Suksesi i shqiptarëve në mbarë botën vazhdon, këtë herë me një emër të ri në fushën e sportit të boksit. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin Benjamin Imeri, i lindur në Gostivar të Maqedonisë së Veriut, i cili që në moshën 16-vjeçare ka nisur karrierën në sportet luftarake. Në verën e vitit 2022, ai u përball me kampionin europian në kikboks.
Deri më tani, Benjamini ka zhvilluar 9 ndeshje në boksin profesionist, të gjitha të fituara. Ai ka zgjedhur të jetojë dhe të përgatitet në Berlin të Gjermanisë, ku vetëm pak ditë më parë mësoi se ka fituar të drejtën për të sfiduar për titullin “Youth” të WBO-së — një prej federatave më prestigjioze në botën e boksit. Ky titull përfaqëson kampionin botëror deri në moshën 25-vjeçare.
Mësojmë gjithashtu se Benjamini është kushëri i një prej personazheve të njohur të showbizit evropian, Sado Maksuti. Falë punës dhe përkushtimit të tij, Benjamini ka arritur suksese të mëdha, duke u përballur me emra të fuqishëm si Siarhei Huliakevich nga Bjellorusia, ish-kampion europian dhe numër një në renditjen e WBC-së, të cilin ai e mposhti në raundin e tretë.
Tashmë, Benjamini po përgatitet për sfidën më të madhe dhe më të rëndësishme të karrierës së tij: ndeshjen për titullin kampion bote në Angli, vendin ku boksi ka arritur majat. Ndeshja do të zhvillohet më 28 qershor në Londër, dhe deri tani i janë propozuar tre kundërshtarë të fortë, prej të cilëve do të përzgjidhet ai që do të përballet me shqiptarin.
Benjamini ka mbetur i pamposhtur deri më tani dhe shpresojmë që edhe kjo ndeshje të rezultojë me fitoren më të madhe të karrierës së tij, duke na bërë krenarë të gjithëve — veçanërisht ne shqiptarët.