Gjenerata e artë nderon të papërsëritshmin, legjendën Xhevdet Peci

Boksi

Gjenerata e artë nderon të papërsëritshmin, legjendën Xhevdet Peci

Më: 12 maj 2022 Në ora: 13:17
Gjenerata e artë e boksit të Prishtinës, Enver Hajredini, Nazif Gashi, Zahir Shabani, Naser Bajrami, Shefki Bogujevci, Afrim Majanci, Fatmir Makolli, Qamil Pajaziti.

Gjenerata e artë nderon të papërsëritshmin, legjendën Xhevdet Peci. Gjenerata e artë e boksit të Prishtinës, Enver Hajredini, Nazif Gashi, Zahir Shabani, Naser Bajrami, Shefki Bogujevci, Afrim Majanci, Fatmir Makolli, Qamil Pajaziti etj. nderojnë të madhin Xhevdet Peci.  

Janë mbajtur sot homazhe në nderim të legjendës së boksit kosovar, Xhevdet Peci, i cili u nda nga jeta pas sulmit në zemër.

Ikona e boksit tonë vdiq më 9 maj 2022, në moshën 67-vjeçare, derisa trupi i pajetë i tij u soll të mërkurën në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po jetonte muajve të fundit.

Image

Aziz Salihu bën homazhe

Homazhet u mbajtën në sallën e sportit të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, aty ku kaloi kohën e artë, duke triumfuar përballë shumë kundërshtarëve, derisa veshte dorëzat e klubit të Prishtinës.

Homazhe në nderim të kontributit të tij bënë edhe drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, nënpresidenti, Gazmend Maxhuni dhe udhëheqësi i Akademisë Olimpike, Fitim Arifi, si dhe stafi i KOK-ut.

Image

Ismet Krasniqi

“Është një ditë e rëndë për sportin e Kosovës, kemi humbur një sportist që e ka bërë krenarë gjithë shqiptarinë. Ai do të mbetet përherë kampion në zemrat tona. Xhevdeti ishte pesë herë kampion i ish-Jugosllavisë, ish-anëtar i BE të KOK-ut. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes Peci dhe gjithë komunitetit të sportit, veçanërisht boksit”, tha presidenti Krasniqi. Krahas personaliteteve të larta nga sporti, homazhe bëri edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca e ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, të cilët vlerësuan lart karrierën dhe kontributin e Pecit.

Image

Peci dha kontribut edhe për KOK-un, ku në ciklin 2001 – 2005 ishte anëtar i Bordit Ekzekutiv. Ai ishte pesë herë kampion i ish-Jugosllavisë në periudhën 1975 – 1983 dhe dy herë kampion ballkanik 1978 dhe 1981.

Peci do të varroset sot në vendlindjen e tij në fshatin Zhazhë të Mitrovicës, në ora 16:30, ndërsa në ora 19:30 do të mbahen mbledhja komemorative në qendrën e Kulturës në Mitrovicë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat