Luftëtarit brazilian Alex Pereira i kanë mjaftuar vetëm 80 sekonda për të fituar revanshin ndaj rusit Magomed Ankalaev dhe për t’u rikthyer kampion bote në peshën “light heavyweight” (pesha deri 93kg) në artet marciale mikse.
Në eventin UFC-320 zhvilluar sot në Las Vegas, Pereira fitoi me KO Teknik në raundin e parë ndaj rusit, duke u hakmarrë për humbjen e disa muajve më parë. Një rezultat që edhe pritej, por jo pas vetëm 80 sekondash duel në kafaz.
Ai arriti ta hedhë në tapet rivalin rus dhe ta godasë me grushte e bërryla, duke detyruar gjyqtarin ta ndalte sfidën. Ankalaev (20 fitore, 2 humbje, 1 barazim e 1 duel pa rezultat) nuk arriti dot të reagojë dhe u detyrua të ngrejë “flamurin e bardhë”.
Alex Pereira (13 fitore e 3 humbje) rikthehet kampion bote në moshën 38-vjecare, ndërkohë që dikur ka qenë edhe kampiomn bote në peshën e mesme. Ai konfirmohet si një nga luftëtarët më të mirë në artet marciale mikse.