Në Kujtim të Hal Banks, Ish-Drejtor i Zërit të Amerikës në New York

Amerika

Në Kujtim të Hal Banks, Ish-Drejtor i Zërit të Amerikës në New York

Nga: Gjeke Gjonlekaj / New York Më: 19 mars 2025 Në ora: 16:31
Foto ilustrim

Fundjavën e kaluar vdiq në New York në moshën 95-vjeçare Hal Hobson Banks. Ky kolos i gazetarisë amerikane kishte shërbyer për një kohë të gjatë si drejtor i Zërit të Amerikës në New York, ku VOA kishte filluar për herë të parë transmetimet në vitin 1942, bile edhe në gjuhën shqipe. Washingtoni ishte zyra më e madhe e këtij radio-emisioni ndërkombëtar me famë botërore. Është kjo një koincidencë e dhimbshme, ngase pikërisht në fundjavën e kaluar pushoi së ekzistuari edhe Zëri i Amerikës, që disa gazeta e cilësuan si fundjavën e përgjakshme të VOA. Ky akt tronditës u bë me urdhërin ekzekutiv të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Me Hal Banks u njoha për herë të parë në fillim të vitit 1987, kur pas disa vjetësh shërbimi në Washington, fillova punën në 26 Federal Plaza në katin 30, ku ishte zyra kryesore për gjithë rajonin verilindor të Shteteve të Bashkuara. Në zyrën e Zërit të New Yorkut punonin shumë gazetarë amerikanë, por edhe një numër i dukshëm gazetarësh në gjuhë të huaja, ku puna jonë ishte shumë e lidhur me zyrat e gjuhëve të huaja në Washington. Hal Banks kishte punuar edhe në Bashkimin Sovjetik, kryesisht në Moskë, ku kishte takuar dhe intervistuar disa personalitete të larta të shoqërisë komuniste sovjetike, por edhe diplomatë të huaj që shërbenin në kryeqytetin sovjetik. Zoti Banks ruante kujtime të jashtëzakonshme për ish-ambasadorin Averell Harriman dhe specialistin e çështjeve sovjetike George Kennan. Hal Banks për një kohë të gjatë punoi në Washington, bile edhe korrespondent pranë Shtëpisë së Bardhë.

Ai kishte një zë radiofonik shumë të fuqishëm, bile të gjitha emisionet në hapje dhe në mbyllje përdornin zërin e tij të mrekullueshëm. Natyrisht, ato bëheshin në anglisht. Edhe korrespondentët në Kombet e Bashkuara ishin pjesë e VOA në New York. Nga përvoja për më shumë se katër dekada, Hal Banks kishte përvojë të madhe në administrimin e punëve të përditshme. Ai i kuptonte shumë mirë problemet etnike të Ballkanit. Në këtë zyrë punonte edhe korrespondenti për gjuhën sërbo-kroate. Nuk e them për urrejtje, por për të vërtetën e Zotit se Mr. Boshkoviqi, siç e quanim të gjithë, ishte mendjemadh (prepotent) dhe arrogant. Ishte anti-shqiptar i lindur. Bile e vinte në dyshim edhe përkatësinë kombëtare të Nënës Tereze. Në një rast, e kishte pyetur Hal Banks për origjinën e saj, por zoti Banks ishte përgjigjur në mënyrë sarkastike, duke i thënë këtij sërbi shovinist: “Kujdes kur flet ashtu, se mund të dëgjojë zoti Gjonlekaj.” Për faktin se z. Boshkoviq kishte punuar për televizionin jugosllav në Beograd, atje kishte mësuar të gjitha të zezat për shqiptarët. Kurdo gjente shkrime në shtypin amerikan kundër shqiptarëve, i fuste në adresën time për qëllime të mbrapshta.

Ai nuk kishte respekt as për gazetarët amerikanë. Kishte frikë nga autoriteti dhe vendosmëria e Hal Banks, përndryshe do të krijonte ngatërresa e skandale të mëdha. Situata të këtilla, ndoshta edhe më të vështira, kanë kaluar edhe shqiptarët e VOA në Washington. Ministria e Jashtme e Jugosllavisë ankohej natë e ditë në Departamentin e Shtetit se në VOA në gjuhën shqipe punonin disa irredentistë që donin shkatërrimin e Jugosllavisë. Këtu pësuan më së shumti ata që e drejtonin Seksionin Shqiptar.

Gjatë viteve kur punova në New York, brenda mundësive të mia, bëra përpjekje për të dhënë kontributin tim për këtë institucion që e desha aq shumë. Në realizimin e projekteve të mia më ndihmuan shumë Hal Banks dhe Elez Biberaj. Ata gjithmonë i merrnin parasysh kërkesat e mia, bile në atë kohë Dr. Biberaj kishte themeluar: “Rubrikën Shqiptarët e Amerikës.” Unë punova shumë për këtë rubrikë, duke vizituar shqiptaro-amerikanët nga New Yorku e deri në San Francisko të Kalifornisë. Për lidhjet e mia me shqiptarët e këtij vendi ka merita të mëdha Hal Banks, sepse më inkurajonte për të marrë pjesë si gazetar i VOA kudo që kishte aktivitete shqiptare. Ai më kishte falur për gabimin që në vitin 1989 kisha bërë duke folur nga telefoni i VOA me Dr. Ibrahim Rugovën. Kisha folur dhjetëra herë, por nuk kishte asnjë lloj arsytimi për ato lidhje pothuajse të përditshme. Zoti Banks më tha: “Kam për ta falur këtë gabim, por mos thirr më.” Kurdo vinin shqiptarët për vizita të ndryshme në New York, ai i ftonte për biseda shoqërore dhe për intervista edhe me gazetarë amerikanë. Kështu veproi me Adem Demaçin. E priti te dera e VOA, duke i thënë: “Ku je, Zoti Demaçi? Të pres tash 30 vjet me të pa dhe me të përshëndetur” dhe vazhdoi duke thënë: “Jam shumë i lumtur që po të shoh të gjallë e të lirë.”

Kush e kishte paramenduar se do të shihem pas pothuajse 30 vjetësh burgim? Me këtë rast, zoti Demaci u intervistua në studion e madhe të VOA nga 5 gazetarë amerikanë dhe të huaj. Kështu kishte vepruar edhe me Pjetër Arbnorin dhe shumë shqiptarë të tjerë. Asnjëherë në jetë nuk më tha ndonjë fjalë të keqe. Çdo të hënë mbanim mbledhjen e javës dhe më pyeste mua: "Çka kemi nga bota shqiptare?" E kujtoj me shumë respekt këtë burrë amerikan, që për mendimin tim ishte burrështeti, fisnik dhe profesionist i përkryer. Lusim Zotin t'i japë paqe e dritë në përjetësi. Për ilustrim, po ribotoj letrën që e shkroi për largimin tim nga VOA në gusht 1992. Nga dhimbja që përjetova për mbylljen e VOA javën e kaluar, e kujtoj edhe më shumë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat