Polakja Daria Zabawska fitoi medaljen e parë për Poloninë në Kupën Evropiane në atletikë, duke triumfuar në hedhjen e diskut me rezultat 62.27 metra, që është hedhja e saj e dytë më e mirë në karrierë.
Ajo pati vështirësi në fillim të garës, duke regjistruar fillimisht një hedhje të pavlefshme dhe më pas 51.79 metra, por arriti të përmirësohej në raundin final.
Në fund, Zabawska e kaloi në renditje francezen Melina Robert-Michon, dy herë medaliste e botërorit dhe nënkampione olimpike, duke e lënë në vendin e dytë, gjë që befasoi spektatorët dhe madje edhe vetë fituesen.
Polakja kishte gati gjashtë vite që kërkonte të afrohej me rekordin e saj personal, por duket se gjithçka ndryshoi këtë javë, pasi partneri i saj i kishte propozuar për martesë vetëm pak ditë më parë.
“Ishte një pritje e gjatë për shkak të lëndimeve dhe problemeve me shëndetin mendor, kështu që të jem këtu tani me një medalje të artë më bën shumë të lumtur.
E dija se kisha një hedhje të madhe brenda meje dhe kur e godita rrjetën e kuptova se isha mirë e përgatitur, prandaj vetëm duhej të prisja hedhjen e madhe”, tha Zabawska.
“Shpresoj të hedh përsëri larg edhe në finalen e Kampionatit Evropian dhe shpresoj të jem mes medalisteve”, shtoi ajo.
Ndërkohë, francezja Robert-Michon ishte në paraqitjen e saj të 22-të në Kupën Evropiane të Hedhjeve dhe me rezultatin 60.03 metra u ngjit në podium për herën e 13-të në këtë garë.
Medaljen e parë në këtë kompeticion ajo e kishte fituar që në edicionin e parë në vitin 2001, kur kishte marrë bronztën.