Kosova në NATO dhe asnjëherë asociacion serb

Amerika

Kosova në NATO dhe asnjëherë asociacion serb

Nga: Agim Aliçkaj Më: 15 prill 2026 Në ora: 07:49
Foto nga takimi

Në organizim të Ambasadorit Blerim Reka, në zyrat e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, u zhvillua një takim ndërmjet Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, dhe drejtuesve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane: Joe Dioguardi dhe Shirley Cloyes Dioguardi, Drejtorit Ekzekutiv Agim Aliçkaj, si dhe anëtarëve të Bordit – Ekuran Shehu, Zikri Meta, Hysen Ulaj dhe Behlul Gashi.

Z. Konjufca vlerësoi lart veprimtarinë e suksesshme dhe afatgjatë të Ligës në Washington, në shërbim të çështjes së Kosovës dhe interesave kombëtare shqiptare. Ai i informoi të pranishmit për zhvillimet e fundit nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, situatën politike në vend, si dhe përpjekjet e qeverisë për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit përballë sfidave me Serbinë. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit në aktivitetet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përfaqësuesit e Ligës, të udhëhequr nga Joe dhe Shirley, zhvilluan diskutime të thella me z. Konjufca mbi një sërë çështjesh me rëndësi. Ata e informuan atë rreth aktiviteteve të ardhshme, duke veçuar pjesëmarrjen në takimin vjetor të ish-anëtarëve të Kongresit Amerikan, ku marrin pjesë senatorë dhe kongresistë, si aktualë ashtu edhe të mëparshëm, për të shkëmbyer përvoja mbi qeverisjen e SHBA-së.

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane shprehu mbështetjen e saj për punën e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Kryeministri Kurti, në luftën kundër korrupsionit, në zhvillimin e shtetit dhe në përballjen me hegjemonizmin serb. Gjithashtu, Liga u bëri thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që të angazhohen në mënyrë parimore për zgjedhjen e Presidentit të vendit, duke theksuar se bllokimi i këtij procesi dhe shkuarja në zgjedhje të reja do të ishte e dëmshme për Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit u diskutuan prioritete të ndryshme strategjike për Kosovën. Liga do të fokusohet veçanërisht në dy objektiva kryesore: kundërshtimin e çdo përpjekjeje për krijimin e një asociacioni serb që do të cenonte funksionalitetin e shtetit të Kosovës, si dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të vazhdojë punën e saj me përkushtim në promovimin e interesave të Kosovës dhe të popullit shqiptar në Washington.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat