Usyk sfidon Jake Paulin

Boksi

Usyk sfidon Jake Paulin

Më: 26 shtator 2025 Në ora: 10:19
Jake Paul.e Oleksandr Usyk

Oleksandr Usyk ka ndezur debatin në botën e sporteve të luftës, duke i hedhur një sfidë të pazakontë ‘yllit’ të rrjeteve sociale, Jake Paul. Kampioni i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë deklaroi se pas përfundimit të karrierës në boks, është gati të zbresë në kafaz për një duel në MMA.

Në një postim në platformën X, Usyk i drejtohet Paul-it me tone provokuese:

“Shumë shpejt do të mbyll librin mbi boksin.

Pas kësaj, do të të pres në kafaz. Do të shohim nëse ke vërtet guxim, apo je thjesht i etur për reklamë.”

Ukrainasi 38-vjeçar vjen pas një fitoreje madhështore në korrik, ku mundi me KO Daniel Dubois në Wembley, duke e bërë për herë të dytë kampion të padiskutueshëm në peshën e rëndë. Pas asaj mbrëmjeje, Usyk pati edhe një ballafaqim me Jake Paul, duke i dhënë shkas spekulimeve për një sfidë të ardhshme mes tyre.

Sipas mediave ndërkombëtare, ekipet e dy sportistëve tashmë kanë diskutuar rreth mundësisë së një përplasjeje në MMA. Nëse kjo ndodh, do të ishte një skenar i pazakontë për Usyk, i cili ka qenë kampion i padiskutueshëm si në “light heavyweight” ashtu edhe në peshën e rëndë, dhe synon të pensionohet i pamposhtur në boks.

Nga ana e tij, stafi i Usyk nuk përjashton asnjë skenar:

“Aktualisht po shqyrtojmë mundësi të reja dhe një vend të madh për të organizuar një tjetër ndeshje për titullin e padiskutueshëm botëror.”

Një duel mes Usyk dhe Jake Paul në kafaz do të ishte një nga ngjarjet më të bujshme sportive të viteve të fundit, duke bashkuar botën e boksit, MMA-së dhe spektaklit të rrjeteve sociale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat