Skandali në atletikën shqiptare

Atletika

Skandali në atletikën shqiptare

Më: 10 dhjetor 2022 Në ora: 12:07
Skandali në atletikën shqiptare

Njësia e Integritetit të Atletikës (AIU-Athletics Integrity Unit), pas një hetimi 1-vjeçar, ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj dy drejtuesve më të lartë të Federatës Shqiptare të Atletikës (FSHA). Ata akuzohen për shkelje të dyshuara të kodit të sjelljes së integritetit të atletikës botërore, në lidhje me rezultatin e një gare të atletit shqiptar të kërcimit, Izmir Smajlaj.

Sipas AIU, ky mashtrim në rezultatin e garës i siguroi atletit shkodran një vend në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Dy personat e Federatës që janë nën akuzë janë presidenti i FSHA-së, Gjergj Ruli e sekretari Nikolin Dionisi si dhe vetë atleti Izmir Smajlaj.

Në deklaratën e publikuar nga Njësia e Integritetit të Atletikës, akuzat e ngritura ndaj tyre janë për shkelje të standardeve të mëposhtme të integritetit në kodin e sjelljes së integritetit:

1-Ndershmëria (Rregulli 3.3.1);

2-Ruajtja e Integritetit të Konkurrencës (Rregulli 3.3.4);

3-Dështimi për të raportuar (Rregulli 3.3.15);

4-Bashkëpunimi (Rregulli 4.4).

AIU sqaron gjithashtu se personat e lartëpërmendur janë përkohësisht të pezulluar në pritje të sqarimit të rezultatit nga Komisioni i Disiplinës. Aktiviteti që është vënë në shënjestër nga Njësia e Integritetit të Atletikës është ai i Ditës së Kërcimeve, që është zhvilluar më 8 maj 2021 në Tiranë. Në këtë aktivitet, Smajlaj konkurroi dhe u rendit i pari, duke kërcyer 8.16 metra.

Në akuzën e AIU, thuhet se asaj dhe Federatës Ndërkombëtare të Atletikës u janë dorëzuar informacione të rreme në lidhje me rezultatet e këtij aktiviteti. Më 23 shtator, është ngritur edhe një komision për të hetuar këtë ngjarje, që ka hetuar në total 17 raste të tilla, në lidhje me rezultatet kualifikuese për në Olimpiadën e Tokios. Shqipëria është një nga 7 Federatat që janë nën vëzhgim nga AIU.

“Mandati i AIU është të sigurojë konkurrencë të pastër dhe të ndershme dhe të mbajë këdo që mund të ketë kanë shkelur Kodin e Sjelljes së Integritetit, përgjegjës për veprimet e tyre, duke përfshirë edhe pozitat e larta, zyrtarë.

Manipulimi i garave është një kërcënim serioz për integritetin e atletikës dhe AIU është e angazhuar për të mbrojtur sportin tonë prej tij. AIU nuk do të bëjë komente të mëtejshme për këtë çështje derisa të zgjidhen rastet në përputhje me rregullat në fuqi”, tha kreu i AIU, Brett Clothier.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat