Demolli: Donjeta Sadiku bëri histori!

Boksi

Demolli: Donjeta Sadiku bëri histori!

Nga: Kemajl Goca Më: 17 maj 2022 Në ora: 14:24
Demolli: Donjeta Sadiku bëri histori!

Boksierja Donjeta Sadiku (60 kg) futet në historinë e boksit dhe sportit të Kosovës, siguroi medaljen e bronztë, tani synon finalen e madhe në Kampionatin Botëror, që po mbahet në Stamboll të Turqisë.

Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, tha se e kishte një parandjenjë se do të fitojnë medalje, pasi që Donjeta kishte arritur një standard tjetër të nivelit të saj.

Demolli asnjëherë nuk dyshonte në cilësitë e Donjetës, e cila dje edhe  vulosi suksesin e boksit dhe në përgjithësi sportit të Kosovës.

Image

“Kam deklaruar para pak kohe, pak para se të shkojmë  në Kampionatin Botëror, se është koha për medalje. Kam thënë se presim medalje dhe u arrit qëllimi. 

Pas një pune dhjetëvjeçare me boksieren, u bë e gatshme për sfida e mëdha në konkurrencën e senioreve. 

Fillimi ishte vështirë te senioret, por me kalimin e kohës Donjeta fitoi përvojë të madhe”, thotë Demolli për gazetën kombëtare “Bota sot”.. 

Donjeta është e gatshme për sfidën e radhës, gjysmëfinalen, e cila synon finalen e madhe.

Ajo nesër në orën 18.00 përballet me amerikane Ellis Rashida Shakilya.  

“Besoj se edhe kundër amerikanes e ka vullnetin dhe dëshirën. Besoj se këtë sfidë do të kalojë dhe ngjitet në  finale, pastaj do ta presë fituesen e përballjes mes brazilianes dhe italianes, njërës prej këtyre edhe t’i kundërvihet.  

Image

Po presim të shkojë në finale, të intonohet himni dhe të ngritët Flamuri i Kosovës në piedestalin me të lartë”, shpreh optimizmin Demolli.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, tha se boksi gradualisht po kthehet në nivelin e dikurshëm, dëshmia më e mirë është suksesi i Donjetës. 

“Boksi ka traditë tek ne dhe kjo është medalja e parë, besoj e shpresoj se edhe me djem e vajza tjera do të arrijmë medalje në të ardhmen. Boksi, besoj se gradualisht do të kthehet si në vitet e 70-ta dhe të 80-ta, kur kemi fituar medalje olimpike, evropiane e botërore.

Donjeta Sadiku bëri histori, pas 44 viteve i pruri medalje Kosovës, pasi që në vitin 1978 e kemi fituar të argjendtën në Kampionatin Botëror, por atëherë si ish Jugosllavi. 
Kjo është medalja e parë për shtetin e Kosovës dhe ka jehonën e madhe.

Është kënaqësi për ne sepse edhe shtetet që nuk e njohin Kosovën, u bindën se Kosova ka traditë dhe sportiste të madhe”, përfundon Demolli.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat