Federata Panshqiptare Vatra shënon 110 vjetorin e themelimit

Amerika

Federata Panshqiptare Vatra shënon 110 vjetorin e themelimit

Më: 13 qershor 2022 Në ora: 18:51
Elmi Berisha

Me rastin e 110 vjetorit të themelimit, Federata Panshqiptare Vatra organizoi një mbrëmje festive dhe një konferencë shkencore ndërkombëtare ku morën pjesë aktivistë shqiptaro-amerikanë dhe përfaqësues të lartë nga Shqipëria dhe Kosova. Veprimtarët e kësaj organizate, më e madhja e komunitetit shqiptar në SHBA, kujtuan kontributin ndër breza të kësaj organizate për çështjen shqiptare dhe u angazhuar se misioni i Vatrës nuk do të ndalet. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama.

Organizata më e madhe e shqiptarëve të Amerikës, Federata Panshqiptare Vatra, shënoi të dielën 110 vjetorin e themelimit. Pjesëmarrrësit në ceremoni kujtuan angazhimin mbi një shekullor të Vatrës për krijimin e shtetit shqiptar, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi.

Në ceremoninë e mbajtur në lagjen Bronks të Nju Jorkut, morën pjesë një numër i madh aktivistësh shqiptaro-amerikanë dhe përfaqësues të lartë politikë nga Shqipëria dhe Kosova.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve kryetari i kësaj organizate, Elmi Berisha, foli rreth motiveve që nxitën themelimin e Vatrës në vitin 1912.

“Vatra u formua për një arsye. Që shteti shqiptar të krijohet, të formohet në rrethanat që ishin në atë kohë. Por në vazhdimësi, asnjëherë nuk është ndalur duke e mbajtur gjallë, duke e mbrojtur nga fqinjët e këqinj dhe duke e mbrojtur nga e liga. Kjo vazhdoi për 100 vite me radhë, deri kur erdhi edhe gjëja finale të cilën të gjithë shqiptarët kudo në botë e kanë pritur, pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Ai tha se sot shqiptarët ndodhen në një pozitë shumë më të mirë krahasuar me atë të para 110 viteve, ndërsa shtoi se kontributi i organizatës Vatra në këto arritje është i padiskutueshëm.

“Jemi sot për të nderuar kontributin e brezave të tërë për çështjen shqiptare. Ju keni bërë që miqësia shqiptaro-amerikane të thellohet dhe keni qenë një faktor kyç që çështja shqiptare dhe keni bërë që çështja shqiptare të jetë në axhendën amerikane në këto 110 vite. Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën tonë për liri edhe atëhere kur ajo na dhunohej nga regjimi komunist. Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën për liri edhe atëhere kur bashkombasve tanë u dukej e pashpresë për shkak të genocidit mizor. Ju shqiptarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, keni bërë gjithçka që Amerika të mos i braktiste dhe të ishte në përkhrahjen tonë”, tha Presidenti Meta.

Presidenti Meta vlerësoi lart edhe ndihmën e shqiptaro-amerikanëve në çështjen e Kosovës. Me këtë rast ai dekoroi me titullin “Nderi i Kombit” ish-pjesëtarët e Batalionit Atlantiku, vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyqi për kontributin e tyre në luftën e Kosovës për liri e pavarësi. Presidenti Meta dekoroi edhe disa aktivistë të tjerë shqiptaro-amerikanë.

Ndëkohë kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama kërkoi ndihmën e Vatrës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan për të konsoliduar Kosovën si shtet.

“Ju lutem që Vatra së bashku me bashkombasit tanë, të na mundësojnë që flamurin e Kosovës ta bashkrendisim me flamujt tjerë në Kombet e Bashkuara. Kërkesa e dytë që Kosovën ta bëjmë anëtare të NATO-s. Ju lus të gjitha kompanive shqiptaro-amerikane që të na bashkohen në transformimin e kryeqytetit, në transformimin e Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare sepse tash nuk po kërkojmë lëmoshë. Ejani investoni, edhe ju fitoni, edhe shqiptaria fiton. Pra së bashku t’i ndërktojmë trojet tona shqiptare”.

Përveç programit të pasur kulturor gjatë mbrëmjes festive, në këtë përvjetor Federata Vatra organizoi edhe një konferencë shkencore ndërkombëtare, gjatë së cilës studiues të botës akademike shqiptare paraqitën kumtesa mbi rolin e organizatës Vatra në çështjen shqiptare.

Vatra është organizata më jetëgjatë e shqiptarëve të Amerikës, e cila vazhdon të botojë Gazetën Dielli, që është gazeta më e vjetër shqiptare./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat