Kur shteti bie pa u shpallur lufta

Analiza

Kur shteti bie pa u shpallur lufta

Prof. Dr. Muhamet Racaj Nga Prof. Dr. Muhamet Racaj Më 4 janar 2026 Në ora: 13:46
Nicolas Maduro

Në marrëdhëniet ndërkombëtare të shekullit XXI, lufta nuk fillon më me ultimatum dhe nuk mbaron me marrëveshje paqeje. Ajo nis në heshtje, zhvillohet me shpejtësi kirurgjikale dhe përfundon para se shumica e opinionit publik ta kuptojë se çfarë ka ndodhur. Operacionet speciale, inteligjenca e integruar dhe lufta e informacionit janë sot armët kryesore të rendit global.

Rasti i Venezuelës – pavarësisht narrativave dhe interpretimeve që qarkullojnë – duhet parë si demonstrim force strategjike, jo thjesht si zhvillim i izoluar politik. Ai përfaqëson një sinjal të fuqishëm se epoka e paprekshmërisë së autokratëve po mbyllet.

Një operacion i tillë nuk është produkt i improvizimit. Ai kërkon saktësi absolute, shpejtësi veprimi, befasi operative, mashtrim strategjik dhe koordinim në nivele që vetëm një superfuqi globale mund t’i realizojë. Integrimi profesional i dhjetëra agjencive të inteligjencës, komandave ushtarake dhe strukturave të sigurisë tregon se siguria globale sot dominohet nga kapaciteti amerikan për veprim të kombinuar.

Mesazhi është i qartë dhe i drejtpërdrejtë: sovraniteti nuk është më mburojë për regjimet që ndërtojnë pushtetin mbi krimin, shtypjen dhe korrupsionin. Liderët që manipulojnë zgjedhjet, burgosin opozitën, bashkëpunojnë me rrjete të trafikut të drogës dhe shkelin hapur ligjin ndërkombëtar, nuk janë më problem i brendshëm i shteteve të tyre – ata janë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare.

Në këtë prizëm, arrestimi i një figure si Nicolás Maduro – real apo simbolik në dimensionin publik – përfaqëson goditje morale dhe politike për të gjithë ata që besojnë se pushteti i ndërtuar mbi frikë dhe krim është i përhershëm. Arroganca ndaj drejtësisë ndërkombëtare ka një afat skadence.

Jehona e këtij zhvillimi nuk ndalet në Amerikën Latine. Ajo ndihet fuqishëm edhe në Ballkanin Perëndimor. Rajoni ynë njeh mirë modelin e “shtetit të kapur”, ku politika, krimi i organizuar dhe korrupsioni ndërthuren në një sistem që prodhon varfëri, emigrim masiv dhe shkatërrim institucional. Liderë që mbahen në pushtet jo përmes legjitimitetit qytetar, por përmes frikës, patronazhit dhe lidhjeve kriminale, e lexojnë këtë mesazh me shqetësim.

Pastrimi i politikës nga figura të komprometuara nuk është më vetëm kërkesë morale apo aspiratë demokratike. Ai po shndërrohet në domosdoshmëri strategjike. Rrjetet transnacionale të drogës, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar nuk njohin kufij, dhe as përgjigjja ndaj tyre nuk mund të jetë lokale.

Koha e pandëshkueshmërisë po mbaron.

Drejtësia ndërkombëtare nuk vjen me zhurmë, por me saktësi.

Ajo nuk paralajmëron gjatë – ajo vepron.

Për ata që ende besojnë se janë të paprekshëm, ora po troket.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat