Në selinë qendrore të sindikatës 32BJ SEIU në Manhattan, të shtunën, më 21 nëntor 2026, u mbajt për herë të parë festimi vjetor i Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Aktiviteti u organizua nga punonjësit shqiptarë të sindikatës, në bashkëpunim me drejtuesit e saj të lartë, në nderim të 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit.
Në kuadër të kësaj feste, 32BJ SEIU ndau çmime për zyrtarë, aktivistë të komunitetit shqiptar dhe diplomatë të Shqipërisë e Kosovës në Washington dhe New York.
Në aktivitet morën pjesë dhjetëra anëtarë shqiptarë nga sektori i banimit dhe ai tregtar, si dhe përfaqësues të shumtë të komunitetit që punon me këtë sindikatë. Atmosfera u karakterizua nga festë, ngrohtësi dhe krenari kombëtare.
Presidenti i unionit, Manny Pastreich, përshëndeti të pranishmit shqiptarë, ndërsa mesazhe urimi dhe vlerësimi përcollën edhe ish-këshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut, Mark Gjonaj, ambasadori i Shqipërisë në Washington, Ervin Bushati, shefja e Misionit të Shqipërisë në OKB, Suela Janina, si dhe diplomatja Adea Kocmezi, e cila përfaqësoi Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York.
Programi kulturor u pasurua me performanca të Shoqatës Rugova dhe Grupit të Valleve “Nora e Kelmendit”, të cilat sollën valle dhe këngë tradicionale shqiptare, të përcjella me duartrokitje nga të pranishmit.
Pjesë e programit ishte edhe interpretimi me çifteli nga Mikel Marku, pjesëtar i 32BJ, ndërsa ushqimi tradicional u sigurua nga Arbëria Grill & Cafe.
Arlind Lela, përfaqësues në terren i 32BJ SEIU në qytetin e Nju Jorkut, theksoi se ky takim shërbeu për të kujtuar historinë, për të nderuar kulturën dhe për të vlerësuar kontributin e anëtarëve shqiptarë në sindikatë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Organizatorët vunë theksin te rëndësia e njohjes së identitetit kulturor të anëtarëve dhe lidhjes së angazhimit sindikal me rrënjët dhe trashëgiminë e komunitetit shqiptar.
Festa shërbeu jo vetëm si një moment gëzimi, por edhe si mundësi për të forcuar lidhjet mes punëtorëve shqiptarë dhe për të nderuar trashëgiminë kombëtare në zemër të Nju Jorkut.
Sipas organizatorëve, ky ishte aktiviteti i parë i një tradite që 32BJ SEIU synon ta vazhdojë çdo vit. Pjesëmarrësit e vlerësuan këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm drejt respektimit të diversitetit brenda sindikatës dhe forcimit të lidhjeve me festën e 28 Nëntorit.
“Në një qytet ku diaspora shqiptare jeton dhe punon intensivisht, aktivitete të tilla i japin zë dhe dinjitet historisë dhe kulturës së një kombi të vogël, por krenar”, u shprehën pjesëmarrësit.
Çfarë është 32BJ SEIU?
32BJ SEIU është sindikata më e madhe e punëtorëve të shërbimeve të pronës në SHBA, me mbi 185 mijë anëtarë. Rreth 30 për qind e tyre janë shqiptarë, që përkthehet në afërsisht 60 mijë persona.
Në nivel ndërkombëtar, SEIU numëron gjithsej rreth 2.1 milionë anëtarë.
Misioni i kësaj sindikate është organizimi i punëtorëve për paga më të mira, përfitime, respekt dhe dinjitet në vendin e punës. Ajo angazhohet gjithashtu kundër lakmisë korporative dhe për drejtësi ekonomike, sociale, racore dhe mjedisore.
32BJ u themelua në vitin 1934 dhe operon kryesisht në verilindje të SHBA-së, por shtrirja e saj përfshin edhe Floridën jugore dhe Montanën.
Anëtarët e saj punojnë në profesione të ndryshme, përfshirë pastrues, mirëmbajtës, portierë, zyrtarë të sigurisë, punëtorë aeroportesh, inxhinierë ndërtesash, punonjës shkollash dhe të shërbimeve ushqimore. Ata janë të angazhuar në ndërtesa zyrash, komplekse banimi, aeroporte, shkolla, stadiume dhe muze.
Punonjësit e 32BJ vijnë nga dhjetëra vende të ndryshme dhe, përmes punës së tyre, ndajnë të njëjtën aspiratë për një jetë më të mirë dhe realizimin e ëndrrës amerikane.