Një kujtesë digjitale që nuk shuhet

Amerika

Një kujtesë digjitale që nuk shuhet

Nga: Beqir Sina, New York Më: 31 tetor 2025 Në ora: 07:35
Autori Beqir Sina dhe i ndjeri Tahir Curran Kernaja

Më 5 shtator 2025, rrjeti social Facebook, na rikthen nëpërmjet “See Your Memories” një fotografi të paharrueshme: qershor 1999, para dyerve të Vatrës në Bronx, New York. "Babë " Tahiri, qëndron krenar mes vatranëve, patriotëve, nacionalistëve dhe ish-të arratisurve antikomunistë. Ata festonin lirinë e Kosovës një traditë e kahershme e shtëpisë shqiptare në Amerikë, ku mblidheshin për çdo fitore të kombit. Kjo foto nuk është thjesht një imazh; është një testament i jetës së një njeriu që e shndërroi diasporën në front lufte për Shqipërinë Etnike.

Tahir Curran Kernaja ndërroi jetë më 5 shtator 2000, pikërisht 25 vjet më parë. Dhjetë ditë më vonë, falë ndihmës financiare të miqve në SHBA, trupi i tij u transportua dhe u varros në varrezat e Dragodanit, Prishtinë. 

Vdekja dhe homazhi transatlantik, si përfaqësues të Vatrës, partive nacionaliste, organizatave të ish-të arratisurve antikomunistë dhe veprimtarëve të çështjes shqiptare udhëtuan nga Amerika në Kosovë, u bë një akt simbolik i bashkimit tonë kombëtar.

Ata nuk shkuan në Kosovë  vetëm për të përcjellë një bashkëluftëar të pa krompokisë, të gjithë ata që e nderuan dhe e respektuan Babë Tahirin e Kosovës, shkuan  të konfirmojnë se ideali i tyre kishte mbijetuar regjimit dhe distancës gjeografike.

Veprimtaria e bashkëatdhetarve tanë në diasporë nga demonstratat në histori.

Image
Tahir Curran Kernaja

 

I quajtur “Babë Tahiri i Kosovës”, Kernaja ishte njeriu i demonstratave masive në Shtetet e Bashkuara për Kosovën dhe të drejtat etnike. Me guxim të pashoq, ai organizoi protesta, mblodhi fonde dhe mbajti gjallë frymën antikomuniste mes shqiptarëve të Amerikës. 

Përkushtimi i tij nuk mbeti pa dokumentim: gazeta Illyria i kushtoi faqe të tëra; botuesi Vehbi Bajrami e vendosi në qendër të librit Shqiptarët e Amerikës. Por vepra kulmore për Babë Tahirin është libri i Sergio Bitiçit : KOSOVO: Path to Freedom – KOSOVA: Rruga e Lirisë, , ku Babë Tahiri shfaqet si figurë qendrore e rrugëtimit drejt pavarësisë.

Studiues, gazetarë dhe bashkëluftëtarë kanë shkruar për të, ndër ta është edhe i ndjeri profesor Sami Repishti, i cili ka  analizuar rolin e tij në Vatrën, Idriz Lamaj që ka hulumtuar aktivitetin politik, dhe Frank Shkreli, ish-drejtor i VOA-s për Euro-Azinë, i cili e quan Babë Tahirin  “zëri i pashuar i Kosovës në Uashington”, si dhe Rexhep Dedushaj, që  e portretizon si simbol i rezistencës. 

Të gjithë bien dakord: Tahir Kernaja nuk ishte lider formal, por ushtar i pathyeshëm i frontit nacionalist dhe anti sllavo- komunist  të diasporës në SHBA.

"Babë" Tahiri i Kosovës, "Ushtar" i thjeshtë i nacionalizmit shqiptar , trashëgimi e madhe e diasporës.

Sergio Bitiçi, në 20-vjetorin e vdekjes (2020), di të shkruante me emocion:

“Kur vizitova Antonio Belluscin në Frascineto të Kalabrisë (2011), shkruaja se kam njohur vetëm Tahir Kernajën, që punoi pa interes personal për kombin. Në për/vjetorin e vorrimit në Prishtinë: Tahir Kernaja – Jam ushtar i thjeshtë i Shqipërisë Etnike. Ai është nismëtari dhe themeluesi i këtij aktiviteti patriotik, që meriton plotësisht vendin e tij në historinë e Shqipërisë.”, ka thënë Bitiçi.

Në 25-vjetorin e largimit, Babë Tahiri, na mëson se liria nuk fitohet vetëm në fushëbetejë, por edhe në demostratat e Nju Jorkut, në sallat e Vatrës, dhe në zemrat e atyre që nuk harrojnë. Ai mbetet legjendë e pakompromis e diasporës shqiptare një kujtesë që Facebook-u na e rikthen, por që historia e ka gdhendur përgjithmonë, në zemrat e mendjen e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat