Më 23 maj 2026, në Producers Club Theater në New York, u zhvillua një nga aktivitetet më të bukura kulturore për komunitetin shqiptar: u përurua libri me poezi “Tektonika e Shpirtit” nga autori Azgan Berbati.
Promovimi i librit me poezi të Azgan Berbatit, në këtë qendër kulturore e artistike shqiptare në zemër të Nju Jorkut – e cila si asnjëherë më parë ishte e mbushur me adhurues të shumtë të librit u vlerësua lart nga folësit dhe pjesëmarrësit e këtij aktiviteti të lartë kulturor.
Eventi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, intime dhe plot emocione. Rreth 100 të pranishëm miq, kolegë, të afërm dhe dashamirës të letërsisë shqiptare u mblodhën në një nga mjediset e Producers Club Theater për promovimin e këtij vëllimi poetik, që u mbush me një energji të veçantë.
Drita e butë, skena elegante dhe prania e librit si simbol qendror krijuan kushtet ideale që fjala poetike të arrinte thellë në zemrat e të pranishmëve.
Këtë event e moderoi Nosh Mrnaçaj.
Për librin dhe rëndësinë e këtij vëllimi poetik të autorit Azgan Berbati folën shkrimtari dhe gazetari Pal Ndrecaj dhe aktivisti Mark Qehaja, duke e cilësuar atë si një libër të rëndësishëm dhe një takim të veçantë me poetin Azgan Berbati këtu përtej oqeanit.
Po ashtu, si moderatori Nosh Mrnaçaj, edhe dy folësit kryesorë dhe dashamirësit e librit, që u përfshinë në diskutime së bashku, ndanë reflektime mbi librin e tij të ri “Tektonika e Shpirtit”, artin, ndjeshmërinë dhe poezinë si mënyrë për të kapur shpirtin e kohës. Ata folën edhe për talentin e autorit, madje duke e njëhsuar Azganin disa herë me Tropojën e shkrimtarëve dhe poetëve të mëdhenj kombëtarë.
Gjatë mbrëmjes, lexime të ndryshme të poezive nga Pal Ndrecaj, Alma Jaku dhe Shaban Lajçi krijuan momente heshtjeje të thellë dhe duartrokitjesh të ngrohta. Çdo varg i lexuar prej tyre ngjallte jehonë te pjesëmarrësit, duke dëshmuar fuqinë e poezisë për të bashkuar njerëzit përtej kohës dhe hapësirës.
Pjesëmarrësit ndoqën me vëmendje të madhe, duke u lidhur emocionalisht me temat që prekin jetën moderne, identitetin dhe kërkimin e kuptimit të brendshëm.
Nosh Mrnaçaj, me fjalë të ngrohta dhe plot urtësi, foli për rëndësinë e poezisë si mjet bashkimi shpirtëror, duke theksuar se vepra e Berbatit prek pikërisht ato shtresa të brendshme që na bëjnë njerëz. Ai e përshkroi librin si një udhëtim që na ndihmon të kuptojmë lëkundjet tona të përditshme emocionale.
Pal Ndrecaj referoi me një vështrim analitik, duke folur për stilin e Berbatit dhe aftësinë e tij për të kapur tensionet e brendshme njerëzore. Ai e quajti librin një vepër të sinqertë që flet drejtpërdrejt me shpirtin, pa artificë, duke nxitur publikun të reflektojë mbi përvojat e veta.
Në referatin e tij, Mark Qehaja, me entuziazëm dhe energji pozitive, ndau mendime të thella mbi fuqinë e fjalës poetike për të ruajtur identitetin shqiptar larg atdheut.
Ai u ndal gjatë në mënyrën se si “Tektonika e Shpirtit” lidh të kaluarën me të tashmen, duke e bërë poezinë një urë midis brezave.
Fjalët e tij sollën një valë optimizmi në sallë.
Në referatin e tij Qehaja, duke folur për librin, tha se Azgan Berbati me librin e tij “Tektonika e Shpirtit” shumë i komentuar dhe i vlerësuar si nga lexuesit ashtu edhe nga krijues e poetë të njohur radhit emrin e tij me plejadën e arteve të krijimtarisë letrare, që Tropoja për fat të mirë ka pasur shumë të tillë. E shumë më gjerë se kaq, le ta themi pa ndrojtje, ndër poetët e mëdhenj të Shqipërisë.
“Në poezitë e tij gjenden shperthimi migjenian, vargu fishtian, elegjia e Çajupit, memedheu i Frashëllinjve e deri tek strategët e poezisë së kohës së Dritëroit me shokë”, tha Mark Qehaja, duke shtuar se poezia e Azgan Berbatit është liri e brendshme e tij në një udhëtim të pafund të shpirtit.
Më tej ai tha se para se të citojë disa vargje të poezisë së Azganit, dëshiroi të theksojë se ashtu si jeta që është e shumëllojshme, mendësitë dhe idetë janë të tilla, secili ka këndvështrimin e tij, që do të thotë se jo domosdoshmërisht të gjitha këto mund të bashkohen në një pikë të përbashkët.
“Dhe në këtë rast ajo që na bashkon të gjithëve ne, është talenti, atdhedashuria e dinjiteti njerëzor i Azgan Berbatit, për të cilin besoj jemi në një mendje! E shumë anësishme dhe e shumëllojshme është poezia e Azganit, që do shumë kohë dhe ekspertizë poetike për ta shpalosur të gjitha dhe për ta kuptuar”, tha ai.
“Unë mendoj se poezia e Azgan Berbatit i ka plotësuar më së miri ato kërkesa të poezisë si nderthurje mes tekstit toksor, përjetimeve njerëzore dhe shprehjes hyjnore të emocioneve!” u shpreh Qehaja.
Në fund të referatit të tij, Mark Qehaja u bëri thirrje të gjithë lexuesve që të vrapojnë e ta kenë në bibliotekat e tyre këtë libër me një emër të madh të konfirmuar tashmë si Azgan Berbati.
Alma Jaku u përfshi në një diskutim poetik me ndjeshmëri femërore dhe elegancë, duke theksuar dimensionin emocional të poezive. Ajo foli për mënyrën se si vargjet e Berbatit prekin tema universale si dashuria, humbja dhe shpresa, duke e bërë librin të afërt për çdo lexues.
Interpretimi i saj solli një prekje të veçantë në atmosferën e mbrëmjes.
Shaban Lajçi, me zërin e tij të ngrohtë dhe përvojën e gjerë letrare e artistike duke recituar mjeshtërisht dy poezi nga libri Tektonika e shpirtit , mbylli pjesën e folësve duke falënderuar autorin për kontributin e tij në letërsinë shqipe.
Ai e quajti eventin një sukses të vërtetë që dëshmon vitalitetin e kulturës shqiptare në Amerikë, duke u shprehur se poezia e tillë na ndihmon të mbajmë gjallë rrënjët tona kulturore.
Këto pjesë të pasura, të kësaj mbrëmje poetike nga moderimi i Nosh Mrnaçaj, referatet e Mark Qehaja, Pal Ndrecaj, recitimet e Alma Jaku dhe Shaban Lajçi, si dhe përfshirja në diskutime e avokat Altin Nonaj, Mustaf Demushi dhe Nuredin Seci, e ngritën nivelin e mbrëmjes, duke e kthyer atë në një dialog të vërtetë letrar, kulturor dhe artistik.
Ky pothuajse çdo referat, recitim dhe diskutim solli një perspektivë të re, duke pasuruar kuptimin e librit dhe duke krijuar lidhje më të forta midis të pranishmëve.
Në fjalën e tij përmbyllëse, autori Azgan Berbati falënderoi të gjithë folësit dhe të pranishmit për mbështetjen shpirtërore. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së letërsisë shqipe në diasporë.
Duke u shprehur se Producers Club Theater, për disa orë, u shndërrua në një hapësirë ku gjuha shqipe dhe poezia morën jetë të re.
"Thuhet se çdo libër është festë. Dhe sonte, për mua, kjo është më shumë se një promovim libri; është një nga ato takime që mbeten të gdhendura në shpirt. Kam marrë pjesë në dhjetëra takime letrare, artistike, universitare, politike e shkencore, por ky mbetet ndër më të rëndësishmit dhe më emocionuesit e jetës sime." tha ai.
Më tej ai tha se ka diçka gati jo tokësore në këtë mbrëmje:
"Amerika, është një vend me madhështi të jashtëzakonshme. Përballë kësaj hapësire të pafundme, njeriu nganjëherë ndihet si një pikë uji në oqean. Por shqiptarët këtu kanë bërë diçka të rrallë: kanë ndërtuar ishullin e tyre shpirtëror. Një mikrokozmos shqiptar në zemër të Amerikës.
Sonte e shoh qartë këtë atdhe në miniaturë.Sepse secili prej jush ka marrë me vete, në torbën e shpirtit, nga një grimcë Shqipërie, dhe këtu e keni bashkuar atë me dashuri, përkushtim dhe fanatizëm të bukur."
Ai tha se ndoshta, ndonjëherë, edhe më fort se ne që jetojmë atje. "Ka njerëz që shpirtin e kanë futur në një torbë dhe e kanë shitur. Ju nuk i përkisni atij rasti. Dhe për këtë unë ndiej krenari të thellë. Sfida më e madhe mbetet ta përcillni këtë tek pasardhësit tuaj, pa humbje."
Dhe ju uroj ta arrini.
Forca morale i ka mbajtur gjithnjë shqiptarët. Jo vetëm armët, jo vetëm historia, por mbi të gjitha shpirti. Dhe letërsia është një nga mënyrat më fisnike për ta mbrojtur atë shpirt.
Nuk ka rrugë më të shkurtër sesa nga koka në letër, por nuk ka as rrugë më të gjatë. Sepse fjala kalon përmes njeriut, përmes dhimbjes, përmes kujtesës, përmes jetës.
Kam besuar gjithnjë se kur e mira ndodh pa interes, pa shkak e pa përfitim, ajo është e mirë absolute. Deri te Zoti. Dhe pikërisht kjo mirësi më ka shoqëruar në këtë rrugëtim.
Gjatë organizimit të këtij takimi, tha autori i librit, kuptova edhe diçka tjetër: se ekzistojnë njerëz që vlejnë sa një institucion i tërë. Njerëz-shoqatë. Njerëz që me shpirtin, dashurinë dhe përkushtimin e tyre tejkalojnë çdo strukturë formale.
"Prandaj, për mua, më shumë vlerë sesa të jem pjesë e shoqatave më prestigjioze të botës, ka fakti që jam pjesë e dashurisë suaj, e shpirtit tuaj. Jam anëtar i zemrave tuaja. Pikërisht aty ndodh shkëputja nga graviteti tokësor, dhe ky takim merr dimension tjetër."
Ai tha se gurthemelet e kësaj mbrëmjeje janë Albulena Beqiri, Rafaela Prifti dhe Fredi Tolja "U jam mirënjohës përjetë.Jo vetëm sepse mbështetën Azgan Berbatin, por sepse, në një kohë krize njerëzore, më rikujtuan se njerëzillëku ende nuk ka përfunduar."
Pa ta, sonte nuk do të ishim mbledhur këtu.
Në ndërkohë Berbati theksojë se edhe poezitë e këtij libri shpesh kanë lindur nga tronditje dehumanizuese, nga absurdi i realitetit, por ato janë përpjekur gjithmonë t’i japin jetës një kuptim më të bukur, më njerëzor.
Janë munduar ta shërojnë realitetin që i ka ndikuar. Arti dhe letërsia janë mjetet që përmbushin njeriun. Ato rafinojnë shoqëritë. Sokrati, Platoni, Aristoteli, stoikët dhe epikurianët besonin se arsyeja, dija dhe kultura janë mënyrat më të larta për të luftuar vuajtjen njerëzore.
Edhe Shqipëria jonë, si ide dhe si vizion, u themelua nga mendja dhe shpirti i rilindasve. Prandaj, ky vend ka prodhuar gjithnjë elitë, sepse vetë origjina e tij është elitare. Për librin tim u fol shumë sonte, dhe unë besoj se autorit i takon ta shkruajë veprën, jo ta shpjegojë pafundësisht atë.
Prandaj nuk do të flas më për librin.
Ngaqë ju që folët fjalë kaq të larta, mirënjohja e përulësia ime janë po aq të mëdha, tha autori i librit Tektonia e shpirtit, Azgan Berbati.
Faleminderit për vlerësimet, të cilat më nderojnë, i nderuar Pal Ndrecaj. Aq më shumë, kur vijnë nga një poet si ju. Nosh Mrnaçaj e Mark Qehaja, promotorët e këtij takimi, humanistë e miq të shkëlqyer, ju falenderoj shumë që e siguruat mbarëvajtjen e këtij takimi. Megjithatë, të gjithë ju, miqtë e mi, ndërtuat një qiell të kaltër sonte, në të cilin Shaban Lajçi i shndërroi poezitë e mia në yje dhe i ngjiti aty, me interpretimin e tij brilant. Kjo do të mbetet një nga fotografitë më të bukura të jetës sime, në albumin e shpirtit.
Libri “Tektonika e Shpirtit” tregon se nuk është thjesht një libër; ai është një udhëtim introspektiv që fton lexuesin të ndjejë lëkundjet e veta të brendshme. Ky promovim në New York dëshmoi se poezia mbetet një forcë përbashkuese e fortë. Edhe larg atdheut, letërsia shqipe vazhdon të frymëzojë e bashkojë shqiptarët këndej e për andej oqeanit.