Werro dhe Ehammer shpallen atletët zviceranë të vitit 2026

Atletika

Werro dhe Ehammer shpallen atletët zviceranë të vitit 2026

Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 23:45
Çmime dhe vlerësime për Werron dhe Ehammerin

Nder i madh për Audrey Werro dhe Simon Ehammer, të cilët janë shpallur atletët më të mirë të Zvicrës për vitin 2026.

Werro dhe Ehammer u përzgjodhën nga një juri profesionale dhe tifozët, ndërsa u nderuan në ceremoninë “Swiss Athletics Night”, të mbajtur në Bernë.

Për Audrey Werro, kjo është hera e parë që shpallet atletja më e mirë zvicerane e vitit. 22-vjeçarja nga kantoni i Fribourgut ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm, duke mbetur e pamposhtur në garat e 800 metrave në konkurrencën e të rriturave.

Ndër sukseset e saj më të mëdha ishte fitimi i medaljes së artë në Kampionatin Evropian. Me kohën 1:53.70 minuta, ajo iu afrua rekordit botëror të çekes Jarmila Kratochvílová, të vendosur në vitin 1983, për vetëm 42 të qindtat e sekondës.

Werro është shpallur gjithashtu atletja më e mirë e Evropës për vitin 2026.

Një tjetër vit i jashtëzakonshëm për Ehammerin

Për Simon Ehammerin, kjo është hera e pestë që fiton çmimin e atletit më të mirë zviceran, pas sukseseve në vitet 2020, 2022, 2024 dhe 2025.

26-vjeçari nga Appenzelli vendosi rekord botëror në shtatëgarësh në Kampionatin Botëror të atletikës në salla të mbyllura, të mbajtur në mars në Torun të Polonisë, duke grumbulluar 6.670 pikë.

Ai u bë gjithashtu zvicerani i parë që fitoi garën prestigjioze të dhjetëgarëshit në Götzis. Gjatë kësaj gare, Ehammer përmirësoi rekordin e tij kombëtar në kërcim së gjati, duke arritur rezultatin 8.51 metra.

Në kërcim së gjati, ai fitoi edhe medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat