Si ndodhi metamorfoza e Vladimir evropianit

Analiza

Si ndodhi metamorfoza e Vladimir evropianit

Nga: Created by Polish Më: 28 mars 2022 Në ora: 16:15
Vladimir Putin

Çfarë ka ndodhur në këto njëzet vjet, për të transformuar një partner dhe aleat të mundshëm në një kryqtar antiperëndimor dhe një tiran në vendin e tij? Ekzistojnë tre linja të metamorfozës së Vladimir Putinit.

E para është e brendshme: obsesioni pas pushtetit.  

E dyta është e jashtme: sindromi i rrethimit.  

E treta është ideo-fetare: mitologjia e machismo-s (“nastojashij russkij mushina” thuhet në rusisht) dhe nostalgjia për “homo sovieticus”. 

“Rusia është një mike e Evropës, një paqe e qëndrueshme në kontinent është një objektiv themelor për kombin tonë. Ashtu si respektimi i të drejtave dhe lirive demokratike është objektivi kryesor i politikës sonë të brendshme”.  Kështu fliste Vladimir Putini në Parlamentin gjerman më 25 shtator 2001, duke përdorur atë që ai vetë e kishte quajtur si “gjuhën e Gëtes, Shilerit dhe Kantit”, e mësuar në pesë vitet që kaloi në Dresden, si drejtues i seksionit lokal të KGB, me gradën nënkolonel.

Dje në New York Times Roger Cohen e ripërmendi me të drejtë atë fjalim për të nënvizuar kontradiktën midis Putinit të djeshëm dhe atij të sotëm.

Në atë kohë Putin ishte 48 vjeç, kishte qenë president i Rusisë për një vit, i sponsorizuar nga Boris Yeltsini (me sugjerim të Anatolij Chubais, i vetëdërguar ditët e fundit në Turqi) sepse konsiderohej politikisht jo inteligjent dhe lehtësisht i lakueshëm. Perëndimi flirtoi me të. George W. Bush, pasi e takoi, tha se e kishte kuptuar “thellësinë e shpirtit të tij”, duke e parë në sy. Një vit më pas u krijua Këshilli NATO-Rusi dhe vetë Putini kishte hedhur hipotezën, duke folur me Klintonin, se Rusia do t’i bashkohej Aleancës Atlantike.

Dy dekada më vonë, i njëjti njeri, i cili do të mbushë 70 vjeç më 7 tetor, filloi një luftë në zemër të Evropës, duke pushtuar Ukrainën për të “denazifikuar qeverinë”, duke rrafshuar qytetet e saj , duke masakruar civilë të pafajshëm. 

Ndërsa në Rusi skllavëroi gazetat dhe TV, shtypi çdo manifestim të disidencës në rrugë me dhunën e policisë së trazirave, e dënoi Alexei Navalnj me 9 vjet burg të ashpër. Dhe i përcakton kundërshtarët e tij si “tradhtarë”, të cilët rusët “do t’i pështyjnë si mushkonja që u futen aksidentalisht në gojë”.

Çfarë ka ndodhur në këto njëzet vjet, për të transformuar një partner dhe aleat të mundshëm në një kryqtar antiperëndimor dhe një tiran në vendin e tij? Ekzistojnë tre linja të metamorfozës së Vladimir Putinit.

E para është e brendshme: obsesioni pas pushtetit.  

E dyta është e jashtme: sindromi i rrethimit.  

E treta është ideo-fetare: mitologjia e machismo-s (“nastojashij russkij mushina” thuhet në rusisht) dhe nostalgjia për “homo sovieticus”.

E para ndodhi që në vitin 2003, kur Mikhail Khodorkovsij, atëherë njeriu më i pasur në Rusi pas privatizimeve të dekadës së Jelcinit, u dënua me “gulag” siberian. Putini u kishte thënë oligarkëve: pasurohuni, por duhet të më jeni besnikë. Khodorkovsky guxoi ta sfidonte politikisht dhe përfundoi në gjyq për “mashtrim”, nga një magjistratë që u nënshtrua menjëherë ndaj carit të ri. Në thelb ai ia doli mbanë: i kthyer nga Siberia, oligarku jeton në mërgim jashtë vendit.  

Por gazetarja Anna Politkovskaya u vra në vitin 2006. Ish-agjenti i KGB-së, Aleksandr Litvinenko, i cili e kishte quajtur pushtetin e Putinit “një shtet mafioz”, u helmua me substanca radioaktive në Londër një vit më vonë. Boris Nemtsov, zëvendëskryeministri i Yelstinit dhe themeluesi i një partie opozitare, u vra në vitin 2015 pranë Sheshit të Kuq. Dhe Aleksej Navalnj, pasi shpëtoi nga një tentativë helmimi, mori një dënim të zgjatur ditët e fundit nga një gjyqtar i promovuar nga Kremlini gjatë gjyqit.

Drejtimi i dytë, sindroma e rrethimit, e ka origjinën në revolucionet “me ngjyra” të vitit 2003 në Gjeorgji dhe 2004 në Ukrainë, të cilat përkojnë me valën e dytë të zgjerimeve të NATO-s drejt satelitëve të ish-BRSS (Bullgari, Rumani, shtetet baltike). Angela Merkel-it, e cila e pyeti se cili ishte gabimi i tij më i madh, Putini iu përgjigj: “Që besoj”.  

Në konferencën e sigurisë në Mynih, në vitin 2007 ai lëshoi ​​zemërimin: “Bota ka një pronar, një pol të autoritetit, forcës dhe fuqisë vendimmarrëse” (Shtetet e Bashkuara). U injorua edhe për shkak se në atë kohë Putini konsiderohej nga George W. Bush një aleat kundër xhihadit islamik. Dhe më pas u nënvlerësua nga Barack Obama, i cili e quajti Rusinë një “fuqi rajonale” dhe më vonë dështoi të mbajë premtimin e tij për të ndërhyrë nëse Bashar al Assadi shkelte “vijën e kuqe”, të përdorimit të armëve kimike në Siri.  

Në vitin 2008 pati luftë kundër Gjeorgjisë (me arsye të ngjashme me ato të Ukrainës, duke mbrojtur rusët e Osetisë dhe Abkhazisë). Në vitin 2014 aneksimi i Krimesë dhe, më pas, fillimi i luftës së “burrave të vegjël të gjelbër” në Donbassin ukrainas, ndërsa në 2016 Alepo në Siri u rrafshua përtokë, siç kishte ndodhur në Grozny të Çeçenisë dhe siç po ndodh sot në Mariupol të Ukrainës.

Komponenti ideologjiko-fetar ka një themel në macho-izmin e hapur të Putinit: “Unë nuk jam grua, kështu që nuk kam ditë të këqija”, iu përgjigj ai Oliver Stone kur ky po e intervistonte. Por mbi të gjitha në bindjen e të qenit kampion i mbrojtjes së vlerave të krishtërimit kundër dekadencës së Perëndimit (që lejon martesat mes njerëzve të të njëjtit seks, mbron homoseksualitetin dhe lartëson feminizmin).  

Dhe gjithashtu nga komoditeti: aleanca me Kishën Ortodokse, e cila shkoi aq larg sa të bekonte, me patriarkun e Moskës Kirill, pushtimin e Ukrainës si një luftë kundër mënyrave mëkatare të jetesës së “Perëndimit”.

Këtyre tre sindromave, që shpjegojnë transformimin tek hipokondriaku Putin iu shtua edhe obsesioni me Covid-in, i cili e ka përkeqësuar mosbesimin dhe izolimin e tij. Sot cari i ri është një njeri i vetmuar që përballet me ambiciet, por edhe ankthet e tij. Thonë se ai ka parë dhjetëra herë pamjet e kufomës së Gadafit. Sepse ka makthin mos pëson të njëjtin fund. / La Repubblica – Bota.al

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat