Megjithëse jetojnë matanë oqeanit, gjaku i tyre rrjedh shqip, dhe organizimet që ruajnë traditat kurrë nuk mungojnë. Kësaj here, malësorët bujarë dhe të kulturuar – ata që një copëz toke Kelmendi e kanë krijuar edhe në Amerikë – kanë menduar që në organizimin e radhës të ftojnë një kampion të skuadrës kuqezi.

Bëhet fjalë për futbollistin Mario Mitaj.
“Sofra e Kelmendit” në New York ka disa organizatorë, dhe njëri prej tyre është artisti Pllumb Nacaj. Mësojmë se ai është familjar i Marios, pasi babai i futbollistit dhe këngëtari janë kushërinj të parë.

Kujtojmë se Mario Mitaj është shpallur kampion në Ligën e Arabisë Saudite dhe ka fituar edhe Kupën e Mbretit. Për shkak të angazhimeve dhe kufizimeve në lëvizje – përfshirë edhe ndeshjet e Botërorit me Kombëtaren shqiptare – ai nuk ka pasur mundësi të vizitojë më herët komunitetin. Por menjëherë pas ndeshjes me Serbinë, ai ka zgjedhur të takojë vëllezërit e tij kelmendas në Amerikë.
Ky event, me praninë e kampionit që do të pritet nga shqiptarët atje, do të mbahet më 12 qershor.