Zhvillimi i mirëfilltë ekonomik, prioritet i prioriteteve

Analiza

Zhvillimi i mirëfilltë ekonomik, prioritet i prioriteteve

Nga: Prof. Dr. Musa Limani Më: 14 gusht 2021 Në ora: 13:53
Musa Limani

Zhvillimi ekonomik, paraqet çështje thelbësore, të veçantë e komplekse për të gjitha vendet, pa marrë parasysh sistemin ekonomiko-shoqëror dhe nivelin e arritur të forcave prodhuese. Kjo është e kuptueshme se, nga zhvillimi ekonomik varet edhe stabiliteti politik, standardi jetësor dhe zgjidhja e problemeve sociale. Andaj, aktualisht si pyetje në vete edhe për Kosovën duhet të jetë zhvillimi i mirëfilltë ekonomik, përkatësisht ai të jetë prioritet i prioriteteve në Programin e Qeverisë. Siç dihet, “baza materiale përcakton superstrukturën”, apo “vetëdija e njeriut nuk e përcakton qenien e tij, por qenia e tij shoqërore e përcakton vetëdijen e tij”. Pra, si çështje thelbësore edhe në Kosovë duhet të ishte dhe të jetë sigurimi i bazës materiale, ngritja e forcave prodhuese, rritja e punësimit, standardit jetësor, zvogëlimi i problemeve sociale, pavarësia ekonomike etj., të cilat nuk mund të arrihen pa zhvillim makroekonomik.

Edhe pse në pikëpamje deklarative, për herë në fushatat elektorale dhe nga partitë në pushtet, potencohej zhvillimi ekonomik si prioritet kryesor, duke premtuar zhvillim marramendës, punësim deri në 200 mijë veta, zvogëlim të normës së punësimit deri në 18%, e çka jo tjetër. Mirëpo, për fat të keq, kështu nuk ndodhi. Pas zgjedhjeve këto premtime as që ziheshin në gojë. Zhvillimi ekonomik pas çlirimit ishte i ngadalshëm dhe jo adekuat, ku u përcoll me formimin e një strukture të pavolitshme ekonomike, si dhe me një nivel të ulët të zhvillimit të forcave prodhuese. Për kah niveli i zhvillimit ekonomik (edhe për rreth premtimeve se Kosova do të bëhet Zvicër), tani Kosova paraqet vendin më të pa zhvilluar, jo vetëm në Ballkan dhe Evropë, por si e tillë hynë në rradhën e vendeve më të pa zhvilluara të botës.


Zhvillimi ekonomik nuk bëhet me deklarata politike, e as sipas dëshirës, por me kuadro profesionale e me avancime investive. Në mos zhvillimin adekuat ekonomik në periudhën e deritanishme, duke mos lanë anash edhe faktor të tjerë, kanë ndikuar dy faktor kryesor. Së pari, e mbi të gjitha zhvillimi ekonomik do të duhej mbështetur në profesionalizëm, mirëpo politika kadrovike destruktive i anashkaloi këto kuadro. Kjo nuk ndodhi, sepse politika kadrovike shkeli “trurin”, përkatësisht duke lënë anash kuadrot profesionale, duke i avancuar diletantët, jo profesionalistët, të dëgjueshmit, militantet, e kështu me rradhë.

Në vend që në institucione përkatëse të vendosen profesionalist gjegjës, shpesh ndodhi e kundërta. P.sh. kemi raste kur në ministritë kryesore ekonomike vendoseshin historian, mjek, pastaj, në ministrinë e punëve të brendshme gjuhëtar, në ministrinë e arsimit ekonomist, në ministrinë e shëndetësisë psikolog, jurist, në borde të ndërmarrjeve publike jo profesionalist etj., edhe për rreth faktit se Kosova
dispononte dhe disponon me kuadro profesionale-shkencore të të gjitha profileve dhe fushave më së paku të rangut evropian.

Andaj, politika e tillë kadrovike destruktive favorizonte militantët partiak dhe të dëgjueshmit, duke i lënë anash profesionalistët me kredibilitet e përvojë në fushat e tyre. Së dyti, dominimi i temave politike. Duke filluar nga Pavarësia e këndej, dominonin temat politike, me të cilat kot për koti me dekada jemi marrë me to, pa kurrfarë efektesh, duke lënë anash zhvillimin ekonomik. Si rrjedhim, në mungesë të kuadrove profesionale dhe intelektualëve të mirëfilltë, në Kosovë pas pavarësisë, asnjë qeveri nuk bëri kurrfarë reformash ekonomike, nuk hartoi e as nuk zbatoi politikë konsekuente ekonomike. Andaj, ekonomia e Kosovës nga pavarësia e deri më tani u zhvillua ad hoc, pa vizion, pa politikë zhvillimore makroekonomike, pa koncept e strategji dhe në mënyrë parciale. Ndonëse, qeveritë e më parëshme, tentuan katër herë të hartojnë strategji zhvillimore (edhe pse ato ishin plane afatmesme, por emëroheshin strategji), por të gjitha dështuan, pikërisht në mungesë të kuadrove profesionale, në një anë, dhe, dokumentet e tilla tentonin t’i hartonin ministritë, përkatësisht Qeveria, në anën tjetër.

Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, Qeveria e as një ministri e saj nuk mund të hartojnë dokumentin siç është strategjia qoftë afatmesme apo afatgjate, sepse nuk posedojnë (u mungon) potencial kadrovik profesionalo-shkencor me përvojë dhe metodologji adekuate shkencore. Qeveria si ekzekutiv dhe ministritë e saj mund të bëjnë ndonjë separat sektorial, por hartimin e dokumenteve strategjike zhvillimore afatmesme apo afatgjate e bëjnë vetëm institucionet gjegjëse shkencore, kurse ajo mund të jetë vetëm porositëse.


S’ka dyshim se zhvillimi, apo rritja (shtimi) ekonomik, paraqet njërin ndër synimet kryesore të çdo vendi, që duhet të vlejë edhe për Kosovën. Mirëpo, edhe për rreth kësaj ende nuk kemi ndonjë përkufizim të prerë profesional, se ç‘duhet të kuptojmë me zhvillim apo shtim ekonomik. Si do që të jetë, marrë globalisht, apo thënë në mënyrën më të thjeshtë, me zhvillim ekonomik duhet kuptuar zhvillimin e forcave prodhuese. Andaj, niveli i zhvillimit ekonomik, pos tjerash, paraqet faktorin më të rëndësishëm të suksesit dhe shpreh efektet e politikës së zbatuar ekonomike, në periudhë të caktuar kohore. Rrjedhimisht, zhvillimi ekonomik ka karakter dinamik, e jo statik, ai për herë vepron në ndryshimet sasiore dhe vlerësore të të mirave
materiale, gjegjësisht në ngritjen e forcave prodhuese.


Në analizat empirike, si problem në vete, jo vetëm nga aspekti teorik, por edhe pragmatik na paraqitet përcaktimi i treguesve më relevant që shprehin nivelin e (mos) zhvillimit ekonomik. Pos kësaj, si pyetje në vete na paraqitet se, çka kuptojmë me “shtim”, apo “rritje “ekonomike. Shtimi ekonomik paraqet proces dinamik të rritjes së Bruto Produktit Vendor (produktit shoqëror), në ekonominë e një vendi, si funksion i rritjes së avancimeve investive.

Duke mos u lëshuar në elaborimin e më tejmë të kësaj çështje, me këtë rast unë po e analizojë vetëm dinamikën e rritjes ekonomik në ekonominë e Kosovës në periudhën 2008-2019, që shprehet për mes normës së shtimit mesatar vjetor të Bruto Produktit Vendor (BPV).


Kohëve të fundit Ministria e Financave dhe Transfereve po paraqitet me disa parashikime mjaft të larta për rritjen ekonomike deri në fund të këtij viti. Kështu, në mjetet e informimit të shkruara dhe elektronike, ministri z. Hekuran Murati, ndër të tjera deklaron: “Sa i përket rritjes ekonomike në buxhetin e rishikuar që e kemi dorëzuar edhe në Qeveri ne si ministri por që ka marrë dritën e gjelbërt edhe në Kuvend, kemi paraparë që të ketë një rritje prej 7,9% nominale”, duke vazhduar: “Nuk mendoj se kjo shifër është ambicioze duke i konsideruar shifrat që po i marrim çdo ditë. Po flasim për rritjen më të lartë në dy dekadat e fundit, parametrat që është bazuar kjo rritje janë investimet publike por edhe rritja e aktiviteteve ekonomike në sektorin
privat. Ne po shohim një çlirim të të gjithë potencialit që është grumbulluar përgjatë pandemisë e që po ndodhë tani”. Duke mos potencuar gabimet gjuhësore, veçmas terminologjike profesionale (psh. shifra-në vend-të dhëna etj.), mendoj se, bazën në të cilën e mbështet ministria për realizimin e normës prej 7,9% të rritjes ekonomike, nuk është bindëse.

Nga mjetet buxhetore për këtë vit, s’di sa mjete materiale Qeveria mundet t’i ndaj për investime publike, sepse një pjesë e konsiderueshme e tyre do të shkojë në sanimin e gjendjes jo të mirë të krijuar në bizneset e sektorin privat, një pjesë tjetër për projektet e filluara më parë. Andaj, mundësia për investime kapitale do të jetë e përkufizuar. Siç dihet, bizneset private, heq disa të mëdha, të tjerat nuk kanë mundësi vetanake të avancojnë kapital të tyre në investime.

Andaj, unë personalisht jem skeptik se burimet që u cekën nga Ministri i Financave dhe Transfereve, të mundësojnë realizimin e rritjes ekonomike prej 7,9%!. Të shpresojmë se janë bindëse.

Mjetet buxhetore me të cilat Qeveria mund të intervenojë në ekonomi, pjesa dërmuese e tyre do të shkojë për rimëkëmbje të ekonomisë, të cilat mund të shërojnë ekonominë, në disa sektor, vetëm nga vdekja “klinike”, e jo më shumë. Në ekonominë e Kosovës tani kemi një gjendje të ndërlikuar.

Kemi rënien e prodhimit vendor, largimin nga puna, përkufizimi i punës në disa sektor të prodhimit e shërbimeve, veçmas të sektorit të gastronomisë etj., që për sanimin e gjendjes së krijuar në këta sektor nevojiten mjete të konsiderueshme materiale (investime). Mendoj, nëse deri në fund të
këtij viti, do të mund të kthehen trendet ekonomike negative në ato pozitive, do ta quaja sukses.


Kur, krejt kësaj i shtojmë se: bizneseve të sektorit privat u mungon akumulimi (investimet),· paraqitja e inflacionit, deficiti i madh i bilancit të tregtisë së jashtme,· struktura e pavolitshme ekonomike dhe efikasiteti i ulët i investimeve,· mungesa e investimeve të jashtme,· evazioni fiskal,· norma e lartë e papunësisë,· korrupsionin, nepotizmin,· krimi i organizuar së bashku me kontrabandën ekonomike etj.· mbetet shumë pakë shpresë për ndonjë rritje të madhe të BPV.
 

Tani shtrohet pyetja. Si mund të sigurohet vlera përkatëse e investimeve të cilat do të siguronin rritjen ekonomike prej 7,9%?! Unë këtë parashikim të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, e shoh si dëshirë, që është e gjithë neve, por e pa realizueshme, sepse dëshirat janë infinitive, kurse
mundësitë janë të kufizuara. Niveli i zhvillimit ekonomik, struktura e pavolitshme ekonomike, destabiliteti politik, situata e ndërlikuar ekonomike vendore e ndërkombëtare, rikthimi i pandemisë etj., do të jenë faktorë përkufizues që të kemi ndonjë rritje sipas parashikimeve të kësaj ministrie.


Në vazhdim do të bëjë një analizë empirike të rritjes së BPV në periudhën 2008-2019, duke u bazuar në vlerën e BPV dhe Formimit të Bruto Kapitalit (FBK), sipas të dhënave publike me çmime aktuale (të marrura nga Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës 2021). Kjo analizë
do të më shërbeje të konstatojë rimet (dinamikën) e zhvillimit ekonomik të Kosovës në periudhën në fjalë, në një anë, dhe, mundësit e rritjes ekonomike për vitin 2021, në anën tjetër. Në bazë të parametrave të nxjerra nga Vjetari në fjalë, për periudhën 2008-2019, siç janë:
kumulativi i vlerës absolute dhe shtimi i BPV-së (si tregues sintetik më relevant për të shpreh rritjen ekonomike, përkatësisht dinamikën e zhvillimit) , norma investive dhe koeficienti kapital margjinal, më del se rritja e BPV në periudhën 2008-2019, është realizuar me një normë shtimi
vjetor prej 5,5%.

Diferenca e rritjes së vlerës absolute e BPV prej viti në vit ishte e vogël. Sa për ilustrim po e marrim këtë shtim vetëm nga viti 2015. Në vitin 2015 vlera absolute e BPV ishte 5.674 milion euro, e cila vlerë më 2016 u ngritë në 6.037 milionë euro, pra, me një diferencë vetëm për 363 milionë euro. Kjo diferencë më 2017, në krahasim me vitin paraprak ishte 319 milionë, më 2018 në krahasim me vitin paraprak ishte 316 milion dhe më 2019 në krahasim me vitin paraprak ishte 384 milion euro (çmimet aktuale).


Andaj, pasi nuk disponoj me vlerën absolute të BPV për vitin 2020, këtë vlerë do ta nxjerr duke i shtuar rritjen e BPV maksimal të viteve të sipër cekura, që ishte për afërsisht 400 milion euro. Tani nëse vlerës absolute të BPV të vitit 2019 prej 7.056 milionë euro, ia shtojmë 400 milion euro (ndonëse në këtë vit kishte rënie të BPV në raport me vitin 2019), do të fitojmë vlerën absolute të BPV për vitin 2020 prej 7.456 milionë euro (mund të jete edhe më e vogël). Ndërkaq, kur kësaj vlera ia shtojmë po ashtu 400 milion euro (që është vështirë), fitojmë vlerën absolute të BPV për vitin 2021 prej 7.856 milion euro.

Atëherë, sipas këtyre të dhënave rritja e BPV më 2021 do të jetë 5,4%. Ndërkaq, për ta fituar normën e rritjes prej 7,9% në vitin 2021, nevojitet të kemi një vlerë absolute të BPV në vitin 2021 prej 8.045 milion euro, apo për këtë vit në krahasim me vitin paraprak duhet të kemi shtim të BPV prej 589 milion euro. Si rrjedhim, për të fituar këtë shtim absolut, me koeficientin kapital margjinal 6,0 që ishte në periudhën 2008- 2019, do të nevojiten investime në vlerë 3.500 milion euro. Mirëpo, duke u bazuar nga situata e ndërlikuar ekonomike e përmiellur me pandemi, dhe strukturës së pavolitshme ekonomike, është shumë vështirë që rritja e BPV për këtë vit të jetë rreth 600 milion euro.

Andaj, duke pasur parasysh mundësit investive të bizneseve vendore dhe vlerës së mjeteve buxhetore të dedikuara për ekonomi, mendoj se, rritja e vlerës absolute të BPV për vitin 2021 do të jetë maksimale 250- 300 milion euro. Atëherë, në bazë të këtij presupozimi, vlera absolute e BPV në vitin 2021, sipas analizës së lartcekur do të jetë diku 8.106-8.156 milion euro.

Kështu, në bazë të këtyre të dhënave sipas vlerësimit tim, rritja e BPV në vitin 2021 do të jetë 3,2-3-8%. Mendojë se kjo do të jetë rritja reale ekonomike matur me shtimin, apo rritjen e BPV. Dëshirat e gjithë neve në Kosovë janë që rritja e BPV në vitin 2021 të jetë, jo 7,9%, edhe 10,0%, bile edhe më shumë, pse jo. Mirëpo, zhvillimi ekonomik nuk bëhet me dëshira, e as me deklarata politike populiste, por
me kuadro profesionale dhe me avancime investive gjegjëse.


Dhe për fund, një fjalë popullore thotë: “Petullat nuk bëhen me ujë”, e unë do të thoja se zhvillimi ekonomik nuk bëhet me dëshira, deklarata “bombastike”, pa kuadro profesionale, e pa investime si faktor material determinues të zhvillimit ekonomik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat