Armët bërthamore: Sfidat dhe dilemat

Analiza

Armët bërthamore: Sfidat dhe dilemat

Nga: Kristina Lani Më: 29 janar 2021 Në ora: 18:19
Foto ilustruese

Para pak ditësh, me 22 janar 2021, Traktati i OKB-së për Ndalimin e Armëve Bërthamore hyri në fuqi pas mbi tri vitesh që nga momenti kur u miratua. Në të njejtën kohë, presidenti i sapo inauguruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u shpreh për shtyrjen me 5 vite të Traktatit New START mes SHBA dhe Rusisë, përmes të cilit përcaktohet arsenali bërthamor i të dyja superfuqive. As SHBA dhe as Rusia nuk e kanë firmosur Traktatin e OKB-së, duke ngritur kështu pikëpyetje për vlerën e tij dhe të ardhmen e mospërhapjes së armëve bërthamore.

Përmasat dhe serioziteti i Luftës së Dytë Botërore bënë që SHBA të ishte shteti i parë në botë që tentonte të krijonte një armë bërthamore përmes Projektit “Manhattan,” që kulminoi me testimin e parë të një arme bërthamore me Operacionin “Trinity” në 1945. Më pak se një muaj pas detonimit të parë, SHBA sulmoi qytetet Hiroshima dhe Nagasaki ne Japoni në atë që është përdorimi i parë i një bombe atomike për qëllime lufte. Kjo ishte edhe një akt përgjigje ndaj sulmit të Japonisë, aleate me Gjermaninë dhe Italinë, në Pearl Harbor në Hawaii në dhjetor 1941. Bombat në Hiroshima dhe Nagasaki rezultuan në vdekjen e 129.000 deri në 226.000 njerëzve, shkatërrimin e të dy qyteteve, dhe sëmundje të lidhura me efektin afatgjatë të radiacionit bërthamor në trupin e njeriut.

Niveli i shkatërrimit i shkaktuar nga bombat atomike në Hiroshima dhe Nagasaki inkurajoi Bashkimin Sovietik, që të përshpejtonte programin e vet të armëve bërthamore, nxitur nga Josif Stalini. Kështu, BRSS-ja arriti testimin e parë të suksesshëm të një bombe në 1949. Për Stalinin, prodhimi i një arsenali bërthamor u shndërrua në prioritet akoma më të madh kur SHBA dhe BRSS, aleate në Luftën e Dytë, shpejt u kthyen në armiq me fillimin e Luftës së Ftohtë. Ishte në fakt BRSS-ja e cila detonoi bombën më të fortë atomike në histori në 1961, Bomba Car, me një fuqi prej 50 megaton.

Si SHBA, ashtu edhe Bashkimi Sovietik, i përshpejtuan programet e tyre bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë, e cila mbeti, në pjesën më të madhe, një luftë ideologjike, me konflikte ushtarake të tipit të luftërave “proxy” në teatre të ndryshme të botës si Korea, Vietnami dhe Afganistani. Vetëm në tetor të 1962, BRSS-ja kërcenoi SHBA-në me një sulm bërthamor në Kubë, në atë që quhet Kriza Kubane e Raketave.  Sekretari i Mbrojtjes i Presidentit John F. Kennedy, Robert McNamara, zhvilloi doktrinën MAD (shkatërrim reciprok i siguruar – mutual assured destruction), e bazuar në konceptin e “parandalimit” të teorisë realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku dy shtete nuk hyjnë në luftë me njëra-tjetrën për shkak të frikës të shkatërrimit total që sjellin armët bërthamore. Kështu, u krijua një incentiv për SHBA-në dhe BRSS-në për mos t’i shpallur luftë njëra-tjetrës gjatë gjithë Luftës të Ftohtë. Pavarësisht situatave relativisht më të qeta pas krizës kubane, çështja bërthamore u kthye në krye të axhendës për të dyja vendet me ardhjen në pushtet të Ronald Reagan në SHBA, i cili zhvilloi Iniciativën Strategjike të Mbrojtjes, ose ndryshe “Programin Star Wars,” që shënoi tërheqjen e SHBA nga bisedimet amerikano-sovjetike për reduktimin e arsenalit ushtarak, ku përfshiheshin dhe armët bërthamore.  Me ardhjen në pushtet të Mihail Gorbaçov, që kërkonte të përmirësonte imazhin e Bashkimit Sovietik në botë, me iniciativën e Presidentit Reagan, nisën bisedimet për Traktatin bilateral START, që u firmos në 1991 dhe hyri në fuqi në 1994. START u zëvendësua nga New Start në 2011, nga Presidentët Obama dhe Medvedev.Në nivel ndërkombëtar, publiku u mobilizua në lëvizjen kundër përhapjes së armëve bërthamore që në vitet 60; në vitet 70 lëvizja ishte solidifikuar dhe protesta të mëdha u organizuan në  Londër, Bon dhe New York. Nga ana tjetër, Organizata e Kombeve të Bashkuara, që në 1968, prodhoi Traktatin për Mos Përhapjen e Armëve Bërthamore (Non-Proliferation Treaty, NPT), me qëllimin që të kufizohet përhapja e armëve bërthamore dhe të promovohet bashkëpunimi në përdorimin paqësor të energjisë bërthamore. Qëllimi gjithëpërfshirës është të arrihet çarmatimi bërthamor në botë.NPT-ja pranon ekzistencën e pesë shteteve me armë bërthamore: SHBA, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kina. Katër shtete, India, Izraeli, Pakistani dhe Sudani i Jugut nuk e kanë firmosur Traktatin: India dhe Pakistani i kanë zbuluar programet e tyre bërthamore, ndërsa Izraeli përherë ka shfaqur një pozitë të paqartë për posedimin ose jo të armëve bërthamore. Mendohet se Izraeli ka zhvilluar me kohë një arsenal bërthamor, në përgjigje të konfliktit Arabo-Izraelit. Korea e Veriut, në fakt, e firmosi Traktatin ne 1985, por u tërhoq ne 2003. Ndërsa Irani, palë në Traktat, ka pranuar ekzistencën e një programi bërthamor. Bisedimet në 2010 mes Iranit dhe pesë anëtarëve permanentë të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, plus Gjermaninë, rezultuan në një marrëveshje, e cila kufizonte prodhimin e armëve bërthamore nga ana e Iranit. SHBA, me Presidentin Trump, u tërhoq nga marrëveshja në 2017 dhe rivendosi sanksione ndaj Iranit.

69 shtete nuk morën pjesë në votimin për aprovimin e Traktatit për Ndalimin e Armëve Bërthamore, duke perfshirë shtetet në posedim të armëve bërthamore, si dhe të gjitha shtetet e NATO-s, përvec Hollandës, e cila votoi kundër. Konsensusi në NATO është që armët bërthamore, në fakt, shkurajojnë luftën dhe e bëjnë Aleancën më të sigurtë. Ky në fakt është edhe argumenti parësor i proponentëve të armëve bërthamore. Teoricieni i neo-realizmit politik, Kenneth Waltz, shpjegon që nëpërmjet armëve bërthamore mund të evitohen luftërat e mëdha konvencionale që karakterizonin historinë deri në Luftën e Dytë Botërore. Ky argument është i bazuar në paradoksin e stabilitetit-instabilitetit, i cili parashtron që, kur dy shtete kanë armë bërthamore, probabiliteti i një lufte të drejtpërdrejtë mes tyre ulet, kurse probabiliteti i konflikteve jo të drejtpërdrejta ose më të vogla rritet. Kjo shpjegon se përse në Luftën e Ftohtë lindën kaq shumë konflikte rajonale, kur fuqitë e mëdha ushtronin influencë mbi shtete te ndryshme në vend që të përballeshin me njëra-tjetrën në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ky fenomen vazhdon, për shembull, me Luftën Civile Siriane, e cila është shndërruar në një luftë për influencë dhe nga pikëpamja politike e ka humbur tashmë statusin e thjesht një lufte civile.

Fuqitë e mëdha nuk e kanë problem të përdorin shtete të tjera si terren lufte, për sa kohë nuk përballen me njëra-tjetrën, duke patur parasysh mundësinë e një lufte bërthamore. Normalisht, ky argument ka dominuar marrëdhëniet ndërkombëtare në lidhje me armët bërthamore që nga Lufta e Ftohtë. Nga ana tjetër, kjo ka destabilizuar rajone të ndryshme, veçanërisht Lindjen e Mesme, dhe ka bërë që aktorë rajonalë të duan të shtojnë armë bërthamore në arsenalin e tyre. Është e vërtetë që vetëm SHBA-ja dhe Rusia kanë mbi 90% të arsenalit bërthamor botëror, por posedimi i këtij lloji armësh nga shtete si Kina, Irani apo Korea e Veriut e bën mundësine e një lufte bërthamore më të afert dhe më të frikshme.

Është e qartë që përpjekja e mëparshme e OKB-së për mospërhapjen e armëve bërthamore nuk ishte plotësisht e suksesshme. Në fakt, kanë qenë traktatet bilaterale ato që kanë qenë me efektive në kufizimin e armëve bërthamore. Irani dhe Korea e Veriut qartësisht kanë shkelur kushtet e Traktatit për Mospërhapje. Çfarë ndryshimi do të sjellë Traktati për Ndalimin e Armëve Bërthamore?

Argumenti kryesor në favor të çarmatimit total bërthamor dhe mospërhapjes bazohet në nivelin e shkatërrimit që do të sillte një sulm bërthamor. Bota nuk është e përgatitur të përballoje shkatërrimin total të shkaktuar nga një bombë bërthamore; pas një sulmi të tillë, nuk mund të ketë kthim pas. Ky është një argument që shkon përtej pacifizmit; përbën një llogaritje te kostos/përfitimit në një luftë të tillë, dhe arrin në përfundimin që kostot janë thjesht shumë të mëdha për të patur ndonjë lloj përfitimi. Do të mjaftonte gjysma e arsenalit bërthamor të SHBA-së dhe Rusisë për të shkatërruar gjithë botën, disa herë madje. Duam të vazhdojmë të jetojmë me këtë rrezik?

Është gjithashtu e qartë që bota ka ndryshuar dhe vazhdon të ndryshojë. Pandemia COVID-19 ka treguar sa i brishtë është rendi botëror dhe bashkëpunimi mes shteteve. Gjithashtu, në fjalët e Ernest Moniz dhe Sam Nunn, në një artikull për Foreign Affairs në dhjetor 2020, “COVID-19 na tregoi që e pamundura edhe ndodh.” Një luftë bërthamore nuk është jashtë mundësive në botën në të cilën jetojmë. Uashingtoni dhe Moska nuk kanë qenë kaq afër një lufte bërthamore që nga Kriza Kubane. Për më tepër, OKB-ja mbetet një organizatë me fuqi të butë, e cila, përveç në raste lufte, e vetmja gjë që mund të bëjë është të nxisë axhendën e mospërhapjes dhe çarmatimit total me instrumente të cilat mbeten, fatkeqësisht, gjithashtu opsionale. Është e nevojshme të kuptohet që një rend paqësor është e vetmja mënyrë që bota të përparojë në fusha me interes të përbashkët.

Një nga fushat me interes të përbashkët më të rëndësishme për rendin botëror është lufta kundër terrorizmit. Ish-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare të SHBA-së Henry Kissinger, dikur proponent i zjarrtë i proliferimit bërthamor, ka ndërruar krah. Një nga argumentet e tij më të sakta është mundësia që armët bërthamore të bien në duart e gabuara, ato të terroristëve, ku nuk mund të aplikohet teoria e “parandalimit.” Historia që nga fundi i Luftës së Ftohtë na ka prezantuar me sulmet kamikaze, ku rregullat e “parandalimit” nuk funksionojnë. Rreziku bërthamor, pra, është akoma më i lartë.

Përtej mundësisë që armët bërthamore të bien në duart e gabuara, gjithashtu ekziston rreziku që lideri i një shteti me arsenal bërthamor të reagojë në mënyrë të gabuar. Pushteti thuajse pa kufij i Donald Trump në SHBA apo Kim Jong Un në Korenë e Veriut, dhe gabimet eventuale, tregojnë sa problematik është fakti që përdorimi i armëve bërthamore të jetë i varur nga disa pak individë, të cilët jo domosdoshmërisht kanë si prioritet interesat globale.

Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s, nuk e ka firmosur Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore. Kjo është mëse e kuptueshme, pasi Aleanca ka një qendrim kolektiv unik. Por, gjithsesi, si një vend i vogël dhe pa arsenal bërthamor, ne jemi pjesë e lëvizjes për botën paqësore për sot dhe për nesër. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat