Konsullata e Kosovës në Nju Jork, lançohet libri "Bekime dhe Mallkime” 

Amerika

Konsullata e Kosovës në Nju Jork, lançohet libri "Bekime dhe Mallkime” 

Nga: Beqir Sina Më: 22 maj 2025 Në ora: 06:51
Foto nga vendi i ngjarjes

MANHATTAN NY: Mbrëmë në Konsullaten e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, në kujdesin personal të Ambasador Blerim Reka, u përurua libri i dytë i artistes nga Kosova Vlora Nikçi, Bekime dhe Mallkime (“Bekime dhe Mallkime”), një vepër e re letrare, kjo, që vjen pas botimit të saj të parë, Kangë Popullore Erotike (“Këngë Popullore Erotike”).

Ky event i organizuar nga Konsullata e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, u zhvillua në kuadër të aktivitetve të diplomacisë kulturore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një njoftim për shtyp nga ky aktivitet thuhet se  kjo  veprimtari ka qenë i veçantë kulturore i shndërruar në një festë të trashëgimisë gojore dhe krenarisë kombëtare. 

Ambasadori Blerim Reka, nikoqir i këtij organizimi, i uroi autores suksese me urimin plot dashuri e domethënie:

“T’u shtofshin librat!”

Vlora Nikçi, e njohur për karrierën e saj si aktore profesioniste e Kosovës dhe krijuese e përkushtuar në fushën e trashëgimisë kulturore, prej më shumë se 20 vitesh ndan artin dhe jetën e saj mes Kosovës dhe Amerikës. Ajo është një prej ambasadorëve më të mirë të artit dhe kulturës sonë në botë, thotë njoftimi, raporton Bota sot.

Për librin “Bekime dhe Mallkime”, Vlora, thuhet në njoftim e nisi punën e saj që nga viti 2021–2022, duke udhëtuar dhe mbledhur material gojor në Bjeshkët e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.  Në ndërkohë, që projekti i saj thuhet se nisi nën udhëzimin e profesorit të ndjerë, Prof. Dr. Sadri Fetiu, dhe është një dëshmi e gjallë e përkushtimit të saj për ruajtjen e identitetit kulturor.

“Duke qenë se jemi shqiptarë – një popull që padrejtësisht u çlirua vonë – neve na kërkohet të bëjmë më shumë sesa thjesht të ushtrojmë një profesion,” thekson autorja e librit  "Bekime dhe Mallkime” , duke shtuar se "Në rrethana të tilla, profesioni nuk mjafton të jetë vetëm një zanat. Ai bëhet mision. Ai bëhet formë rezistence, kujtese dhe ndërtimi identiteti.”

Të dalësh përtej profesionit, për Vlorën, do të thotë të marrësh mbi supe një barrë që historia ta ka dhënë – jo vetëm për veten tënde, por edhe për ata që nuk patën zërin, hapësirën apo mundësinë të flasin, të krijojnë, të veprojnë.

Në këtë dritë, artisti nuk është vetëm krijues, por edhe mbrojtësi gjuhës, kujtesës dhe shpirtit të një populli. Dhe kur kjo përgjegjësi përqafohet me dashuri, lind ajo që quhet art i vërtetë dhe i domosdoshëm.

Për librin e parë “Kange popullore erotike” shtysa siç ka pohuar ajo vet  ishte ndrojtja e kolegeve aktore për skena erotike. Andaj ajo kështu nisi të hulumtoj për ta çmitizuar erotikën nëpërmjet poezive dhe kengeve popullore.” .

Po ashtu në këtë aktivitet të zhvilluar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, aktorja e njohur Vlora Nikçi, e cila e ka ndarë jetën mes Prishtinës dhe Nju Jorkut  ka shprehur mirënjohje të veçantë për këshilltarët dhe ekspertët që e kanë mbështetur, si Dr. Shaban Sinani, Profesor i cili eshte edhe recenzent i librit. Rexhep Qosja per keshillat e tij te vyera, dhe Prof. Isuf Dedushaj. 

Më tej shkrimtarja që po lëvron në letërsin shqiptare me guxim dhe me sukses në zhanrin e  "Artit revolucionar", duke thyer Tabu, solli për ilustrim shprehjen e thellë popullore “qofsh pjella e dreqit”, të mbledhur në Malësi, “atje ku ata që quhen ‘malokë’, janë pasardhësit e atyre që bënë paqe me shkëmbin dhe e kthyen qiellin në çati.Janë jo vetëm rojtarë të kufijve, por të vetë kujtesës sonë.” 

Z. Ed Hammel, përfaqësues i Kosova American Education Fund në Nju Jork, një mik i vyer i dy artistve nga Kosova pjesëmarrës në këtë veprimtari ka vlerësuar thellësisht kontributin e autores, duke theksuar:

“Lidhja me të kaluarën dhe të kuptuarit e vazhdimësisë kulturore e bën Vlorën të aftë ta transmetojë këtë përmes artit të saj skenik.”

Aktiviteti gjithmon sipas njoftimit u pasurua edhe me interpretim ne klarinete nga Ylli Zhaveli, me pjesë nga kompozitori Thoma Simaku, ndërsa moderatorja Doruntina Dushi ftoi pjesëmarrësit të bashkëbisedojnë me autoren.

Në këtë event, autorja e librit Vlora Nikçi,  nënshkroi libra dhe falënderoi me përzemërsi çdo të pranishëm për interesimin dhe përkrahjen.

Nga libri më pas u kalua në ekran me një video projekt teper ambicioz të saj  të titulluar : “Ëndrra Amerikane”:

Siç dihet krahas punës me librin, Vlora Nikçi është aktualisht në proces të xhirimit të serialit televiziv “Ëndrra Amerikane”, një projekt që ka bashkuar artistë shqiptarë të njohur ndërkombëtarisht nga të gjitha fushat e artit. Ku thuhet se ajo është e bindur se:

“Aktori duhet të jetë autentik në skenë, dhe për të qenë i tillë, duhet të jetë vetvetja. Për ta njohur vetveten, të ndihmon shumë trashëgimia kulturore.”

Për Vlorën, ata që e njohin thonë se kjo fushë nuk është vetëm një objekt kërkimi, por edhe një pjesë përbërëse e identitetit dhe krijimtarisë së saj artistike.

Mes Kosovës dhe Amerikës, me rrënjë dhe krahë

Kështu që portreti i plotë i saj është që së bashku me bashkëshortin e saj, aktorin mirenjohur Armend Baloku, dhe djalin e tyre, Ene, Vlora ata jetojn dhe veprojn mes Prishtinës dhe Nju Jorkut, duke ndërtuar ura kulturore dhe shpirtërore midis dy vendeve tona.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat