Zbulohet harta e “Shqipërisë së Vogël në Bronx”, një projekt i ndërmarrë në bashkëpunim me Zyrën e Kryetarit të Bashkisë për Çështjet e Imigrantëve

Amerika

Zbulohet harta e “Shqipërisë së Vogël në Bronx”, një projekt i ndërmarrë në bashkëpunim me Zyrën e Kryetarit të Bashkisë për Çështjet e Imigrantëve

Nga: Beqir Sina, New York Më: 11 dhjetor 2025 Në ora: 07:43
Foto nga vendngjarja

NEW YORK CITY: Të martën (9 dhjetor), në “Lower Manhattan” në Nju Jork, u mbajt ceremonia e ngritjes së Flamurit Shqiptar në nder të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo ceremoni solemne u organizua me kujdesin personal të kryetarit në largim, Eric Adams, me Zyrën e Bashkisë për Çështjet e Emigrantëve në Nju Jork, në partneritet me z. Mark Gjonaj, si dhe me kontributin e shqiptareve pjesë e stafit të zyrës së kryebashkiakut të Nju Jorkut, Organizueses së Njësive Lokale Administrative pranë Zyrës së Komisionerit për Çështjet e Emigrantëve, Lidia Dobi dhe Orcida Harizaj.

Kështu që kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, e ka mbajtur për herë të fundit një ceremoni në Bowling Green në Lower Manhattan – kësaj here për të përkujtuar 113-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, pasi ai e dorëzon detyrën më 1 janar 2026.

Komuniteti shqiptar në New York City me këtë rast vazhdoi kremtimet e festave të nëntorit edhe këtë të martë, më 9 dhjetor, në Bowling Green Park në Manhattan të Nju Jorkut, 11 ditë pas 28 nëntorit.

Ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit shqiptar u mbajt nën përkujdesjen e Kryetarit në largim të Bashkisë së Nju Jorkut, zotit Eric Adams, i cili nuk mori pjesë në këtë ceremoni.

Moderatore e kësaj ngjarjeje ishte Vanesa Limani.

Ndërkohë, të pranishëm ishin Përfaqësuesja e Përhershme e Shqipërisë në OKB, Suela Janina; Zëvendëskomisionerja e Zyrës së Kryetarit të Bashkisë për Çështjet Ndërkombëtare, Aissata Camara; dhe Manuel Castro – Komisioner i Zyrës së Kryetarit për Çështjet e Emigrantëve.

Lutja e hapjes u mbajt nga Imam Kukaj nga Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane e Staten Island.

Ngjarja që nderoi Pavarësinë e Shqipërisë, trashëgiminë kulturore të shqiptarëve dhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në qytetin e New York-ut, mblodhi së bashku në këtë shesh disa udhëheqës lokalë të komunitetit, aktivistë, të rinj e të reja, si dhe miq amerikanë të kulturës shqiptare, duke promovuar lidhjet historike dhe miqësinë mes dy vendeve.

Katër anëtarë të komunitetit shqiptar u vlerësuan gjatë kësaj ceremonie. Shqiptarët e nderuar ishin Mark Gjonaj, Fitim Shabani, Mary Camaj dhe Vlera Sela, të cilët u nderuan për ndikimin dhe kontributin e tyre në komunitet.

Drejtuesja e kësaj ceremonie, në fillim të eventit, tha se:
"Kjo ishte një mundësi për të festuar identitetin kombëtar dhe për të njohur rolin e rëndësishëm që shqiptarët kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në jetën kulturore dhe sociale të New York-ut."

Më pas foli Arthur Piccolo, ai që me shqiptarët e Amerikës, rreth tridhjetë e pesë vjet më parë vendosën për herë të parë flamurin kuqezi pa yll në shtizën e Bashkisë së Nju Jorkut, të siguruar nga disa antikomunistë shqiptarë në Nju Jork.

Arthur Piccolo, i cili është president i Shoqërisë “Bowling Green”, deklaroi se:
“Shoqëria Bowling Green është e lumtur që merr pjesë në ngritjen e flamurit kuqezi, një traditë që shqiptarët e vjetër e nisën tre dekada më parë.”

Piccolo shprehu mirënjohjen për punëtorët shqiptarë – emrat e të cilëve nuk i kishte shënuar dhe tani janë të pensionuar – që morën nismën për ngritjen e flamurit. Ai veçoi gjithashtu Kryebashkiakun Adams si të parin kryebashkiak të Nju Jorkut që organizoi zyrtarisht një ceremoni të tillë për çdo komunitet që jeton në Nju Jork, duke përfshirë edhe këtë për shqiptarët.

Në ceremoninë e mbajtur në Bowling Green në Lower Manhattan për të përkujtuar 113-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, përshëndetën: Suela Janina – Ambasadore e Shqipërisë në OKB; Manuel Castro – Komisioner për Çështjet e Emigrantëve; Aissata Camara – Komisionere për Marrëdhëniet me Jashtë; Orchida Harizaj – Zëvendëssekretare për Shtyp; Arthur Piccolo – drejtues i shoqërisë Bowling Green; Fitim Shabani; Mark Gjonaj dhe Vera Mjeku.

Ngritja e flamurit kuqezi në shtizën e sheshit të famshëm Bowling Green Park, në Manhattan, krah flamurit amerikan në parkun ikonik “Charging Bull”, i quajtur edhe Demi i Wall Street, pas traditës 35-vjeçare të diasporës së vjetër, për herë të parë zyrtarisht nën kujdesin personal të kryetarit të Bashkisë Eric Adams, nisi në vitin 2021.

Dje, pas katër vitesh të këtij organizimi në Bowling Green Park, në kryqëzimin e Broadway dhe Whitehall Street në Manhattan, u tha se kjo ishte hera e fundit për kryebashkiakun e Nju Jorkut Eric Adams.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Drejtues të Diasporës, zoti Mark Gjonaj, i cili qëndron pas organizimit të kësaj ceremonie prej vitesh, tha:
"Kjo ceremoni ka qenë një festë e mrekullueshme e Pavarësisë së Shqipërisë dhe një ngritje kuptimplotë e flamurit në New York City, e organizuar nga Kryetari i Bashkisë Eric Adams."

Ai po ashtu tha se ishte mirënjohës për vlerësimin dhe uroi të nderuarit e tjerë: Fitim Shabani, Mary Camaj dhe Vlera Sela.

“Ishte gjithashtu frymëzuese të festohej zbulimi i ‘Shqipërisë së Vogël në Bronx’, një projekt i Zyrës së Kryetarit të Bashkisë për Çështjet e Imigrantëve, që nxjerr në pah forcën dhe krenarinë e komuniteteve të larmishme të NYC-së,” u shpreh Gjonaj.

Ndërsa ai, si pjesë e këtij organizimi zyrtar, falënderoi në emër të organizatorit interpretuesit e rinj nga kori “Kënga Jonë” i Blina B. Shehollit, të cilët i rezistuan të ftohtit dhe ndihmuan në ngritjen e flamurit shqiptar.

Vera Mjeku, punonjëse e administratës në Bashkinë e qytetit, në statusin e saj në Facebook la këtë shënim që lidhet me ngritjen e flamurit shqiptar në Bowling Green më 9 dhjetor.

Ajo shkroi se, ndërsa festonim Pavarësinë e Shqipërisë dhe Ngritjen e Flamurit në NYC, pati kënaqësinë të merrte projekt-maketin me hartën e “Shqipërisë së Vogël në Bronx”, një projekt i ndërmarrë në bashkëpunim me Zyrën e Kryetarit të Bashkisë për Çështjet e Imigrantëve, për të nxjerrë në pah kontributet e rëndësishme të komuniteteve të emigrantëve si komponentë integralë të strukturës së larmishme të Qytetit të Nju Jorkut.

Për këtë, ajo dha falënderim të veçantë për Kryetarin e Bashkisë Eric Adams, Komisionerin Manuel Castro dhe stafin, si dhe Ismer Mjekun për njohuritë e tij mbi projektin.

“Më në fund jemi në hartat e NYC-së,” shkruan znj. Vera Mjeku.

Ceremonia në Bowling Green, në pjesën e poshtme të qytetit, u mbyll me ngritjen e flamurit shqiptar përkrah atij amerikan në shtizën e bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, në shoqërimin e dy himneve kombëtare.

Pjesë e programit të festimit në Nju Jork të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ishte edhe një shfaqje artistike dhe kulturore e Korit “Kënga Jonë”, i Blina B. Sheholli – Pianiste, Edukatore Muzike dhe Themeluese e Korit “Kënga Jonë”, kori dhe orkestra e parë e fëmijëve shqiptaro-amerikanë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat