Mëngjesin e së dielës (me orën shqiptare) do të zhvillohet eventi UFC-319 në artet marciale mikse, ku përballja kryesore është ajo për titullin kampion bote në peshën e mesme mes afrikano-jugorit Dricus du Plessis dhe rusit Khamzat Chimaev.
Në Çikago, ku dhe do të zhvillohet ky event, dy sportistët kanë bërë edhe daljet e fundit për mediat, që u mbyll në një takim “ballë për ballë” pas peshimeve. Një takim që ka patur mjaft tension dhe kaos në skenë përballë fansave.
Në momentin që Du Plessis ka shkuar drejt Chimaev dy luftëtarët janë prekur me duar mes tyre dhe menjëherë ka ndërhyrë presidenti i UFC-së, Dana White. U krijua një kaos, por nuk pati përleshje fizike mes sportistëve apo stafeve.
Kjo situatë tregon se përballja mes tyre pas disa orësh do të jetë mjaft e flaktë, me dy prej luftëtarëve më të mirë aktualisht. Du Plessis do të mbrojë titullin kampion bote në këtë Divizion, ndërkohë që rusi është ende i pamposhtur në kafaz.