Në prag të 50-vjetorit të themelimit të famullisë, “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Miçigan të shteteve të bashkuara -- kujtojmë Dom Prek Ndrevashaj

Amerika

Në prag të 50-vjetorit të themelimit të famullisë, “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Miçigan të shteteve të bashkuara -- kujtojmë Dom Prek Ndrevashaj

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 24 shtator 2022 Në ora: 15:31
Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield të shtetit Michigan

Në një njoftim paraprak për komunitetin shqiptaro-amerikan në Detroit dhe për publikun e gjërë, famullitari i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield afër Detroitit, në shtetin Miçigan, i përndershmi Dom Ndue Gjergji ka njoftuar para disa javësh se kjo famulli do të organizojë festimin e 50-Vjetorit të themelimi të kishës së tyre. Dom Ndue Gjergji e cilësoi kremtimin e Jubileut të 50-vjetorit të themelimit te saj,(me 8 dhe 9 tetor, 2022) si një gurthemel i punës, përpjekjeve dhe historisë së saj gjatë 50- dekadave të kaluara. Këto 50 vite kanë qenë vite sfidash të mëdha për famullinë tonë, është shprehur ai. Kemi pasur probleme, humbje njerëzore, aktivitete të shumta dhe arritje të mëdha, por falë ndihmës së Zotit tonë Jezu Krishtit, dhe ndihmës dhe kontributeve tuaja, famullia jonë ka ecur vetëm përpara dhe historia e saj në këtë 50-vjetor ka qenë e suksesshme”, ka thenë i përndershmi Dom Ndue Gjergji për famullinë e tij dhe për mbështetsit e bashkpuntorët e Kishës, Zoja Pajtore e Shqiptarëve, që ai drejton.

Duke iu referuar themeluesit të kësaj kishe 50-vite më parë, të ndjerit Dom Preke Ndrevashaj, Dom Ndue Gjergji në njoftimin e tij shprehet se, “E kemi kujtuar në çdo festë dhe në lutjet tona, edhe sot shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për themeluesin e kësaj famullie, të përndershmin Dom Prenk Ndrevashaj, emri i të cilit asht i gdhendun, përjetësisht, me shkronja të arta në historinë e kësaj Kishe, si dhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin Dom Prenkën. I kujtoj me respekt të gjithë atë brez kontribuesish që janë nda nga kjo jetë, si dhe jam mirënjohës për të gjithë ju anëtarë të mrekullueshëm të kësaj Famullie, që në ditë të mira dhe të vështira që kemi kaluar, më keni qendruar pranë, e që keni qenë energjia, shtysa, motivimi i punës time në këto 25 vite në drejtimin e kësaj Kishe”, ka shkruar Dom Gjergji në njoftimin paraprak të programit për kujtimin e 50-vjetorit të themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, përsa vijon e ku thuhet se:

“Festa jonë do të mbahet në ambientet e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës tonë me datat 8 dhe 9 Tetor 2022.

Festa konsiston në tri aktivitete madhore:

1-Simpoziumi shkencor mbi jetën e Famullisë së Kishës Zoja Pajtore, ditën e Shtunë, datë 8 Tetor,

2-Mesha Shenjte kushtuar këtij përvjetori, datë 9 Tetor,

3-Darka Festive Gala e këtij Jubileu, ditën e Diele, datë 9 Tetor.

Do të ketë edhe detaje të tjera për të ciat do të njoftoheni në ditët në vazhdim.

Do të jenë të ftuar personalitete të larta të Kishës, përfaqësues të shteteve tona shqiptare, përfaqësues të shtetit amerikan, si dhe figura të shquara të Diasporës shqiptare.

Ftoj Këshillin e Kishës dhe anëtarët e Famullisë që të punojmë të gjithë së bashku dhe të përgatitemi në mënyrë që ky Jubile, të jetë një festë e madhe, e gëzueshme dhe e paharruar për Famullinë tonë dhe komunitetin. Le të jetë ky përvjetor edhe një frymëzim për brezat më të ri për një jetë të gjatë, të suksesshme dhe nën dritën e Zotit të Famullisë tonë.

I juaji, Dom Ndue Gjergji”, përfundon njoftimi për publikun dhe median, në lidhje festimet e 50-vjetorit të kësaj kishe.

Një dokuemntar kushtuar themeluesit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Prekë Ndrevashaj dhe pasuesve të tij të denjë në Miçigan , USA Dokumentar, Dom Prek Ndrevashaj, Kisha Zoja Pajtore, Zef Pergea, Marash Mirashi - YouTube

Emri dhe vepra e Dom Prekë Ndrevashaj janë të njohura dhe të vlerësuara nga të gjithë ata shqiptarë që e kanë njohur, por sidomos në radhët e mijëra shqiptaro-amerikanëve, në jetën e të cilëve Dom Preka ka luajtur një rol kyç – përfshir autorin e këtyre rreshtave përkujtimor -- për fatin e tyre dhe të familjeve të tyre. Në një kohë kur shumë prej nesh kishim nbetur rrugëve të Italisë dhe nuk dinim kah t’ia mbanin. Ai u nëp mbrojtsi ynë në dhe të huaj. Ai u bë shpëtimtari ynë. Pa kujdesin e Dom Prekës, shumë prej nesh do të kishim mbaruar rrugëve të Evropës, pa asnjë përspektivë as udhëzim, të arratisur nga trojet tona shekullore prej murtajës së komunizmit. Pasi na ndihmoi të vinim në Amerikën e bekuar, ai këtu u bë për shumë prej nesh edhe frymëzimi për të përparuar, për të shkuar përpara, duke mos harruar kurrë se kush jemi, nga vimë dhe kah duhej të shkonim.

ky përkujtim – në këtë 50-vjetor të themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve – për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij komuniteti në Miçigan. E tashmja dhe e ardhmja janë në dorë të pasardhsit të Dom Prekës, Dom Ndue Gjergjit dhe famullisë së tij. E kaluara është e të ndjerit Dom Prekës. Prandaj, Dom Ndou me bashkpuntorët e tij po organizon këtë ceremoni, me plot kuptim fetar dhe kombëtar, por edhe për tu përulur me nderim e respekt para kujtimit dhe kontributit Dom Prekë Ndrevashaj, themeluesit të kësaj famullie.

Dom Prek Ndrevashaj, i cili u përket atyre burrave të Kombit, të cilët me besimin dhe me patriotizmin e tyre, dijtën të frymëzojnë breza të tërë shqiptarësh, drejtë së ardhmes. Të asaj të ardhme që është sot është Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve me Dom Ndue Gjergjin në krye. Kjo kishë kur udhëhiqej dikur nga Dom Prenk Ndrevashj e tashti nga Dom Ndou, i ka dhenë dhe i jep edhe sot këtij komuniteti, Kombit dhe Kishës katolike shqiptare, në përgjithësi, nam e za, si një prej qendrave më të njohura fetare e kombëtare, ndër shqiptarët.

Përvjetorët shënohen dhe shërbejnë si një kujtesë! Në 50-vjetorin e Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve kujtojmë themeluesin e saj, Dom Prekë Ndrevashaj -- jo vetëm si besimtar e kishtar, por edhe si atdhetar. Për tu përulur me respekt dhe nderim të madh para kujtimit të tij, që së bashku të shprehim me të gjithë ata që e kanë njohur Dom Prekë Ndrevashajn – njërin prej klerikëve më të shquar të Kishës Katolike shqiptare, jo vetëm në në diasporë, por edhe anë e mbanë trojeve tona.

Dom Prenk Ndrevashajn, një prej burrave më të njohur që i përket brezit të shqiptarëve, të cilët me besimin dhe me patriotizmin e tyre dijtën të frymëzojnë shqiptarët drejtë së ardhmes më të mirë. Një të ardhme më të mirë, më demokratike dhe më të lirë për shqiptarët, anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor, pore dhe në diasporë, përfshir sot Kishën Zoja Pajtore të Shqiptarëve me Dom Ndue Gjergjin në krye, në 50-vjetorin e themeliemit të saj. Kjo kishë kur udhëhiqej nga Dom Prenk Ndrevashaj e tashti nga Dom Ndou i ka dhenë dhe i jep edhe sot këtij komuniteti, Kombit dhe Kishës Katolike Shqiptare, në përgjithësi, shpresë e frymëzim për të ardhmen. I ofron shqiptarëve, jo vetëm besim në Zotin, por edhe gjuhë e kulturë, atdhetarizëm, nder e tradita. Kjo në traditën më të mirë të klerikëve shqiptarë, mbrenda dhe jashtë Atdheut, klerikë si Dom Prekë Ndrevashaj, Imam Vehbi Ismaili, Peshkop Fan Noli e Artur Liolini, Mons. Zef Oroshi e Baba Rexhepi, ndër shumë e shumë të tjerë përfaqsues të tre feve kryesore të shqiptarëve.

Pasi jemi në përvjetorin e kujtimit të Nanës tonë Shën Nenë Terezes – Ajo kujdesej për të gjithë të varfërit pa dallim. Ajo nuk pyeste – para se të kujdesej për dike – nëse ishte katolik, mysliman, ortodoks ose ateist, i pa fe. Është meritë e kësaj kishe – e themeluesit të saj Dom Prekë Ndrevashajt dhe e famullitarit aktual, Dom Ndue Gjergjit – që ndonëse Kisha Pajtore e Shqiptarëve -- në thelb dhe në temel -- është një qëndër e krishtër katolike – kjo ka qenë, është dhe jam i bindur se do të mbetet një qëndër ku përveç fjalës së Zotit predikohen me zemër e me shpirt ndjenjat e shqiptarizmës, bashkjetesën, harmoninë dhe vëllazërimin midis të gjithë shqiptarëve të Amerikës, pa dallim feje a krahine.

Më në fund, në këtë 50-vjetor të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve të themeluar nga Dom Prekë Ndrevashaj, i kam boxh, një falënderim të madh personal dhe mirënjohje të thellë mikut tim dhe mikut tonë të përbashkët, klerikut të madh të Kishës Katolike Shqiptare, Patriotit të shquar të idealeve për një Shqipëni me Zotin, të përparuar në qytetërimin perëndimor – besim ky që pasqyrohej gjithmonë në veprat dhe fjalët e tija -- Dom Prekë Ndrevashaj.

I kemi shumë borxhe Dom Prekë Ndrevashaj – mirënjohje për miqësinë dhe ndihmën e dhenë në kohën më të vështirë për mua personalisht dhe për shumë shqiptarë. Dom Preka më njoftoi me Ernest Koliqin, më njoftoi prej së largu me Prof. Martin Camaj, se ai në atë kohë nuk ishte në Romë por në Munich të Gjermanisë dhe me personalitete të tjera të shquara të emigracionit anti-komunist shqiptar të asaj kohe në Romë dhe në Shtetet e Bashkuara. Mbi të gjitha, Dom Preka me njoftoi me veprat e At Gjergj Fishtës, të cilat i ruaj edhe sot si kujtimin më të mirë prej tij -- dhe për të cilin deri atëherë nuk dijsha asgjë, përveç emrit të Fishtës që kisha dëgjuar në familje. Siç dihej, emri dhe veprat e Fishtës ishin të ndaluara jo vetëm në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, por edhe në ish-Jugosllavinë sllavo-komuniste të Titos. Shkurtë me i ra bisedës, Dom Preka ishte njeriu i parë – që me njerëzit që më njoftoi, me librat (e ndaluara nga komunizmi) që më dhuroi dhe me këshillat e porositë që më jepte, më hapi sytë, mendjen dhe zemrën ndaj një bote tjetër, ndajë fjalës së lirë, lirisë në përgjithsi dhe demkrkacisë perëndimore, krejt ndryshe nga bota komuniste ku kisha lindur e rritur deri në atë moshë.

Urimet e mia më të përzemërta Dom Ndue Gjergjit dhe bashkpuntorëve të tij të ngushtë për nismën për të festuar 50-vjetorin e kishës dhe për të kujtuar themeluesin e Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Prenk Ndrevashaj. Sepse, ju, jo vetëm po kujtoni të shkuarën, por njëkohësisht, ju edhe po ndertoni te ardhmen. 50-vjetori i themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve – është një përvjetor i art – golden aninnversay – që ven në dukje trashëgiminë e lenë pas nga Dom Prekë Ndrevashaj, por që shënon edhe arrijtjet dhe sukseset e udhëheqsit aktual të kësaj kishe Dom Ndue Gjergjit dhe antarëve të famullisë, në përgjithësi. Urimet e mia më të përzemërta për këtë jubile historik. Uroj që të vazhdoni lumnisht si deri tashti në veprimtarinë tuaj fetare dhe atdhetare – si përherë, në dobi të Kishës dhe të Kombit.

Unë kam nderin dhe privilegjin të jem ftuar në këtë ceremoni me 8 dhe 9 tetor, port ani për tani po dërgoj edhe me nal të këtij shkrimi edhe njëherë, urimet e mia Dom Ndue Gjergjit dhe famullisë, që kështu po kujtoni e përjetoni trashëgiminë e mikut tonë të përbashkët – mikut të shumë shqiptarëve, pa dallim feje a krahine, Dom Prekë Ndrevashajt. Sepse kështu nderoni veten dhe trashëgiminë e Dom Prekës me të cilën pasurohet shpirti i kësaj famullie e i këtij komuniteti dhe njëkohësisht rritet bujaria dhe begatohet edhe shpirti i kombit.

Bekimet e të Madhit Zot, sot dhe përgjithmonë! Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin Shqiptar, ndër shekuj!

Image
Autori me Dom Prekë Ndrevashaj dhe Dr. Elez Biberaj -- gjithashtu mik i Dom Prekës -- duke dalur nga ndërtesa e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, 1985. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!
Image
Në zyrën e Dom Prekës në Romë, (njëkohësisht edhe strehimi im si refugjat në Romë, 1970) -- Dom Gjeto Radi me lahutë, Dom Preka me fyell dhe autori me çifteli, (me Dom Gjeto Radin),
Image
Dom Prekë ndrevashaj me mikun dhe bashkvendasin e tij dukagjinas., Prof. Dr. Martin Camaj, viti 1970
Image
Nga e djathta, Imam Vehbi ismajli, Dom Jak Gardini, Dom Prekë Ndrevashaj dhe Padër Andre Nargaj
Image
Libri

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat