Ikona e kafazit rikthehet kampion bote

Boksi

Ikona e kafazit rikthehet kampion bote

Më: 5 mars 2023 Në ora: 13:18
Pamje nga meçi

Jon Jones është kampioni i ri i botës në peshën e rëndë në artet marciale mikse.

Në eventin UFC-285 zhvilluar sot në Las vegas, luftëtari amerikan mposhti që në raundin e parë rivalin e tij Ciryl Gane me një “kapje gijotinë”.

Një duel që pritej të ishte më i gjatë dhe më i bukur, por që në sekondat e para Jones, ish-kampion bote në peshën “light heavyweight” (pesha deri 93kg), tregoi se nuk do t’ia bënte të gjatë Gane.

Një kapje e Jon Jones nuk i dha asnjë shanse Gane, që ndonëse rezistoi disa sekonda në fund u detyrua të dorëzohej.

Për 35-vjeçarin amerikan kjo është fitorja e 27-të në karrierën e tij, ku numëron edhe një humbje e një duel pa rezultat. Një rikthim triumfues për Jon Jones, që nuk duelonte që prej shkurtit 2020.

Tashmë një prej ikonave të kafazit mund të ndihet krenar, pasi është shpallur kampion bote në dy pesha të ndryshme.

Ciryl Gane pësoi humbjen e dytë në karrierën e tij, ku numëron edhe 11 fitore. Të dyja humbjet i ka në dy mundësitë që ka patur për t’u shpallur kampion bote në këtë Divizion.

Ai nuk pati asnjë shans sot të triumfojë, duke u dorëzuar shumë shpejt, pa u mbyllur ende raundi i parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat