Maratona ndërkombëtare do të mbahet më 25 shtator! Halil Sylejmani: Shumë garues po paraqiten

Atletika

Maratona ndërkombëtare do të mbahet më 25 shtator! Halil Sylejmani: Shumë garues po paraqiten

Nga: Kemajl Goca Më: 4 shtator 2022 Në ora: 15:55
Halil Sylejmani

Ngjarja më e madhe në Republikën e Kosovës do të mbahet në fund të shtatorit përkatësisht me datën 25, Maratona dhe Gjysmë Maratona ndërkombëtare.

Federata e Atletikës së Kosovës është duke bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë aktivitet, më të madhin në vendin tonë. 

Përveç Maratonës dhe Gjysmëmaratonës, do të vrapohet edhe në 10 kilometra, 5 km, 2 km etj.

Që nga viti 2019 nuk është mbajtur ky aktivitet i madh në Kosovë, për shkak të pandemisë përkatësisht virusit korona, që shkaktoi telashe të mëdha në gjithë botën.

Halil Sylejmani, president i Federatës së Atletikës së Kosovës, me stafin e tij, Këshillin Organizativ, synojnë që të organizojnë këtë aktivitet në mënyrën më të mirë të mundshme.  

“Shtegu garues është përcaktuar por vetëm duhet verifikuar nga ekspertët ndërkombëtar për licencim.

Shtegu ka qenë i licencuar para pak viteve por tani duhet sërish të verifikohet dhe të licencohet”, tha Sylejmani për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Sylejmani tregon se ka shumë garues të interesuar që të garojnë në këtë aktivitet, nga shtetet e rajonit dhe shtetet e ndryshme të botës.

“Po paraqiten shumë garues, edhe ata që kanë marrë pjesë në garat e kaluara.  

Synojmë të organizojmë sa më mirë këtë garë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhje të Sportit të Kosovës, po ashtu me donatorët, garë ashtu si i ka hije dhe vërtet që të lë shenj për të gjithë garuesit që janë të Kosovës dhe nga shtetet e jashtme”, përfundon Sylejmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat