Çdo e keqe që i kanoset Kosovës, sot vjen nga veriu i Kosovës, Beogradi, dhe krerët e Kishës Ortodokse Serbe, në Serbi.
Çka edhe vet Kurti, foli para disa ditësh për takimin Porfirije-Putin: duke thënë (tërhequr vëmendjen Brukselit dhe Washingtonit) për atë partneritet strategjik, që e vë rajonin në një rrezik serioz, sepse, sa herë që përzihen krerët e Kishës Ortodokse Serbe, në politikë (diplomacinë fetare) kanë qenë kobndjelllëse të luftës....
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi mes kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, nuk ishte një diplomaci fetare, “por një partneritet strategjik i regjimeve autoritare që vë rajonin në rrezik serioz”.
Kurti e cilësoi takimin e zhvilluar në Kremlin më 22 prill si “shqetësues” dhe tha se Kisha Ortodokse Serbe për një kohë të gjatë ka luajtur rol aktiv politik.
Gjatë luftës në Kosovë, (24 mars -12 qershor 1999) krerët e Kishës Ortodokse Serbe dhe qeveria jugosllave, ishin duke bërë një akuzë të rëndë: "Ata pretendonin gjatë luftës në Kosovë, se NATO-ja ishte duke bombarduar manastiret e mëdha ortodokse serbe, që datojnë në mbretëritë serbe të mesjetës".
Ueb-sajti i Institutit të qeverisë së Beogradit për mbrojtjen e monumenteve të kulturës të Serbisë, madje tregoi edhe fotografi manastiresh gjysme të dëmtuara nga goditjet ajrore të NATO-s, duke përfshirë edhe dy hapësira të zeza me fjalën "të shkatërruara" që shkruhej në to në mënyrë kobndjellëse.
Faqja e internetit e Kishës Ortodokse Serbe, e titulluar "Bombardimi i vendeve të shenjta serbe" ishte edhe më provokuese, do të shkruante Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit në atë kohë. Në atë faqe tregohej një hartë me faltoret më të mëdha serbe në Kosovë, me ikona që mbuloheshin me shpërthime bombash në secilën prej tyre, sikur bombat e NATO-s të kenë rënë drejt e mbi to."
Rëndësia fetare dhe historike e manastireve në Kosovë -- një zonë që disa e quajnë "Jeruzalemi Serb" -- bën që pretendime të tilla të kenë një efekt të madh, veçanërisht në vendet me popullsi të mëdha të krishtere ortodokse. Kështu që kërcënimet ndaj qendrave të shenjta simbolizojnë kërcënimet ndaj popujve që i vlerësojnë ato.
Studimi, Majkëll Sellz, profesor i feve krahasuese në Kolegjin Haverford, Pensilvani, për Departamentin e Shtetit dhe Pentagonin, theksonte, se: megjithatë, në këto faqe të internetit nuk jepej asnjë provë për të përligjur etiketimet "të shkatërruara" apo titullin "Bombardimi i vendeve të shenjta serbe". Faqet e ubsajtit Kisha Ortodokse Serbe, paraqesnin fotografi të monumenteve përpara shkatërrimit të supozuar, por asnjë pamje të dëmtimeve që ata pretendonin se janë shkaktuar nga NATO-ja, tregonte studimi i Sellz, i cili shtonte se me përjashtim të figurave me të çara muresh, që mund të jenë shkaktuar nga çdo gjë!!!. Madje, studimi potenconte se autoritetet serbe nuk kishin ngurruar të tregojnë detaje grafike të shkatërrimeve civile të shkaktuara nga bombat e NATO-s të rëna gabimisht. Vetëm e vetëm për të treguar sikur NATO-ja të kishte bombarduar manastiret, dhe pamjet e rrënojave të ishin transmetuar në të gjithë botën.
Këto akuza, profesori amerikan në studimin e tij i kishte quajtur të të reja kundër NATO-s, dhe ishin bërë nga diplomacia fetare - prej Kishës Ortodokse Serbe qëllimisht të ngjashme me akuzat e nacionalistëve serbë të vitit 1986, kur ata thonin se shqiptarët e Kosovës, po shkatërronin manastiret, tregonte studimi i Majkëll Sellz - profesorit të Feve krahasuese në Kolegjin Haverford, Pensilvani.
"Kjo akuzë gërshetohet me pretendime të tjera zjarrvënëse se shqiptarët kosovarë na qenkan emigrantë të paligjshëm që duhen dëbuar; se shqiptarët përdorkan natalitetitn si mjet për të kryer një "gjenocid demografik" kundër pakicës serbe të Kosovës; dhe se na paskan kryer përdhunime të grave serbe në masë" jepte pikasmën në atëbotë studimi i Majkëll Sellz - profesorit të Feve krahasuese në Kolegjin Haverford, Pensilvani, duke shtuar se : " Më 1986, peshkopët ortodoksë serbë i përsëritën këto akuza duke pretenduar se kundër serbëve të Kosovës, po kryhej një genocid. Të njëjtat akuza u përsëritën në të famshmin "Memorandum" të shkruar nga disa intelektualë serbë që sulmonin kushtetutën jugosllave dhe autonominë e Kosovës. Dhe, po në këtë mjedis të nxehtë, Slobodan Milosheviçi, "kërceu hop" e në pushtet duke premtuar se do të mbronte popullin serb dhe vendet e tij të shenjta nga armiqtë e tij.- përfshirë Kosovën".
Cila ishte e vërteta e këtyre akuzave frikësuese?
E ka sqaruar më së mirë në atë periudhë lufte për qeverinë amerikane studimi i profesorit amerikan Majkëll Sellz, i cili thoshte:
Në Kosovë, qoftë nga shqiptarët, qoftë nga serbët, kanë ekzistuar fërkime e pakënaqësi reale dhe të dy grupet e kanë ndier veten të kërcënuara. Por gazetarët e pavarur serbë dhe punonjësit e të drejtave të njeriut kanë konstatuar se akuzat më zjarrvënëse kanë qenë kryekëput sajime. Nga studimi i fakteve të policisë në Kosovë, rezultonte se në një vit të tërë kishte ndodhur vetëm një përdhunim i një serbeje etnike nga një shqiptar. Po ashtu, gjoja shkatërrimi i altareve serbe doli se në të vërtetë kishte të bënte vetëm me raste të izoluara vandalizmi, me shkrime të pahijshme në mure apo me prerje pemësh në oborrin e kishës -- gjë që kishte të bëjë ndofta me krime të diktuara nga urrejtja, po kurrsesi me një asgjësim të organizuar genocidal të pretenduar.
Studimi thotë se akuza se shqiptarët na paskan praktikuar qëllimisht shkatërrimin e trashëgiminë fetare serbe, pavarësisht nga provat fakton për të kundërtën. Kjo akuzë është mishëruar në një histori të mitologjizuar, në të cilën turqit otomanë dhe muslimanët ballkanas autoktonë paraqiten si të dalldisur nga dëshira për të çrrënjosur si serbët, edhe qendrat e shenjta serbe.Nacionalistët serbë e përsërisin pareshtur këtë akuzë, pavarësisht nga mbijetesa e kësaj trashëgimie të mrekullueshme gjatë pesë shekujve të sundimit otoman mu në mes të fqinjëve shqiptarë dhe pavarësisht nga dëshmitë otomane që vërtetojnë mbështetjen e patriarkatit ortodoks serb dhe autorizimin e tij për të ndërtuar e riparuar kishat serbe, shkruante Sellz.
Ai më tej kishte thënë se për të kuptuar të gjithë potencialin e akuzave për shkatërrimin e manastireve, duhet të vëmë në dukje edhe simbolet e tjera që u bashkangjiten këtyre manastireve. Princi serb mesjetar, Llazari, është portretizuar si figura e Krishtit dhe vdekja e tij në betejën e Kosovës më 1389 është paraqitur si "Golgota e Serbisë". Nacionalistët serbë kanë filluar të akuzojnë për këtë muslimanët e Ballkanit, se i kanë duart të lyera me gjakun e princit-Krisht Llazar. Në të njëjtën kohë, eshtrat e serbëve të vrarë nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre ustashë gjatë Luftës II Botërore, ç'varroseshin ritualisht nën trumbetimin e propagandës nacionaliste që i demonizonte të gjithë shqiptarët, muslimanët sllavë dhe kroatët si gjenocidistë të lindur. Koha mitologjike (1389), kujtesa historike (Lufta II Botërore) dhe akuzat e rreme për gjenocidin bashkëkohor shqiptar u janë bashkangjitur simbolikisht këtyre manastireve.
Po ashtu në këtë studim thuhej se : Në 28 qershorin lapidar të vitit 1989, në 600-vjetorin e betejës së Kosovës, reliket e Llazarit u brodhën solemnisht nga një manastir në tjetrin, derisa mbërritën në manasatirin e Graçanicës (një nga vakëfet që edhe sot pretendohet se kanë qenë në shënjestër të sulmeve të NATO-s). Një turmë e pafund vështronte zbulimin e relikeve në manastir për të shkuar pastaj pranë fushës së betejës. Atje, një turmë akoma më e madhe prej një milion serbësh, dëgjoi fjalimin luftënxitës të Millosheviçit, që vuloste planin e tij për të anuluar autonominë e Kosovës. Simbolet e demontuara me kujdes dhe të ekspozuara me një forcë të tillë ritualiste e teatrale u instrumentalizuan më pas në spastrimin e radhëve të ushtrisë jugosllave, në mbrojtjen e grupeve ekstremiste paraushtarake nga qeveria dhe në propagandën e mediave
Sipas këtij studimi në vorbullën e një psikologjie frike e tërbimi masiv, shoqëria serbe u radikalizua. Personi më popullor serb në atëbotë ishte krimineli i akuzuar për krime lufte, Arkani, dhe politikani serb më popullor është Vojislav Shesheli, një mbrojtës i hapur i asgjësimit të shqiptarëve kosovarë dhe i të gjithë muslimanëve të Ballkanit. Dhuna e konceptuar për Kosovën fillimisht u materializua në konfliktet në Kroaci e Bosnje.
"Në të gjithë këtë histori për manastiret, ne priremi të harrojmë se edhe bashkësia shqiptare ka qendrat e veta muslimane e katolike. Qendrat muslimane përfshijnë xhamitë, medresetë (shkollat fetare, shpesh të pajisura me biblioteka dorëshkrimesh), teqetë (vakëfe dervishësh), tyrbetë (mauzoleume, shpesh qendra pelegrinazhi) hamamet (komplekse banjash për burra e gra) dhe pazaret (shpesh të ndërtuara pranë ndonjë xhamie për të nxitur kontributet e përshpirtshme), dhe Kishat Katolike. Shumë prej tyre datojnë qysh në në shekullin e, e 10-të, 12-të, 13-të, 14-të, 15-të e të 16-të. Refugjatët kosovarë të intervistuar në kufi shpesh thoshte studimi sjellin njoftime që përputhen me njoftime të tjera se kanë parë me sytë e tyre se si u ishin shkatërruar xhamit dhe vakëfet. Në rastin e Bosnjes, dëshmi të tilla dolën se ishin tmerrësisht të vërteta."
Regjimi i Beogradit ngulte gjithmonë këmbë se forcat serbe duhet të qëndrojnë në Kosovë, për të mbrojtur manastiret.
Por, ja që Manastiret serbe mbijetuan gjatë pesë shekujve pa ushtrinë e Milosheviçit dhe forcat e policisë speciale. Në Kosovë, popujt joserbë dhe monumentet nuk kanë parë asnjë të mirë, edhe pse nën "mbrojtjen e monumenteve" nga regjimi i Beogradit. Që nga viti 1986, nacionalistët serbë e kanë manipuluar shqetësimin për vendet e shenjta për të motivuar, përligjur e zbatuar "spastrimin etnik" dhe asgjësimin e monumenteve artistike e fetare joserbe shekullore(pra ato të shqiptarve). Duke shfrytëzuar manastiret serbe dhe trashëgiminë serbe, ata kanë synuar të nxitin urrejtjen e dhunën, kanë shpërshenjtëruar një trashëgimi serbe të madhe që përkundrazi meritonte vlerësime, tregonte studimi Majkëll Sellz, profesor i feve krahasuese në Kolegjin Haverford, Pensilvani.