Xhevdet Peci sot po shkon përgjithmonë, po i bashkohet trajnerit të madh Lah Nimanit! 

Boksi

Xhevdet Peci sot po shkon përgjithmonë, po i bashkohet trajnerit të madh Lah Nimanit! 

Nga: Kemajl Goca Më: 12 maj 2022 Në ora: 14:20
Lah Nimani e Xhevdet Peci

Ditë të rënda për sportin e Kosovës, humbi një emër të madh, një legjendë, një mbret të boksit.

Xhevdet Peci iku papritur me 9 maj në botën tjetër, pa e thënë lamtumirën e fundit! 

Ike shpejt, por dashamirët e shkathtësive bujare, jo vetëm ata, kujtojnë me lot në sy kohën tuaj, të krenarisë së sukseseve, kur nokautoje kundërshtarët në Podgoricë, në Beograd, në Smederevë, në Rijekë, në Pulë, në Sarajevë, në Banjallukë etj.    

Gjenerata e artë e klubit të boksit Prishtina, në krye me Xhevdet Pecin, shënuan fitore të njëpasnjëshme, fituam tituj të njëpasnjëshëm, me ekipin e boksit Prishtina fituan pesë tituj kampioni.

Së bashku kaluat peripecitë e shumta, asnjëherë nuk u dorëzuan para asnjë fortune të regjimit të asaj kohe, sidomos nokauti i tij ndaj kundërshtarëve, ka qenë frymëzim më i madh për kolegët e tu dhe më shumë se fitore për dashamirët e boksit dhe popullin shqiptar të Kosovës.

Një punëtor e sportist i zellshëm, një luftëtar e kampion i papërsëritshëm, një trim i ringut, që nuk e kishte shoqin.

Një sportist kulmor e burrë i fjalës, i buzëqeshur si gjithmonë me moton besa besë për fitore e për tituj, të gjitha i arritët.

Vula e pesë titujve ka qenë Xhevdet Peci së bashku me gjithë gjeneratën e artë, ku mbi 6-7 mijë shikues pothuajse vazhdimisht kanë qenë brenda në sallën e madhe të Qendrës së Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, nuk kishte vend as për një gjilpërë.

Të gjithë kënaqeshin me fitore e sukseset e Prishtinës. Që nga viti 1974 ishte pjesë e Prishtinës, që u bë sinonim i gjithë shqiptarëve dhe e frikshme për të gjitha klubet ish jugosllave. Mjeshtri i madh erdhi nga Akumulatori i Mitrovicës.

Nuk shkoi as dy vite erdhi titull i parë me Prishtinën në edicionin 1975-1976, me një gjeneratë fantastike, në krye me Xhevdet Pecin, pastaj Haki Peci, Zoran Dediqi, Shefki Bogujevci, Dauti Dauti, Mehmet Bogujevci, Bajram Hashani, Predrag Jovanoviqi, Nazif  Gashi, Enver Hajredini, Xheko Muhoviqi.

Pas këtij titulli erdhën edhe katër tituj tjerë, në edicionin 1976-77, 1977-1978, 1980 dhe 1984.

Të të gjithë tituj protagonist kush tjetër përveç Xhevdet Pecit. Ditë të rënda për familjen Peci, për Kosovën dhe shqiptarinë. Kampionët nuk vdesin kurrë, kampionët jetojnë gjithmonë dhe gjithmonë janë mes nesh. Kështu është edhe me të madhin Xhevdet Peci, ai veç e ka ndërruar vendbanimin, nga kjo botë ka shkuar në botën tjetër.

Po i bashkohet trajnerit më të mirë të të gjitha kohërave, Lah Nimanit, me të cilën festuan pesë tituj kampioni në ish Jugosllavi e shumë e shumë suksese tjera individuale! Xhevdet, po të pret krahëhapur Lah Nimani në botën tjetër.

Po të pret, sepse gjithmonë ia bëre zemrën mal me fitore e tituj.  Xhevdet, mos harro kur ta takosh Lahun, bëri të fala nga gjenerata e artë, nga Nazif Gashi, Mehmet Bogujevci, Aziz Salihu, Sami Buzolli, Bajram Hashani, Zahir Shabani, Afrim Majanci, Fatmir Makolli, Shefki Bogujevci, Abedin Lika, Nysret Rexhepi, Skënder Hajdini, Agim Latifi, Enver Hajredini, Beqir Berisha, Sahit Hajdini, Muharrem Gjocaj, Agim Latifi etj.

Tregoj Lahut, se e la Kosovën pa iu thënë lamtumirën e fundit sepse të prisnin për të pirë kafe në Prishtinë.

Xhevdet, ju zgjodhët rrugën e botës tjetër, rrugës që t’i bashkohesh në atëbotë arkitektit të boksit, Lah Nimani.  
Lamtumirë kampion!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat