Projektligji: Groenlanda Shteti i 51 i SHBA - të?

Analiza

Projektligji: Groenlanda Shteti i 51 i SHBA - të?

Nga: Beqir SINA - New York Më: 14 janar 2026 Në ora: 16:19
Kongresisti republikan Randy Fine Randy Fine

Më 12 janar 2026, kongresisti republikan Randy Fine (FL-06) paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve projektligjin “Greenland Annexation and Statehood Act”. Ky akt autorizon Presidentin Donald Trump të ndërmarrë “çdo hap të nevojshëm”, përfshirë negociata me Mbretërinë e Danimarkës, për të aneksuar ose marrë Groenlandën si territor amerikan, me synim përfundimtar pranimin e saj si shteti i 51-të i SHBA-së.

Propozimi vjen në kulmin e interesit të ripërtërirë të administratës Trump për këtë territor autonom danez, ishulli më i madh në botë, me një sipërfaqe prej rreth 2.1 milion km² dhe vetëm rreth 57 mijë banorë.

Sipas Fine, Groenlanda është një aset vital për sigurinë kombëtare amerikane, pasi kontrollon rrugët detare arktike dhe shërben si mburojë ndaj zgjerimit të Kinës dhe Rusisë në rajon.

Ndërkohë, ekspertë amerikanë thonë se ky projektligj i jep autorizim të gjerë Presidentit për të negociuar blerjen ose aneksimin e Groenlandës. Sipas tyre, Presidenti duhet t’i paraqesë Kongresit një raport me ndryshimet e nevojshme ligjore për pranimin e Groenlandës si shtet, me kusht që ajo të miratojë një kushtetutë republikane, në përputhje me Kushtetutën amerikane.

Fine, nga ana e tij, argumentoi se “kushdo që kontrollon Groenlandën, kontrollon arkitekturën e sigurisë që mbron SHBA-në” dhe se Amerika nuk mund ta lërë të ardhmen e saj në duart e regjimeve që, sipas tij, “përçmojnë vlerat tona”.

Kjo retorikë pasqyron qëndrimet e Presidentit Trump, i cili ka përsëritur se SHBA-ja duhet ta marrë ishullin për të parandaluar dominimin e Kinës ose Rusisë.

Pas kësaj, reagimet kanë qenë të menjëhershme dhe kryesisht negative ndaj projektligjit “Greenland Annexation and Statehood Act”.

I pari që reagoi ishte Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, i cili deklaroi se banorët zgjedhin Danimarkën dhe NATO-n, jo SHBA-në. Ndërkohë, partitë groenlandeze, në një deklaratë të përbashkët, thanë: “Nuk duam të jemi amerikanë, por nuk duam të jemi as danezë; duam të jemi groenlandezë”.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, deklaroi se SHBA-ja “nuk ka të drejtë të aneksojë” asnjë pjesë të Mbretërisë Daneze, duke paralajmëruar se një veprim i tillë me forcë do të shkatërronte NATO-n.

Senatori demokrat Chris Murphy paralajmëroi se një marrje me forcë do të shënonte “fundin e NATO-s”. Ndërkohë, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë konfirmuan se çështja konsiderohet prioritet, por pa një afat të saktë kohor.

Shtypi amerikan thekson se ky zhvillim ngre pyetje thelbësore për rendin ndërkombëtar: a mundet një fuqi e madhe të propozojë aneksimin e territorit të një aleati pa shkatërruar besimin në aleanca si NATO? A përbën Groenlanda realisht një kërcënim sigurie nëse mbetet autonome, apo ky debat pasqyron konkurrencën globale për Arktikun, i cili po shkrin?

Në fund, e ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga vetë banorët e saj, siç insistojnë ata, dhe jo nga negociata të imponuara nga jashtë.

Teksti i plotë i projektligjit

H.R. ll

Kongresi i 119-të

Sesioni i dytë

Ligj për Aneksimin dhe Shtetërimin e Groenlandës

Në Dhomën e Përfaqësuesve, Z. Fine paraqiti ligjin e mëposhtëm, i cili u dërgua në Komisionin për Punë të Jashtme të Kongresit.

Një Ligj

Për të autorizuar aneksimin dhe pranimin e mëvonshëm si shtet të Groenlandës, dhe për qëllime të tjera.

Le të miratohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbledhur në Kongres:

SEKSIONI 1.

Ky Akt mund të quhet “Greenland Annexation and Statehood Act”.

SEKSIONI 2.

AUTORIZIMI PËR ANEKSIMIN E GROENLANDËS

Presidenti autorizohet të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm, përfshirë kërkimin për të hyrë në negociata me Mbretërinë e Danimarkës, për të aneksuar ose ndryshe marrë Groenlandën si territor të Shteteve të Bashkuara.

Pas përfundimit të një aneksimi ose marrjeje të tillë, Presidenti do t’i paraqesë Kongresit një raport që përmban ndryshimet e nevojshme në ligjin federal, ashtu siç Presidenti mund t’i gjykojë të nevojshme për të pranuar territorin e sapomarrë si shtet, me qëllim përshpejtimin e miratimit kongresional të shtetërimit të Groenlandës, pas miratimit të një kushtetute që Kongresi e përcakton si republikane në formë dhe në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

Alaska u bë shteti i 49-të më 3 janar 1959, ndërsa Hawaii u bë shteti i 50-të më 21 gusht 1959, duke i bërë ato shtetet më të reja që iu bashkuan Unionit dhe duke shtuar dy yje në flamurin e SHBA-së në të njëjtin vit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat