezervojë” për në një botim të veçantë në gazetën Dielli, foli shkurtimisht për atë rëndësinë historike dhe shkencore që ka libri dhe mbi të gjitha ai u ndal në disa detaje të rolit të jashtëzakonshëm që ka pasur Mal Berisha si diplomat në dobi të çështjes së Kosovës dhe promovimit të vlerave kombëtare në shtet ku ka shërbyer.

Ish editori Diellit z.Dalip Greca deklaroi në fjalën e tij se libri “Ambasador i Pushtetit të Butë” i diplomatit par exellent Mal Berisha i kalon kufijtë e një ditari me shënimet dhe mbresat e një diplomati,ai është më shumë se kaq, është një libër për dashurinë dhe devocionin ndaj Kombit, është një libër për diplomacinë dhe miqësinë, për historinë, humanizmin, mbi të gjitha siç ka titullin është një libër për Diplomacinë kulturore ose Pushtetin e butë, një libër që të mëson se si t’i duash njerëzit dhe vendin tënd me përkushtim dhe si t’i kapërcesh situatat e vështira pa u kthyer mbrapsht.

Greca i cili tha se kishte “qarë” kur e kishte lexuar librin, e përshkroi atë me shumë emocione : “Në këtë libër voluminoz prej 537 faqesh, të organizuar në gjashtë kapituj-nga Kreu 1 tek 6-shti, shkruar me një stil origjinal që e dallon autorin se është vetja, një stil rrëfimtar, emocional, përmes të cilit ambasadori Berisha e mbanë lexuesin të mbërthyer pas ngjarjeve, shumë prej të cilave të japin tronditje të fortë emocionale” u shpreh ndër të tjera z.Greca.

Studiuesi Dr. Paulin Marku u shpreh në fjalën e tij se libri “Ambasador i pushtetit te bute” është një libër shumë i rëndësishëm dhe shërben edhe si një udhërrëfyes për diplomatet e rinj dhe të karrierës, gjithashtu edhe për studiuesit, albanologët, profesorët, politologët, gazetarët dhe më gjerë. Jemi mësuar të lexojmë, libra, ditare, shënime e dokumente diplomatike me autorësi kryesisht te huaj, ndërsa sot kemi në dorë një libër të një diplomati të lartë shqiptar.

“Në këtë libër autori është treguar i kujdesshëm dhe mjaft detajist qe te përshkruajë punën dhe rolin e një diplomati, qëndrimin dhe momentin e duhur se kur duhet te ndërhyje një diplomat për çështje te caktuara, qe cenojnë apo dëmtojnë imazhin e atdheut. Libri trajton një gamë të gjerë të aktiviteteve të shërbimit diplomatik që nga udhëtimi i tij drejt Stambollit, te aktiviteteve diplomatike, kulturore dhe artistike, ku një vend te rëndësishëm zënë përkushtimi ndaj atdheut dhe çështjes se Kosovës e deri ne largimin e tij si diplomat. z. Berisha nuk reshti se promovuari kulturën dhe artin shqiptar qe nga Turqia, Britania e Madhe e deri ne Amerike. Ambasador Berisha ishte jo vetëm promovues i vlerave kombëtare por dhe organizator i takimeve e shkëmbimeve me qëllim promovimin e interesat të kombit shqiptar” tha ndër të tjera studiuesi Dr. Paulin Marku.

Për të përshëndetur autorin e këtij libri, Diplomatin Mal Berisha, kishte zgjedhur vizitën në Selinë e Vatrës edhe Ministri Shqiptar i Diasporës në Republikën e Maqedonisë së Veriut Dr. Xhemail Çupi, i cili si studiuese dhe profesor i diplomacisë botërore, foli për rëndësinë shkencore të librit, rolin e diplomacisë në shuarjen e konflikteve dhe mbi të gjitha vlerësoi figurën e jashtëzakonshme të Ambasador Mal Berishës në Diplomacinë shqiptare.

Promovimi i librit “Ambasador i Pushtetit të Butë”, të diplomatit Mal Berisha, u mbyll me disa pyetje dhe diskutime. Mark Qehaja, e përshëndeti në emër të shoqatës që ai drejton, dhe shkrimtari Orhan Sakiqi, si koleg dhe mik i Berishes.

Ndërsa, Agim Aliçkaj, anëtar I Bordit të Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, solli përshëndetjen e ngrohët të Ligës Qytetare, dhe ri-kujtojë disa momente të rëndësishme ku del në pah kontributi i fuqishëm në komunitetin shqiptar për çështjen tonë kombëtare të udhehequra nga çifti i lobistve DioGuardi, Xhozef dhe Shirli DioGuardi me Ligën Qytetare.

“Asgjë nuk duhet ti shpëtojë syrit dhe veshit të diplomatit” – do të shkruante butësisht autori. Kjo moto do ta shoqëronte gjithë jetën në veprimtarinë e tij diplomatike, kudo punoi në Europë apo Amerikë.” konkludoi Ambasador Berisha.

Ai i kujtojë audiencës po ashtu se “ Pushtetin e butë, mund ta bëjnë edhe vendet e vogla, pa ushtri të madhe, pa fuqi të madhe ekonomike, pa sipërfaqe të mëdhe territoriale etj. Edhe pa këto ne si shqiptar i kemi dhuruar botës Papë, artistë dhe këngëtarë të mëdhenj, shenjtorë, heronj legjendarë etj.Ne jemi i vetmi vend pa konflikte civile dhe fetare, ne kemi në nivelin më të lartë mëshirën njerëzore. Ne nuk i shpallëm kurrë luftë të tjerëve, as nuk pushtuam apo zaptuam territore të vendeve të tjera.”

Ky do të ishte mesazhi dhe lajtmotivi i këtij libri u shpreh autori.

Ndërsa, e mbylli promovimin e librit të tij, “Ambasador i Pushtetit të Butë” në New York, pas ai e ka promovuar më parë në Durrës, Korçë dhe Shkodër, Ambasador Mal Berisha, zgjodhi të përshëndes me një poezi të tij të gjithë pjesëmarrësit në “Shtëpinë e Vatrës” në Bronx NY dhe ftojë audiencën në një fotografi “familjare” nga selia e Vatrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat