Më 18 tetor 2025, boksieri shqiptaro-amerikan Reshat Mati , një boksier i pamposhtur shqiptaro-amerikan i njohur me nofkën "Ariu Shqiptar", shtoi një tjetër fitore në rekordin e tij të pandërprerë, duke mposhtur Jose Angulon nga Ekuadori me vendim shumicë (MD) pas tetë raundeve të forta në kategorinë e peshës së mesme (welterweight) në Barclays Center, Brooklyn - Nju Jork.
Ndeshja, e transmetuar drejtpërdrejt nga Millions PPV, u shënua nga rezultatet 76-76, 77-75 dhe 77-75 në favor të Matit, duke konfirmuar dominimin e tij në ring dhe duke e çuar rekordin e tij profesional në 15 fitore, pa asnjë humbje, me 8 nokaut.
Reshat Mati, 27-vjeçar, hyri në këtë ndeshje si një favorit, falë formës së tij të jashtëzakonshme dhe stilit të veçant të boksimit. Me një përqindje nokautesh prej 53%, ai u përball me një kundërshtar të fortë, Jose Angulon, i cili kishte një rekord prej 16 fitoresh dhe 10 humbjesh, me 9 nokaut (56%).
Pavarësisht përvojës më të madhe të Angulos në ring (136 raunde të luajtura kundrejt 83 të Matit), Mati tregoi aftësi teknike dhe qëndrueshmëri, duke kontrolluar ndeshjen dhe duke bindur gjyqtarët për fitoren e tij, tha kanali televiziv sportiv Millions PPV.
Gjithmon sipas Millions PPV thuhet se ky triumf vjen pas një serie fitoresh mbresëlënëse për Matin, i cili ka mposhtur kundërshtarë si Irving Macias (vendim unanim, mars 2024) dhe Dakota Linger (nokaut teknik, qershor 2023).
Karriera e tij, e nisur në vitin 2018, ka qenë një dëshmi e talentit dhe përkushtimit të tij, duke e bërë atë një figurë frymëzuese për komunitetin shqiptar dhe dashamirësit e boksit në mbarë botën.
Për shqiptarët, kjo fitore është më shumë se një rezultat sportiv; është një burim krenarie kombëtare.
Reshat Mati, me origjinë nga Dibra e Madhe,, po lartëson emrin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare të boksit, duke treguar se me punë dhe vendosmëri, ëndrrat e mëdha mund të realizohen.
Ndeshja në Barclays Center, një nga arenat më prestigjioze të boksit, u ndoq me entuziazëm nga publiku dhe u transmetua në Millions PPV, duke mbajtur të mbërthyer spektatorët në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërsa Reshat Mati vazhdon rrugëtimin e tij drejt majave të boksit profesional, kjo fitore shënon një hap tjetër drejt konsolidimit të tij si një nga emrat më premtues në kategorinë e peshës së mesme. Për komunitetin shqiptar, ai mbetet një simbol i suksesit dhe një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.