Atleti David Nikolli ka denoncuar përjashtimin e tij nga pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Ndonëse kishte kohë që përgatitej për garën dhe se ishte pretendent për medalje, Nikolli thekson se heqja e tij nga lista ka ardhur si rrjedhojë e përfshirjes në protestat kundër qeverisë që prej disa muajsh kanë përfshirë Shqipërinë.
Ja reagimi i Nikollit për këtë situatë:
“Para disa muajsh më janë kërkuar dokumentet për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare.
E realizuam regjistrimin nëpërmjet Federatës Shqiptare të Atletikës, ndërkohë që unë këtë garë po e përgatisja prej një vit, me dedikim dhe stërvitje çdo ditë. Isha pretendent për medalje, sepse forma që kam tani e lejon atë, por nuk mora pjesë. I gjithë mundi, lodhja dhe djersa më shkuan dëm, vetëm sepse ju keni disa letra në dorë dhe vendosni kë të dërgoni dhe e kë të lini në shpi, edhe kur jam në formë për medalje. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës.
Vetëm te ne ndodh që t’i pengohet dhe t’i prishet puna sportistit, kur unë sa herë kam marrë pjesë në gara kam dhënë gjithçka për me nderu veten, familjen dhe vendin ku kam lindur dhe kam sjelle gjithmonë medalje. Por, ju edhe këtë e bat dhe e paçi faqen e zezë. Shkoni nëpër gara e hotele, duke bërë foto e intervista sikur jeni njerëzit ma fitues në botë dhe duke marrë meritat, por meritat merren kur jep kontribut për shoqërinë, kur ndihmon vendin dhe rininë me ec përpara.
Unë jam bërë sportist i padëshirueshëm qysh kur dola në protesta dhe fola të drejtën dhe të vërtetën, bashkë me vëllezërit dhe motrat shqiptare si njeri i lire, me shpresën që ai vend të ndryshojë për të mirën e të gjithëve.
Gjithsesi, unë nuk jam si ju. Nuk i lëpihem dhe nuk i jam lëpi asnjëherë kujt për asgjë dhe nuk i kam bërë kurrë kujt keq.
Në këtë moment kisha forcën dhe energjinë për të luftuar për një medalje historike për veten, familjen dhe vendin. Jo për t’u bërë i pasur, sepse atletika nuk asht futbolli, por për të dhuruar një moment krenarie për të gjithë ne. Por edhe këtë mundësi ma hoqët…”.