BE-Turqi, bashkëjetesë paqësore edhe pa integrimin e Ankarasë në union

Analiza

BE-Turqi, bashkëjetesë paqësore edhe pa integrimin e Ankarasë në union

Nga: Joschka Fischer Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 17:03
Erdogan dhe Macron

Presidenca e Donald Trump i përket tashmë historisë, dhe kjo gjë e vendos në axhendën evropiane ripërtëritjen e marrëdhënies transatlantike. Por nuk mund të ketë një rikthim tek varësitë e vjetra dhe komode të epokës së Luftës së Ftohtë dhe periudhës pas saj, kur Amerika – mbrojtësja kryesore- vendoste për të gjitha çështjet e rëndësishme të sigurisë, ndërsa Evropa e ndiqte nga pas.

Për të ripërtëritë transatlantizmin, Evropa do të duhet të japë këtë herë kontributin e saj në sigurinë e përbashkët, sidomos brenda mjedisit të saj gjeopolitik. Në fqinjësinë e afërt, Bashkimi Evropian përballet me 3 ish-fuqi globale që janë të fiksuara pas lavdisë së tyre të dikurshme perandorake:Rusia, Turqia, dhe tani Britania e Madhe.

Secila ka një marrëdhënie unike me Evropën, si aktualisht ashtu edhe historikisht, dhe që të gjithë ndajnë disa gjëra të përbashkëta. Nën presidentin Vladimir Putin, Rusia bazohet shumë tek kujtimet e statusit të saj të dikurshëm si një superfuqi, kur Bashkimi Sovjetik ishte ekuivalenti global i Shteteve të Bashkuara.

Nën presidentin Rexhep Tajip Erdogan, Turqia ëndërron të përsërisë zgjerimin gjeopolitik dhe kulturor të Perandorisë Osmane nga Ballkani dhe skajet perëndimore të Azisë Qendrore në Mesdheun lindor dhe bregun e Afrikës Veriore (Libi), deri në Gjirin Persik.

Dhe së fundmi, Britania pas Brexit po kërkon shpirtin e saj perandorak në një lloj izolimi të vetë-imponuar (dhe jo aq të shkëlqyer), edhe pse mbetet pranë evropianëve kontinentale nëpërmjet NATO-s dhe lidhjeve të forta kulturore dhe historike.

Për mirë a keq, BE e ndan kontinentin evropian me këta 3 fqinjë të vështirë, ndaj duhet të punojë me secilin prej tyre për të arritur një bashkëjetesë paqësore. Rusia, një fuqi bërthamore, është shumë e madhe dhe e fuqishme ushtarakisht, dhe Evropa nuk mund t`a menaxhojë dot e vetme.

Këtu, Brukseli do të mbetet i ndërvarur nga mbrojtja e SHBA-së, veçanërisht përballë kërcënimeve ruse ndaj Evropës Lindore dhe shteteve baltike, të cilat u bënë të dukshme me aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe luftën në Ukrainën Lindore.

Por sfida kryesore e Evropës qëndron diku tjetër:Mesdheu Lindor, ku zbulimi i rezervave të konsiderueshme të gazit natyror poshtë shtratit të detit, e ka shtuar ndjeshëm rrezikun e një konflikti midis dy anëtareve të NATO-s ,Turqisë dhe Greqisë, si dhe përfshirjen e shtetit tjetër anëtar të BE-së, Qipros.

Për më tepër, një mision i NATO-s për të ndalur kontrabandën e armëve përgjatë bregdetit libian,përshkallëzoi kohët e fundit një konfrontim të rrezikshëm midis një fregate franceze dhe anijeve të marinës turke, çka solli një përplasje diplomatike serioze.

Në fakt,për shkak të konkurrencës për rezervat e gazit natyror, ndërhyrjes së Turqisë në luftën civile në Libi, konfliktit të vjetër mbi disa ishuj në Egje, mosmarrëveshjeve të vjetra të demarkacionit, të drejtave detare, dhe çështjes së hapur të Qipros,në rajon nuk ka mungesë të vatrave të nxehta.

Këto tensione, të cilat do të përkeqësohen më tej nga rivalitetet shekullore fetare dhe etnike, kanë krijuar një situatë gjithnjë e më të rrezikshme në pragun e Evropës. Sa i përket interesave të saj, Evropa do të duhet të merret vetë me këtë problem.

Nën Erdoganin, Turqia po ndjek prej disa vitesh politika “neo-otomane”. Edhe pse qeveria e tij e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP),u përpoq fillimisht që ta përshpejtojë integrimin me Perëndimin duke ecur drejt anëtarësimit në BE, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i atëhershëm francez Jacques Chirac, ia përplasën derën në fytyrë që në vitin 2006.

Në atë kohë, bumi ekonomik global i krijoi Erdogan përshtypjen se Turqia mund të modernizohej, dhe më pas të rishfaqej si një fuqi e madhe më vete, pa pasur nevojë për integrimin evropian. Por ai i mbivlerësoi shumë aftësitë e vendit të tij (dhe e bën ende këtë gjë).

Brenda vendit, Erdogan u mbështet mbi një aleancë politike me lëvizjen islamike Gylen, deri në tentativën për grusht shteti në vitin 2016, pas së cilës ai krijoi një pakt të ri me nacionalistët e ekstremit të djathtë. Por ndryshimi i aleatëve nuk e zvogëloi elementin fetar në politikën e Erdoganit.

Ai e ka theksuar prej kohësh ndjekjen e një rruge islamike në epokën moderne, e cila përfaqëson një largim nga tradita laike e vendosur nga themeluesi i turqisë post-otomane, Kemal Atatürk. Ky angazhim e ka çuar në mënyrë të pashmangshme Erdoganin larg Perëndimit dhe drejt Lindjes së Mesme.

Tanimë është e qartë se si BE-ja po ashtu edhe Turqia,kanë ngecur në një kurth që e ngritën po vetë:perspektiva e anëtarësimit në BE, e cila nuk do të jetë në tryezë në një të ardhme të parashikueshme. Fatkeqësisht, nga Brukseli nuk po ofrohen mekanizma alternativë të integrimit.

Por, Turqia dhe BE-ja nuk mund të shohin secila punët e vet. Tregjet e Evropës, kapaciteti investues dhe marrëdhëniet e acaruara me rivalët e vjetër të Turqisë, Rusinë dhe Iranin, e bëjnë BE-në të domosdoshme për Turqinë. Ndërkohë,pozicioni gjeopolitik i Turqisë midis Evropës, Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Kaukazit, e bën atë të domosdoshme për BE-në.

Përveçse është atdheu stërgjyshor i një pakice të madhe emigrantësh në Gjermani, Belgjikë dhe Skandinavi, Turqia do të vazhdojë të shërbejë si një “pikë-kalimi” e rëndësishëm për refugjatët nga Azia në Evropë. Prandaj, është e domosdoshme që të dyja palët të zhvillojnë një marrëdhënie paqësore edhe jashtë anëtarësimit në BE.

Sigurisht, për momentin duhet të vazhdojë pezullimi i procesit të pranimit të Turqisë; pasi mbetet të shihet se kush do t`a pasojë Erdoganin në pushtet. Dhënia zyrtarisht fund e këtij procesi në momentin aktual, do të bënte më shumë dëm sesa dobi.

Por, për sa kohë që Erdogan është në pushtet, bashkëjetesa është opsioni më i mirë për të cilin mund të shpresohet. Ndërkohë Evropa nuk duhet të harrojë lojën e gjatë, e cila në mënyrë të pashmangshme do të përqendrohet tek Kina dhe jo tek Rusia,apo marrëdhëniet me Britaninë pas Brexit.

Kina po investon aktualisht fuqishëm në Iran, duke treguar se ka kapital, njohuri dhe teknologji për t`a projektuar fuqinë dhe ndikimin e vet edhe përtej kufijve kombëtare. Në rast se do të ketë sukses në shndërrimin e Nismës së Brezit dhe Rrugës në një varg “gurësh themeltarë” gjeopolitikë, Pekini mund të shfaqet së shpejti në kufirin juglindor të Evropës në një formë që askush në BE nuk e ka parashikuar. Evropa nuk mund t`a dëshirojë kurrsesi një rezultat të tillë. Prandaj “çështja turke” do të mbetet më e rëndësishme se sa kurrë më parë.

Shënim: Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm dhe zv/kancelar i Gjermanisë në vitet 1998- 2005. Ai ka qenë për gati 20 vjet kryetar i Partisë së Gjelbër. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat