Merkel erdhi, pa, iku e na la modelin gjerman të qeverisjes, PS-PD...

Analiza

Merkel erdhi, pa, iku e na la modelin gjerman të qeverisjes, PS-PD...

Nga: Xhevat MUSTAFA Më: 15 shtator 2021 Në ora: 07:51
Xhevat Mustafa

Dje, më 14 shtator 2021, ishte për vizitë zyrtare në vendin tonë kancelarja e Gjermanisë, kolosja si politikane dhe kryeqeveritare dhe tejet njerëzorja, Angela Merkel. Krahas një bollëku mesazhesh, këshillash, kritikash, si dhe gabimesh dhe sjelljesh arbitrare nga mikpritësi(përfshirë edhe atë me gazetarët nga Kosova), ajo na solli e na la edhe modelin e qeverisjes gjermane, atë të një koalicioni mes të djathtës dhe të majtës. Natyrisht, nuk ka qenë perfekt dhe pa kriza, por, gjithësesi, përgjithësisht pozitiv dhe i suksesshëm, edhe në këto afro 2 vitet të rrjedhojave të pandemisë nga Covid 19. Duke u kapur nga kjo ngjarje, po përfitoj të hedh për publikim dhe debat pikërisht sot, një ide që e kam publikuar edhe rmë shumë se 8 vjet më parë, më 23 qershor 2013. Fjala është për aplikimin e mundshëm, shpejt apo vonë, edhe tek ne të modelit gjerman të qeverisjes. Argumenteve të mia të para 8 vjetëve u janë shtuar të reja, ndërsa shumicës së shqiptarëve u është nxirë edhe më shumë jeta dhe Shqipëria nga vazhdimi rreth 30 vjeçar i gjëmësjellësit “model shqiptar”. Rezultati i zgjedhjeve allashqiptare të 25 prillit 2021, me një “fitore” të pistë e jo të thellë të Rama-Rilindjes dhe me një humbje të beftë e të pamerituar të PD-së, koalicionit AN dhe LS-i, fsheh e shpreh se qysh në ditët e para të sajimit të tyre parlamenti dhe qeveria e re do të jenë shpesh nën presionin e krizave, në rastet kur për miratimin e disa dekreteve do t’u duhen 2/3 e mandateve. Fatmirësisht, duke mos i pasur 2/3 e mandateve, pozita do ta ulë hundën përpara opozitës, duke iu lutur për atë dorë votash që i duhen, çka Rama e ka bërë disa herë.

Është më e logjikshme dhe më e pritshme që PD, jo për hakmarrje se Rama dhe bandat e tij ia vodhën fitoren nëpër duar, në gojë apo nën hundë, por për dinjitetin si opozitë ruajale dhe demokratike, të mos ia falë këto vota. Por, Rama-oligarkia mund të përdorin armët e milionave, të PPV-ve dhe premtimeve shumëformëshe, për t’i blerë nga opozita 10 mandate, nga ata të “miellit dhe të brumit” Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Rudina Hajdari, Kujtim Gjuzi, Myslim Murrizi...Nëse këtë herë, çka duket më shumë e pamundur, nuk u ecën ky pazar i pistë allashqiptar, do të përjetojmë kriza parlamentare dhe qeveritare, që mund të kenë kosto të lartë për proçesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE dhe në fushën social ekonomike...Në këto kushte, do të dalin në rend të ditës dy alternativa. E para, ajo e protestave masive, të zgjatura në kohë dhe me karakter radikal, me kërkesë kryesore zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe krijmin e një qeverie teknike. E dyta, ajo, shumë më pak e pranueshme, tani për tani, nga ushtritë e miltantëve të të dy palëve, e një qeverie koalicioni PS- PD. Sot për sot ky koalicion mund të etiketohet si një ëndërr. Por, as nuk mund të thuhet kategorikisht se i ka të mbyllura të gjitha dyert si mundësi. Aq më tepër që nuk po duket në horizontin e politikës sonë një pol i tretë, që të prishë alternimin në pushtet mes dy partive më të mëdha, Në të kundërt të asaj që presim, këto, në plot periudha dhe raste, nga fakti “i pjelljes nga një mitër”, ngjajnë më shumë si binjake apo si “konkubina” se sa si kundërshtare të papajtueshme. Këtë opsion e ndihmon edhe fakti se nuk kemi as “të majtë” dhe as “të djathtë” gjenetike, të vërteta, të sinqerta...

Natyrisht nuk do të jemi as të parët dhe as të fundit. Kjo është një dukuri dhe përvojë e zbatuar prej shumë dekadash më parë në disa vende të botës, më së shumti në ato të Evropës Perëndimore. Fare afër vendit tonë, edhe në Greqi dhe Itali. Më larg në Gjermani, në Austri... Ndër kundërshtarët më të flaktë mund të jenë disa politikanë të lartë e të mesëm të PD-së, PS-së, LSI-së dhe të disa partiçkave, që janë ndjerë më të kënaqur dhe më të fituar me stabilitetin e brishtë politik, social dhe ekonomik si dhe me shtetin ligjor anemik, kaotik apo haxhiqamilist në vend, çka u ka mundësuar pasjen në tavolinën e vet të një pjese jo të vogël të tortës së pushtetit apo të privilegjeve.

Të tjerë mund t’i mbështesin kundërshtimet e tyre duke kujtuar fatin e jetëshkurtrave Qeveri e Stabilitetit, (11 qershor 1991 – 6 dhjetor 1991, e kryesuar nga Bufi e Ahmeti, qeveria e Bashkim Finos, 1997, të cilat u formuan për të përballuar situata vërtet të jashtëzakonshme, të qeverisë “teknike” PS/PD me shef Edi Ramën, e krijuar për “mbarëvajtjen” e zgjedhjeve më 2017,...Plot kundërshtarë mund të kapen logjkshëm tek fakti se Shqipëria jonë nuk është Gjermani. Por, mund të vjelim vetëm të mira nëqoftëse marrim përvojë pozitive nga Gjermania, sidomos në kushtet tejet kritike që përjetojmë prej vitesh... Tani, pas 25 prillit 2021, "të gjitha pushtetet janë në duart e sovjetëve"!!!??? Çfarë mund të bëjë Basha apo ai që mund të vijë në vend të tij në këto kushte për të ndryshuar këtë raport, që u krijua kur ishin në pushtet politik Berisha, Meksi, Topi, Nishani, Topalli, Imami, Patozi, Ruli, Bode...??? Në kushtet e një koalicioni hipotetik apo konkret PD-PS, në pikëpyetje të madhe mbetet fati i LSI-së. Sipas gjykimit tim ajo mund të ketë 3 opsione apo alternativa. E para, të bashkohet me PS, nga “mitra” e të cilës ka dalë; e dyta, bashkimi me PD dhe e treta, mbetja me emrin, flamurin dhe identitetin e saj, duke tërhequr me vete partitë e vogla, që nuk dëshirohen dhe thithen nga PS e nga PD. Nuk do të ishte ngjashëm me një kiamet politik nëse LSI mbetet jashtë qeverisjes për 4 vjet, për ta shfrytëzuar këtë periudhë për t’u afirmuar dhe konsoliduar si opozitë e koalicionit të dy partive kryesore apo si pol i tretë. Shembulli dhe përvoja e Vetëvendosjes së Albin Kurtit në Kosovë mund t’i shërbejë jo vetëm për optimizëm dhe shpresë, por edhe si një mundësi konkrete. Një ditë të afërt apo më të largët, pas dështimit dhe diskretimit të dy partive kryesore, shumica e zgjedhësve mund të kthejnë sytë tek ajo...

Natyrisht, kjo lloj qeverisjeje koalicioni dypolësh, mbart me vete disa të mira dhe disa të këqija, disa avantazhe dhe disa rreziqe. E fillojmë me “të mirat”. Me shumë gjasa mund të ulet ndjeshëm fryma konfliktuale në parlament, tek grupet e deputetëve dhe jashtë parlamentit, në masat e anëtarësive dhe të zgjedhësve. I hapet rruga kultivimit të psikologjisë, edukatës dhe traditës së konsensusit, kompromisit, marrëveshjeve dhe bashkëpunimit,sidomos për çështje madhore, me interes mbarëqytetar e mbarëkombëtar. Vetëkuptohet se njëherazi me këtë, i mbyllet rruga psikologjisë dhe praktikës së bojkotimit dhe bllokimit të projekt-ligjeve dhe të projekt-vendimeve me interes dhe në dobi të të gjithë popullit dhe vendit. Qeverisja e përbashkët do t’u krijojë mundësi zgjedhësve dhe të gjithë qytetarëve të shohin dhe binden se cila parti ka qenë më e përgjegjshme dhe më kërkuese për përzgjedhjen e ministrave, në aspektin e meritokracisë dhe të aftësive reale drejtuese, konstruktive. Se cila do të ketë ministrat më të aftë, më të suksesshëm, më të pastër nga pluhurat dhe njollat e korrupsionit, më rezistentë ndaj zarfeve gjatë tenderëve, koncesioneve, PPP-ve...Gjithashtu, qytetarët do të kenë mundësi të shohin dhe binden se cila parti do të jetë më e përgjegjshme dhe më e përkushtuar për realizimin e premtimeve elektorale.

Edhe të këqijat mund të jenë të bollshme. Si e keqja e parë mund të vlerësohet mbetja e politikës shqiptare me një opozitë të dobët, e përbërë nga parti të vogla, shumica të papërfaqsuara në parlament, qoftë edhe me 1-2 deputetë. Por, ka edhe periudha, kur për një vend është më e pranueshme dhe e dobishme një opozitë e dobët se sa e fortë, përgjithësisht konfliktuale, destruktive, nihiliste, kundërshtuese, bllokuese... Nuk mund të përjashtohet kategorikisht edhe mundësia që bashkëjetesa të shndërrohet në një garë të pashpallur se cila të vërë më shumë në poste me përfitime të mëdha njerëz besnikë të partisë; të përfitojë më shumë kapital politik, financiar dhe propagandistik në dikasteret e veta, duke lënë në plan të dytë apo të tretë cilësinë, efektivitetin, dobinë e përgjithshme, konstruktivitetin e punëve e të veprave. Pra, nuk mund të përjashtohet edhe mundësia që qeveria e koalicionit PD-PS ose PS-PD të jetë një dështim dhe zhgënjim i plotë e një eksperiment i kotë.

Të mirëkuptohemi: mendimi im është për një qeveri koalicioni PD- PS, duke bërë katarsis, përtëritje dhe demokratizim të sinqertë e të thellë të dy partitë, duke pranuar të dyja hetimin dhe penalizimin e të gjithë drejtuesve të tyre të tre niveleve të qeverisjes, të përfolur e të përmbytur nga abuzimet, shpërdorimet dhe korrupsioni dhe largimin e atyre që vetëm kanë vegjetuar dhe përfituar, pa bërë as edhe një koqe ve e jo më një pulë apo gjel. Pra, që të dyja të jenë aty tek e shumta 25% me këtë “brumë” e me këto “peta”! Sipas vizionit tim subjektiv, Shqipërisë dhe shqiptarëve, u duhet sa më parë një qeveri me ministra- ekspertë të fushave ekonomi- financa, inxhinieri, jurisprudencë, shkencat informative e kompjuterike, sociale..., me figura me diploma dhe doktoratura djerse, më së shumti në universitetet e vendeve të Perëndimit. Natyrisht, edhe me integritet të spikatur intelektual, qytetar, profesional, jo me partiakë e militantë të verbër, jo me kukulla dhe kone të kryetarëve; jo të pranishëm në qeveritë e mëparshme. Kjo nënkupton se qeveria e mundshme, e afërt apo tejet e largët, PD-PS duhet të jetë pa shumicën e politikanëve, pushtetarëve dhe ishpushtetarëve të këtyre 30 vjetëve, zogj fluturakë nga një parti e qeveri në tjetrën; që na kanë sjellë në ketë gjendje katastrofike, në fund të shumicës së klasifikimeve të Evropës për treguesit e zhvillimit, mirëqenies, integrimit... e të parët për plot të këqia. Edhe më qartë: nga “e majta” jam për qeverisje PD-PS pa Ramën, si kryeministër ose si president dhe “kukullat” apo kartat e djegura të tij në qeveritë e periudhës 2013-2021.Nga “e djathta”, pa Bashën, si zv.kryeministër ose si kryeministër dhe shumicën e listës së kandidatëve të tij për deputetë, gjithashtu karta të ndryshkura gjatë këtyre 30 vjetëve...Rama e Basha, sipas rezultateve të zgjedhjeve me të vërtetë demoktratike në parti, mund ose jo të mbajnë postet e kryetarëve të partive...Merret me mend se në qeverisjen e re nuk do të ketë vend as për Berishën dhe Metën...Si qytetar e analist politik, më trembin periudha pas 25 prillit 2021, vjeshta dhe dimri 2021. Në kushtet që është vendi, me tendencë rëndimin dhe thellimin e krizave dhe përforcimin e mafias e të neodiktaturës, me maskë demokratike dhe pandemike, shpëtimi ynë mund të ishte modeli gjerman.

Ky model do të zbatohet, herët apo vonë. Subjektivisht, unë jam për: më mirë një “fund i tmerrshëm”, (modeli gjerman) sesa një tmerr pa fund,( modeli allashqiptar)! Sidomos këto 8 vjet, është bërë e kuptueshme! E majta nuk e lëshon Shqipërinë nga pengmarrja 80 vjeçare. As pushtetet nuk i lëshon me zgjedhje të ndershme e me të vërtetë demokratike dhe pa një 97- të dytë, në ortakllëk me bandat e krimit, me oligarkinë dhe qarqe antishqiptare, përfshirë edhe gjasme aleatë! As flirtet e fshehta, në mos tërësorë, në grupe, nuk do të reshtin...Nuk do ta shmangim përfundimisht as rrezikun që të vazhdojmë edhe 30 vjet të tjerë me këto parti jo demokratike dhe me qeveri të tyre me doza të larta paaftësie, korrupsioni e papaërgjeshmërie, që mund të bëjnë edhe rrotacione formale dhe fare pak apo aspak të dobishme për shumicën e qytetarëve.Në këto kushte, PD- së i bie barra apo misioni të rrezikojë e vetësakrifikojë ca, duke pranuar me gjysëm zemre bashkëqeverisjen me PS- Rilindjen, sipas modelit gjerman. Bashkëqeverisja vërtetë dëmton më shumë PD, por duke u ballafaquar në qeverisjen e përditshme me PS, duke treguar pastërti, ndershmëri dhe përgjegjshmëri më shumë se ajo, mund t’i bindë shumë shqiptarë se "të dy palët nuk janë 100% njësoj", se PD ka një ekip, qoftë edhe rreth 25-50% më të mirë!!! Bashkëqeverisja me PS është si një lojë me zjarrin, një eksperiment dhe aventurë me shumë shanse dështimi, me një partner të lig gjenetikisht e të pasinqertë,me shpresën të vakët se do ta moderojë, demokratizojë, emancipojë, shqiptarizojë, sado pak, nga mandati në mandat. Sinqerisht, me zemër jam për JO!!!, me logjikë të ftohtë për një “po”...të dobët e mëdyshëse, për një eksperiment dhe sakrificë të fundit! Në mënyrë figurative, do ta krahasoja si në rastin e një çifti problematik e me shumë sherre, ku gruaja( PD) pranon ribashkimin apo bashkëjetesën me burrin e keq, për hirë të fëmijëve!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat