Zbulohen finalistet e çmimit “Rising Star” për femra në vitin 2026

Atletika

Zbulohen finalistet e çmimit “Rising Star” për femra në vitin 2026

Nga: K.G. Më: 1 tetor 2026 Në ora: 18:56
Viktoria Angelova, Linda Botkova dhe Zhiva Remiq

Finalistet për çmimet Atletja Evropiane e Vitit dhe Rising Star për femra dhe meshkuj në vitin 2026 po bëhen publike gjatë kësaj jave, nga 1 deri më 4 tetor. E para u shpall lista e finalisteve për çmimin Rising Star për femra.

Nga listat fillestare me nga 10 atlete për secilën kategori, tashmë janë konfirmuar tri finalistet.

Procesi i përzgjedhjes mori më shumë se 40.000 vota nga tifozët, mediat, federatat anëtare dhe një panel ekspertësh. Secili prej këtyre katër grupeve përbënte 25% të rezultatit përfundimtar.

Tri finalistet për çmimin Rising Star të femrave janë ndër atlete që spikatën në Kampionatin Evropian të Atletikës U18 në Rieti 2026, në korrik. Të trija më pas fituan edhe medalje në Kampionatin Botëror të Atletikës U20 në Eugene të SHBA-së, në gusht.

Fituesit do të shpallen në ceremoninë Golden Tracks, e cila do të mbahet në Lozanë të Zvicrës të shtunën, më 24 tetor.

Finalistet e Rising Star për femra:

Viktoria Angelova (Bullgari)
Linda Botkova (Çeki)
Zhiva Remiq (Slloveni)

Viktoria Angelova
Në vetëm garën e saj të pestë në disiplinën e kërcimit trefish, Viktoria Angelova fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian U18 në Rieti 2026.

Bullgarja, e cila më parë garonte në kërcimin së gjati, realizoi 13.98 metra, rezultat që ishte më i miri në botë për kategorinë U18 në atë moment, dhe fitoi titullin evropian.

17-vjeçarja vazhdoi me një tjetër sukses në Kampionatin Botëror U20, ku fitoi medaljen e artë me 13.91 metra.

Linda Botkova

Linda Botková theu një rekord evropian U20 që kishte qëndruar për 43 vjet, duke fituar garën e 400 metrave me pengesa në Rieti 2026.

Më pas ajo ndihmoi Çekinë të fitonte një tjetër medalje të artë në stafetën 1000 metra.
Edhe pse vetëm 16 vjeçe, Botkova mori pjesë në finalen e stafetës 4x400 metra në Kampionatin Botëror U20, ku ndihmoi ekipin çek të fitonte medaljen e argjendtë.

Zhiva Remiq
Gara e 800 metrave është aktualisht ndër disiplinat më interesante të atletikës, me fituesen e çmimit Rising Star 2025, Audrey Werro, kampionen olimpike Keely Hodgkinson dhe Femke Bol, e cila është përshtatur edhe me këtë disiplinë, duke krijuar një rivalitet të fortë.

Me atlete të reja si Zhiva Remiq, po shfaqet edhe më shumë talent i ri evropian në garën e dy xhirove.
17-vjeçarja sllovene fitoi medaljen e artë këtë verë si në Kampionatin Evropian U18 në Rieti 2026, ashtu edhe në Kampionatin Botëror U20.

Në Rieti, Remiq fitoi bindshëm, duke garuar e vetme në pjesën e fundit të garës dhe duke vendosur rekord të kampionatit me kohën 2:03.77.

Fituesja e vitit 2025: Audrey Werro (Zvicër).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat