Të enjten, më 11 shtator 2025, bota shënon 24-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, një ditë që ndryshoi përgjithmonë jetët tona.
Në New York, Memoriali dhe Muzeu Kombëtar i 11 Shtatorit do të udhëheqë ceremoninë vjetore përkujtimore në Memorial Plaza, duke nisur nga ora 8:40 e mëngjesit, ku familjarët do të lexojnë emrat e 2,983 viktimave të sulmeve në Qendrën Botërore të Tregtisë, Pentagon dhe Fluturimin 93, si dhe atyre të sulmit me bombë të 1993-shit.
Ceremonia, përfshin gjashtë momente heshtjeje për të shënuar goditjet dhe shembjen e Kullave Binjake, sulmin në Pentagon dhe rrëzimin e Fluturimit 93.
Në të njëjtën ditë, Kisha Katolike Zoja e Shkodrës në Bronx, një qendër shpirtërore për komunitetin shqiptaro-amerikan, do të mbajë një meshë përkujtimore në mesditë, të drejtuar nga meshtari Pjetër Popaj.
Kjo meshë nderon të gjithë të rënët, me një kujtim të veçantë për tre shqiptaro-amerikanë: Simon Dedvukaj, Rrok Camaj dhe Mon Gjonbalaj, të cilët humbën jetën në Qendrën Botërore të Tregtisë.
“Sot shënohen 24 vjet nga dita që ndryshoi botën tonë,” shkruan kisha në një postim. “Sulmet morën mbi 2,983 jetë, secila me një histori dashurie dhe besimi që tejkalon dallimet e sfondit, besimit apo kombësisë.”
Mesha në Kishën Zoja e Shkodrës ofron një hapësirë për komunitetin shqiptar për të ngritur në lutje familjet e viktimave dhe për të kërkuar paqe e shërim global, duke reflektuar.
Simon Dedvukaj (26 vjeç): Përgjegjës i mirëmbajtjes, ai la pas fondacionin “Simon M. Dedvukaj” për të mbështetur arsimimin e të rinjve.
Rrok Camaj (60 vjeç): Nga Malësia e Madhe, pastrues xhamash në katin e 105-të të Kullës Veriore, la një mesazh lamtumire për të birin, Vincent, duke thënë se “ishte në duart e Zotit”.
Mon Gjonbalaj (65 vjeç): Emigrant nga Vuthaj, mirëmbajtës në Kullën Jugore, refuzoi pensionin dhe la amanet që familja e tij të mbetej e bashkuar.
Në 24-vjetorin e kësaj tragjedie, mesha në Kishën Zoja e Shkodrës na rikujtojnë forcën e unitetit dhe besimit, duke nderuar viktimat dhe duke promovuar shërimin përmes lutjes dhe shërbimit.