Bisedimet për paqe apo armëpushim ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit dështojnë jo për mungesë diplomacie, por për mungesë vullneti real politik. Ato nuk janë negociata për paqe të qëndrueshme, por përpjekje për të menaxhuar një konflikt që të dyja palët, në mënyra të ndryshme, nuk duan ta mbyllin.
Në thelb, kemi të bëjmë me një konflikt të kontrolluar, ku tensioni është bërë pjesë e strategjisë politike dhe ushtarake.
Së pari, mungesa e besimit është pothuajse absolute. Që nga Revolucioni Islamik në Iran (1979) e deri te tërheqja e SHBA nga Marrëveshja Bërthamore (JCPOA, 2015), çdo marrëveshje ndërkombëtare është perceptuar si e përkohshme dhe e brishtë, ngase marrveshjet e arritura shpesh nuk janë konceptuar për zbatim afatgjatë dhe zgjidhje të qëndrueshme të problemeve, por si instrument taktik, i destinuar të braktiset sapo ndryshojnë interesat politike dhe gjeostrategjike.
Së dyti, interesat e palëve janë thelbësisht të papajtueshme dhe shpesh të kundërta. SHBA kërkon kufizimin e programit bërthamor dhe të ndikimit rajonal të Iranit. Në anën tjetër, Irani synon ruajtjen e kapaciteteve të tij strategjike, përfshirë avancimin e programit bërthamor, si dhe zgjerimin e ndikimit politik dhe ideologjik në rajon. Në këtë kuadër, mbështetja dhe financimi i aktorëve jo-shtetërorë (grupeve proxy) në Lindjen e Mesme mbetet një instrument kyç i politikës së jashtme iraniane. Njëra palë kërkon frenim, tjetra kërkon njohje dhe zgjerim të ndikimit. Kështu midis këtyre objektivave të kundërta nuk ekziston një kompromis i qëndrueshëm.
Së treti, konflikti ushqehet nga vetë arkitektura e sigurisë në Lindjen e Mesme. Izraeli dhe Arabia Saudite nuk e shohin një marrëveshje të butë me Iranin si paqe, por si rrezik strategjik për sigurinë e tyre. Në këtë kontekst, çdo hap drejt kompromisit perceptohet si dobësi.
Së katërti, politika e brendshme i bën marrëveshjet të paqëndrueshme. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një administratë mund të nënshkruajë një marrëveshje, ndërsa tjetra mund ta rrëzojë atë. Në Iran, struktura të fuqishme si Gardat Revolucionare nuk kanë interes për një normalizim të plotë, sepse tensioni i vazhdueshëm, programi bërthamor dhe përfshirja në konfliktet rajonale përmes grupeve proxy shërbejnë si burim legjitimiteti dhe konsolidimi të pushtetit të tyre të brendshëm.
Në këtë mënyrë, SHBA e justifikon praninë e saj ushtarake si një domosdoshmëri për ruajtjen e rendit ndërkombëtar dhe stabilitetit rajonal. Ndërsa Irani, përmes doktrinës së tij ideologjike dhe retorikës kundër Izraelit dhe pranisë amerikane në rajon, forcon narrativën e “rezistencës” dhe mobilizon opinionin e brendshëm mbi baza politike dhe ideologjike.
Për rrjedhojë, çdo marrëveshje që mund të arrihet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit është e destinuar të jetë e përkohshme, pra vetëm një armëpushim taktik, e jo një paqe e qëndrueshme dhe strategjike.
Thjesht dhe qartë: problemi nuk qëndron te dështimi i negociatave, por te fakti se paqja e vërtetë ende nuk është në interesin e palëve të konfrontuara!!!