Werro realizon një ëndërr për vetëm 190 franga

Atletika

Werro realizon një ëndërr për vetëm 190 franga

Më: 10 nëntor 2026 Në ora: 21:10
Audrey Werro ka pasur një sezon që do të mbetet në historinë e atletikës

300.000 franga shpërblime të përgjithshme, një sezon i mbushur me fitore dhe papritur pa shqetësime financiare: Audrey Werro tani mund t'i lejojë vetes shumë gjëra.

Por kur bëhet fjalë për luksin personal, atletja nga Freiburgu nuk shfaq aspak pretendime prej ylli.

Chanel? Dior? Prada? Pas një sezoni ëndrrash, Audrey Werro (22) do të kishte çdo arsye për t'i dhuruar vetes diçka vërtet të shtrenjtë.

Por ylli zviceran i vrapimit ka dëshira krejtësisht të tjera.

Në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve Swiss Athletics Night në Bernë, Audrey Werro e kishte me vete edhe blerjen e saj të re. Me krenari prezantoi sendin që kishte blerë: një çantë të vogël ngjyrë argjendi, nga marka zvicerane Freitag, modeli F141 Beryl.

Çmimi: vetëm 190 franga.

“Ishte ëndrra ime të kisha një çantë Freitag!“, tregon ajo duke qeshur.

“Kjo është dhurata ime për veten“

Werro e kishte zbuluar çantën në vitrinën e një dyqani në Bernë. Në atë moment e kishte të qartë se duhej ta kishte.

“I thashë vetes: Po, kjo është dhurata ime për veten. Këtë do t'ia lejoj vetes!”

Sipas mediumit zviceran “Blick”, duhet ta kemi parasysh një gjë, vrapuesja e 800 metrave ka fituar tashmë 300.000 franga shpërblime zyrtare gjatë sezonit të jashtëzakonshëm të vitit 2026. Këtu nuk janë përfshirë ende kontratat me sponsorët, pagesat për pjesëmarrje në gara dhe mbështetja financiare nga donatorët.
Werro i fitoi të gjashtë garat e Diamond League, u shpall kampione e Evropës dhe triumfoi edhe në Ultimate Championship.

Këtë vit ajo është ngjitur në mesin e sportisteve më të mira të botës.

Megjithatë, luksi i saj më i madh është një çantë prej 190 frangash.

Werro tregon maturi në menaxhimin e parave

Gjendja financiare është një përvojë krejtësisht e re për vrapuesen e 800 metrave.
Në dhjetor të vitit 2025, Werro kishte treguar se mezi arrinte t'i përballonte shpenzimet e përditshme.

Tani mund të marrë frymë më lirshëm.

“Është shumë bukur. Nuk kam më shqetësime“, thotë ajo.

Mbi të gjitha, tani mund të përqendrohet plotësisht në sport.

“Nuk duhet të mendoj më për paratë. Kjo është shumë mirë për mua”.

Në vend që t'i shpenzojë paratë pa kursim, atletja nga Zvicra frankofone tregon maturi dhe largpamësi.

“Duhet të kesh gjithmonë para në dispozicion, për të gjitha vitet e ardhshme dhe për të vazhduar financimin e karrierës sime“.

Edhe përtej mundësive të reja financiare, jeta e Werros ka ndryshuar shumë.

Në Freiburg, njerëzit tashmë e ndalojnë rregullisht në rrugë.

“Kjo është diçka e re për mua. Duhet të mësohem me të. Por më pëlqen! Njerëzit janë shumë të respektueshëm“, tregon ajo.

Fillimisht pushim, tani rikthim në stërvitje

Pas sezonit të jashtëzakonshëm, Werro fillimisht mori disa javë pushim.

Ajo kaloi katër javë me pushime, dy prej të cilave në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji.

Ndërkohë, është rikthyer në stërvitje.

“Tani jemi në fazën e përgatitjes“, shpjegon ajo.

Fakti që pas çmimit të vitit të kaluar si “Rising Star“ (Ylli në ngritje), këtë vit është shpallur tashmë Atletja e Vitit në Evropë, ende i duket pothuajse i pabesueshëm.

”Është vërtet e çmendur. Është një shpërblim për mua, sepse punoj shumë fort për t'i arritur këto rezultate“.
Nuk është e nevojshme të mbash një çantë Chanel për të dëshmuar se ke arritur majat. Audrey Werro është shembulli më i mirë për këtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat