Më 30 nëntor 2025, në Staten Island, kryqëzimi midis Father Capodanno Boulevard dhe Seaview Avenue u pagëzua zyrtarisht me nënemërtimin sinjalistik “Isa Boletini Way”. Vendi ndodhet vetëm pak metra larg pikës ku prej dy vjetësh qëndron krenare tabela “Ismail Qemali Road”.
Dy heronjtë më të mëdhenj të kombit, që nuk u takuan kurrë në jetë, tani “përqafohen” çdo ditë në asfaltin e Nju Jorkut – një simbolikë e fuqishme që bashkon Kosovën dhe Shqipërinë në zemër të Amerikës.
Ceremonia solemne mblodhi qindra shqiptarë-amerikanë dhe miq amerikanë.
Midis të pranishmëve ishin mysafirët e nderit: Fatmir Gjeka, Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Malin e Zi; Arben Fetai, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut; kryetari i ri i Mitrovicës, Faton Peci; kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj; kryetarja e qytetit Fairview në New Jersey, Violetta Berisha; deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi; ambasadori i Kosovës, Blerim Reka dhe ambasadorja e Shqipërisë, Suela Janina; si dhe udhëheqës të dhjetëra shoqatave shqiptare e aktivistë të dalluar.
Aktiviteti filloi me himnet kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë. Një oficere e NYPD-së këndoi “Star-Spangled Banner”, ndërsa Ilsi Ademi “Himnin Kombëtar të Shqipërisë”. Një skuadër ceremoniale e Policisë së Nju Jorkut dhe një skuadër e policëve shqiptaro-amerikanë të “Illyrian Society” parakaluan me flamujt amerikanë dhe shqiptarë.
Ngjarjen e bekoi imami Edin Gjoni, i cili mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.
Moderator i ditës ishte Bledar Maqellara.
Ai theksoi në fillim të fjalës së tij se zemra e kësaj arritjeje të shqiptarëve në Staten Island është Naser Nika, president i Albanian American Association of Staten Island.
“Për vite me radhë ai mblodhi dokumente, firma, takime, letra dhe shpesh shpenzoi para personale e net pa gjumë. Dhe ja që ia arriti qëllimit”, – u tha në fjalën hyrëse.
Nika: “Nëse ne nuk i nderojmë heronjtë tanë, kush do ta bëjë?”
Më pas fjalën e mori vetë Naser Nika, i cili tha se kjo është një ditë me rëndësi të veçantë për komunitetin shqiptar në New York:
“Sot, nuk po emërtojmë thjesht një rrugë, por po nderojmë historinë tonë, rrënjët tona dhe figurat që na dhanë identitetin kombëtar.”
Ai kujtoi se para dy vitesh u emërtua rruga “Ismail Qemali”, njeriu që ngriti flamurin dhe vendosi themelet e shtetit shqiptar:
“Ai moment ishte një nga arritjet më të mëdha të komunitetit tonë në SHBA, sepse tregoi se shqiptarët, kur bashkohen, arrijnë gjëra të mëdha.”
Duke folur për vazhdimin e kësaj tradite, Nika tha se sot po vendoset emri i një tjetër figure madhore: Isa Boletinit, simbol i trimërisë, besës dhe qëndresës shqiptare:
“Një burrë që nuk e ndau kurrë armën nga trupi, shpirtin nga atdheu dhe besimin nga flamuri.”
Ai përmendi edhe fjalën legjendare të Isa Boletinit: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia.” Një mesazh i fortë për brezat në diasporë që të bëjnë gjithmonë atë që duhet për t’i shërbyer kombit.
Emri i Isa Boletinit në këtë rrugë në zemër të New York-ut, theksoi Nika, është një amanet për fëmijët tanë, një kujtesë për të gjithë ne dhe një nderim për një figurë të pavdekshme shqiptare.
Ai tha se kjo është dëshmi se komuniteti shqiptar është i organizuar, i fortë dhe i respektuar – dhe se puna, bashkimi dhe investimi në kulturë e histori japin rezultate.
Gjatë fjalës së tij, Nika shprehu falënderim të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit nga vendlindja: zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai; ministrin e Malit të Zi, Fatmir Gjeka; kryetarin e Mitrovicës, Faton Peci; kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj; dhe deputetin Belind Këlliçi.
Nuk munguan falënderimet edhe për shoqatat që kanë qenë gjithmonë pranë këtij aktiviteti: Shoqatën “Kosova” me aktivistin Shpëtim Qorraj, si dhe shoqatat Ana e Malit (Albert Salaj), Skënderbej (Imer Laçaj), Dibra (Hakim Budzuku), Kraja (Venera Gjenashaj), Struga (Sinan Alimi).
Një falënderim i posaçëm u drejtua për aktivistin e palodhur Ruki Ajdari, për kontributin e jashtëzakonshëm.
Naser Nika e mbylli fjalën me thirrjen:
“Le të vazhdojmë të ndërtojmë ura, të ruajmë kulturën tonë dhe t’u tregojmë brezave që vijnë se kush jemi dhe nga vijmë.”
Faton Peci: “Isa Boletini është ende gjallë sa të ketë shqiptarë që e duan.”
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, tha se ky akt është shprehje e vlerësimit të historisë së shqiptarëve për liri dhe pavarësi, por edhe dëshmi e lidhjes së fortë ndërmjet popullit shqiptar dhe SHBA-së.
“Ky moment shënon jo vetëm respektin ndaj një simboli të pathyeshëm të lirisë, por edhe lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet dy popujve. ‘Isa Boletini’ në Nju Jork është mesazh i fuqishëm për brezat e rinj se liria dhe dinjiteti duhen mbrojtur çdo ditë”, tha Peci.
Në ceremoni foli edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i cili theksoi se ky është një moment tejet kuptimplotë, një dëshmi e fuqishme e miqësisë shqiptaro-amerikane dhe një homazh për kontributin e popullit shqiptar për liri.
“Ky akt jo vetëm nderon sakrificën dhe qëndresën e Isa Boletinit, por bëhet amanet për brezat se liria fitohet me gjak, por mbrohet e forcohet me unitet, punë dhe dinjitet.”
Ai shprehu respekt të veçantë për diasporën shqiptare në SHBA:
“Ju jeni ura jonë më e fortë me Amerikën dhe ambasadorët më të denjë të kombit tonë.”
Aktivisti i dalluar i Staten Island, Shpëtim Qorraj, falënderoi në emër të shoqatave shqiptaro-amerikane dhe ekipit organizativ:
“Me shumë respekt e krenari, vazhdojmë të bashkohemi për të nderuar historinë, heronjtë dhe për t’i dhënë fëmijëve tanë një të ardhme edhe më të fortë këtu ku jetojmë. Bashkë jemi më të fortë!”
Fjalime të përzemërta u drejtuan edhe nga zyrtarë të lartë të Nju Jorkut: Borough President Vito Fossella, kongresistja Nicole Malliotakis (përfaqësuar nga Lily Zafaranloo), këshilltari David Carr, prokurori Michael McMahon, asambleisti Michael Tannousis dhe senatorja Jessica Scarcella-Spanton.
Midis atyre që vlerësuan ngjarjen ishin edhe studiuesi Dr. Paulin Marku, ministri Fatmir Gjeka, kryetari Bashkim Ramosaj, kryetarja Violetta Berisha, ambasadori Blerim Reka dhe ambasadorja Suela Janina.
Atmosferën festive e plotësuan Grupi “Barbana” dhe valltarët e shoqatave Skënderbej, Dibra, Struga dhe shkolla “Gjergj Fishta”.
“Isa Boletini Way” dhe “Ismail Qemali Road” krijojnë tani një “lagje shqiptare” jozyrtare në Staten Island – dhe kjo është dëshmia më e bukur se diaspora po arrin atë që shtetet tona ende nuk e kanë arritur plotësisht: bashkimin simbolik të Kosovës dhe Shqipërisë në një hartë të vetme krenarie.