Reagon Joshua

Boksi

Reagon Joshua

Më: 25 janar 2022 Në ora: 12:44
Reagon Joshua

Anthony Joshua ka thënë se nuk e ka nënshkruar asnjë marrëveshje në vlerë prej 18 milionë eurove për t’u tërhequr nga rimeçi me Oleksandr Usyk, në mënyrë që boksieri ukrainas të luftojë me Tyson Furyn në një meç për boksierin e padiskutueshëm të botës.

Promotorët e Furyt, Bob Arum dhe Frank Warren, kanë bërë përpjekje për t’i bindur Dillian Whyte dhe Joshuan për t’u tërhequr nga luftërat e tyre përkatëse ndaj Fury dhe Usyk.

Por Joshua, i cili i humbi titujt e botës në kategorinë e rëndë pas disfatës ndaj ukrainasit në shtator të vitit të kaluar, e mohoi se është tërhequr nga rimeçi me Usyk.

“Unë kujdesem vetë për biznesin tim”, tha Joshua.

Boksieri britanik shtoi: “A e dini se cila është e keqja e gjithë këtyre intervistave? I shoh disa intervista të caktuar që më citojnë çfarë kam thënë dhe mendoj me vete: ‘Unë nuk e kam bërë asnjë intervistë. Nga ku i mori informatat ky person?’”

“I dëgjoj njerëzit duke thënë, ‘AJ e pranon një marrëveshje 18 milionë euroshe për t’u tërhequr’. Unë nuk kam nënshkruar asnjë kontratë, nuk e kam parë asnjë kontratë”, nënvizoi ai.

Fury e mban titullin në WBC dhe duhet ta mbrojë atë muajin e ardhshëm kundër sfiduesit Whyte, ndërsa Usyk i zotëron titujt në WBA, IBF, WBO dhe IBO dhe është i detyruar të përballet me Joshuan në një rimeç gjatë këtij viti.

Një marrëveshje e mundshme për një luftë për të padiskutueshmin e botës mes Fury dhe Usyk duhet të arrihet deri të mërkurën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat