Nga ndarja në ndërtim: Tre hapa për bashkëpunim institucional në Kosovë

Analizë

Nga ndarja në ndërtim: Tre hapa për bashkëpunim institucional në Kosovë

Mirsad Voca Nga Mirsad Voca Më 10 korrik 2025 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

Klima politike në Kosovë vazhdon të dominohet nga tensionet dhe përjashtimet.

Diskursi është polarizuar, dhe secila palë shpesh synon më shumë fitoren ndaj tjetrit sesa zgjidhjen e qëndrueshme për vendin. Në këtë realitet, bashkëpunimi nuk përjetohet si nevojë shtetformuese, por si kompromis i padëshiruar.

Megjithatë, në një demokraci të brishtë, bashkëpunimi institucional nuk është luks por themel i funksionimit. Ai nuk duhet te ndodhë vetëm kur forcat janë të barabarta në Kuvend apo kur ndërkombëtarët kërkojnë konsensus, por duhet të jetë model i përhershëm i sjelljes politike dhe administrative.

Qasja “me kë je?” i ka shkaktuar Kosovës më shumë ndarje se sa zgjidhje. Është koha për një qasje të re, ku energjia e të gjitha shtresave politike, akademike, profesionale dhe diasporike kanalizohet drejt shtetndërtimit, jo përplasjes.

1. Nevojitet një platformë neutrale për dialog institucional

Në Kosovë, mungon një hapësirë publike ku mendimi i lirë dhe profesional të mos përkthehet menjëherë si afrim me një parti apo sulm ndaj një tjetre. Krijimi i një platforme neutrale, gjithëpërfshirëse dhe profesionale për dialog kombëtar është hap i domosdoshëm për te rikthyer besimin publik.

Kjo platformë nuk duhet të jetë vetëm tryezë politike, por edhe mekanizëm për ndërlidhje ndërmjet akademikëve, ekspertëve të diasporës, sektorit privat dhe shoqërisë civile. Pikërisht aty, Kosova mund të gjejë formulën për të kaluar nga ndarja ideologjike te zgjidhja funksionale.

2. Elita intelektuale dhe diaspora nuk duhet të qëndrojnë më në heshtje

Shumë profesionistë dhe intelektualë të formuar jashtë ose brenda Kosovës kanë qëndruar për vite të tëra larg proceseve politike, për arsye të kuptueshme: zhgënjimi, polarizimi, mungesa e hapësirës reale për kontribut.

Por kjo nuk mund të vazhdojë më. Sot, vendi ka nevojë për zëra të matur, të përgatitur dhe të pavarur, që nuk përfaqësojnë parti, por përfaqësojnë një standard të ri të mendimit dhe përgjegjësisë publike.

Bashkëpunimi nuk do të vijë nga partitë nëse nuk ushtrohet presion etik dhe intelektual nga jashtë sistemit.

3. Institucionet duhet të hapen ndaj përfshijës, jo ta përjashtojnë atë

Demokracia funksionon mbi konkurrencë, por edhe mbi përfshirje. Nëse institucionet e Kosovës funksionojnë vetëm për t’i shërbyer një force apo për t’i bllokuar të tjerat, atëherë nuk kemi shtet funksional, por sistem që riprodhon krizën.

Duhet ndërtuar një kulturë administrative dhe institucionale që respekton ekspertizën, pavarësisht nga origjina politike apo gjeografike. Sepse Kosova ka mjaft burime njerëzore brenda dhe jashtë që mund të kontribuojnë në diplomaci, siguri, zhvillim ekonomik e teknologji. Mungon vetëm gatishmëria për t’i afruar.

Dhe në fund, nëse duam ta marrim seriozisht projektin e shtetit, nuk mjafton të fitojmë zgjedhje apo të artikulojmë ide. Duhet të ndërtojmë ura reale bashkëpunimi, që nuk maten me numra votash, por me cilësi veprimi dhe përkushtim për të mirën publike.

Jam i bindur se kjo është rruga e vetme për ta bërë Kosovën jo vetëm të pavarur në emër, por funksionale në thelb. Kushdo që ndan këtë vizion, e di se bashkëpunimi nuk fillon kur je i detyruar por kur e ndien se i përket një përgjegjësie më të madhe se vetvetja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat