Rikard Lekaj ka shënuar një tjetër rezultat të madh në arenën ndërkombëtare.
Shkodrani është shpallur kampion në Kupën e Botës në kikboks, kompeticion i zhvilluar në Tajlandë. Lekaj triumfoi në kategorinë e peshave 75 kg.
Ai mposhti në finale sportistin e Uzbekistanit Shuxrat Jurayev, duke merituar medaljen e artë. Lekaj shoqërohej në këtë aktivitet nga trajneri Arbis Vjerdha, i cili është njëkohësisht edhe presidenti i Federatës Shqiptare “Kick – Thai Boxing”.
Kujtojmë që vetëm disa muaj më parë, Rikard Lekaj u shpall kampion i Europës në kompeticionin që u zhvillua në Bosnjë. Ndërkohë, në prononcimet e tij për “Panorama Sport”, presidenti i Federatës Shqiptare “Kick – Thai Boxing”, Arbis Vjerdha, thekson vazhdimisht mungesën e mbështetjes nga ministria për federatën që ai drejton.
Vjerdha bën të ditur se edhe në aktivitetin e fundit në Tajlandë kanë udhëtuar me lekët e tyre.